Engjëjt e Vdekjes tek ISI pakistanez
Gati dy ditë pasi kishte humbur në Islamabad dhe më pak se një javë pasi kishte përfunduar pjesën e parë të historisë me dy pjese të negociatave mes marinës së Pakistanit dhe Al-Kaedës, trupi i torturuar i gazetarit, Sayed Saleem Shahzad, është zbuluar në afërsi të Jehlumit, në provincën Punjab. Shumë aktorë, duke përfshirë gazetarët dhe “Human Rights Watch”, kanë fajësuar për rrëmbimin dhe ekzekutimin e tij të mëvonshëm, Drejtorinë e Shërbimeve të Zbulimit Ndërkombëtar pakistanez (ISI). Megjithëse ne nuk mund ta dimë historinë e plotë të zhdukjes dhe vrasjes së Shahzad-it, mund të themi se vdekja e tij i përshtatet atij fenomeni që është bërë një model shqetësuese në Pakistan. Gazetarët rrëmbehen, kur ata janë duke ecur në rrugë, qoftë në kryeqytetin Islamabad apo në ndonjë qytet tjetër, dhe kur i lëshojnë të lirë, i hedhin serish në rrugë si qese me plehra - të torturuar, ashtu siç ndodhi në rastin e Umerit Cheema-s, i cili u rrëmbye nga agjencitë e sigurisë pakistaneze pasi paraqiti një seri raportimesh mbi ushtrinë e Pakistanit - ose të vrarë, si në rastin e Hayatullah Khan, trupi i të cilit u zbulua pas ai u përpoq që të raportonte një sulm me raketa mbi zonat fisnore të Pakistanit. Vrasësit e Khan-it nuk janë gjetur ende. Raportimet mbi shërbimet e sigurisë për mediat elektronike të Pakistanit janë të ndërlikuara, ato përbëjnë një lojë vdekjeprurëse. Në shumicën e rasteve, të frikësuar për jetën e tyre, gazetarët censurojnë raportet e tyre. Ndërsa në disa raste të tjera, kanalet e tyre refuzojnë t’i bëjnë pjese të kronikave të tyre informative, pasi kanë frikë se mos shqetësojnë njerëzit në Rawalpindi (qytet ky ku ndodhet selia e Ushtrisë së Pakistanit). Javën e kaluar, gjykimi në Çikago i pakistano- kanadezit, Tahawur Hussain Rana, i akuzuar se ka ndihmuar me materiale sigurimi David Headley (i njohur ndryshe ne Pakistan me emrin, Daood Sayed Gilani) për përgatitjen e sulmeve terroriste të 2008-s në Mumbai, si dhe për planifikimin e një komploti për të sulmuar zyrën e gazetës “ Jyllands-Posten”në Danimarkë nuk është përfshirë në grupin e kronikave informative të televizioneve pakistaneze, pasi Headley kishte pretenduar se ai ishte trajnuar nga ana e ISI-t dhe ishte ndihmuar nga kjo e fundit për të planifikuar sulmet mbi Mumbai. Unë vetë kam raportuar rreth gjyqit për një media të shkruar pakistaneze, por raporti u vlerësua shumë "sensitiv" për t’u transmetuar në TV (megjithatë ajo u publikua në shtyp). Por deklarata e fundit e Headley i cili përjashtoi udhëheqësit e lartë të ISI nga përfshirja në komplot, papritur është kthyer në lajmin kryesor të të gjitha mediave pakistaneze, si atyre të shkruara ashtu edhe atyre vizive. Kjo heshtje e pasuar nga një shpërthim i papritur informues rreth kësaj çështjeje është befasuese, dhe e pakëndshme, megjithatë këto “shpërthime” në Çikago, mijëra e mijëra kilometra larg Pakistanit, nuk kanë asnjë efekt, pasi këtu ISI nuk ka ndonjë autoritet, hija e tyre vrastare ende shtrihet mbi punën tonë si gazetarë. Në vitet 1990, për t’iu referuar anëtarëve të ISI-t, gazetarët në Pakistan përdornin termin farishtas, që në shqip do të thotë “engjëjt”. Kur shkruanin në artikujt e tyre se “Engjëjt janë në punë" gazetarët në mënyrë alegorike nënkuptonin se, kur rezultatet e zgjedhjeve vononin, anëtarët e ISI-s punonin për t’i manipuluar ato, në mënyrë që të arrinin rezultatin e dëshiruar. Për gazetarët, raportimet mbi këto “engjëj”, do të thotë ekspozim ndaj një rreziku të madh, i cili mund të paraqitet fillimisht me një rrëmbim në mes të natës, për të përfunduar me vrasje. Përgatiti Redi Agolli
...