E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e rinj, Thaçi lë jashtë Fatmir Limajn

Prishtinë - Kanë mbetur tri ditë deri në seancën e parë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa zyrtarisht ende nuk është nënshkruar marrëveshja e koalicionit ndërmjet PDK-së dhe partive tjera. Në vazhdën e diskutimeve të fundit, po përzgjidhen edhe emrat e mundshëm që do të udhëheqin dikasteret ministrore në qeverinë e re. Portali Indeksonline ka mësuar disa prej emrave të ministrave të rinj. Hajredin Kuçi nuk do të jetë më zëvendësi i kryeministrit Thaçi, por ministër i Drejtësisë. Vendin e tij mund ta zërë ministri aktual i Arsimit, Enver Hoxhaj. Fatmir Limaj duket se nuk do të udhëheqë më Transportet e Telekomunikacionin dhe as nuk do të jetë në qeverinë e re. Ministër i Transporteve do të jetë Memli Krasniqi, zëdhënësi aktual i Qeverisë së Kosovës. Emra tjerë të përfolur për ministra janë: Vlora Çitaku, ministre për Integrimin Europian; Mimoza Kusari-Lila; ministre e Jashtme; Bajram Rexhepi, i Punëve të Brendshme; Bekim Çollaku, këshilltar i Thaçit, ministër i Arsimit. Serbët do të udhëheqin Ministrinë e Pushtetit Lokal. Merret vesh se Hashim Thaçi tashmë ka zhvilluar disa takime me ministrat e rinj të mundshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›