E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ka ende nga ata që votën e hedhur në kutinë e gabuar e cilësojnë votë për armikun”

02-06-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha nderon kujtimin e dy të ekzekutuarve nga barbaria komuniste, në revoltën e Qafë-Barit.


Jozefina Topalli: “Ata që dekorojnë vrasësit e tyre, janë më tepër se hipokritë”


Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje homazhe në Institutin e Integrimit të Përndjekurve Politikë në Tiranë, në nderim të kujtimit të Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, dy të rinj të pushkatuar në vitin 1984, eshtrat e të cilëve u gjetën pak ditë më parë në fshatin Kuç të komunës Gur i Zi, në Shkodër. Duke shprehur nderimet e tij për këta martirë dhe ngushëllime për familjet e tyre, Berisha u shpreh se regjimi barbar i vrau ata se besonin te mendimi dhe fjala e lirë. “Përulem me nderim të madh para martirëve të demokracisë, Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, të cilës u ekzekutuan nga regjimi barbar për mendimin e lirë, për fjalën e lirë, për besimin tek Zoti, besimin tek Shqipëria. Dua të shpreh nderimin më të thellë për familjet e tyre dhe për të gjithë ata që u sakrifikuan me jetë, me mjerim, me vite burg, me sakrifica, me internime për vlerat më të arrira hyjnore dhe njerëzore të lirisë e të shoqërisë. Nderimin më të madh që mund t’u bëjmë ne martirëve të lirisë dhe demokracisë është konsolidimi i vlerave të lirisë, i votës së lirë, i fjalës së lirë. Ju dhe të rinjtë shqiptarë duhet ta dini se kur ata burra kanë votuar janë paraqitur para dy kutive: njëra ishte kutia e frontit, e barbarisë, ndërsa tjera quhej kutia e armikut. Kjo më është kujtuar disa herë këto kohë, kur ka nga ata që votën e hedhur në një kuti tjetër duan ta konsiderojnë si votë të ekzekutuar, si votë të paqenë. Ata burra kanë sakrifikuar që ne të ndahemi nga klishetë e një kohe që kurrë nuk kthehet më, që të votojmë të lirë, të votojmë me dinjitet, që të nderojmë njeri - tjetrin, që të respektojmë votën ndryshe. Kjo është merita e këtij sistemi që ndërtojmë. Një sistem jo pa vështirësi dhe jo pa sakrifica, por krahasuar më atë tjetrin është si dielli me errësirën, si drita me terrin, e zeza me të bardhën, është krejt tjetër. Edhe një herë le t’u shpreh unë nderimin më të madh, ngushëllimet më të thella, respektin më të pakufishëm familjeve të Sokolit dhe Tomës, por edhe të gjithë familjeve të martirëve që sakrifikuan aq shumë për lirinë dhe vlerat e saj”, u shpreh kryeministri Berisha.


Topalli: Ata që dekorojnë vrasësit e ish-të përndjekurve, janë më tepër se hipokritë


Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli mori pjesë dje në homazhet që u mbajtën në nderim të dy martirëve të demokracisë Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Ata u pushkatuan pa gjyq nga regjimi komunist në maj të vitit 1984, gjatë  revoltës së burgut famëkeq të Qaf Barit. Pas vitesh të tëra kërkimi, eshtrat e trupave të tyre u gjetën një javë më parë nga familjarët dhe të afërmit, pranë lumit Kir në Shkodër. Gjatë ceremonisë së homazheve për martirët e demokracisë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “sot nderohet sakrifica dhe shpirti i madh i lirisë së këtyre dy djemve të rinj, që u vranë në mënyrë barbare nga diktatura komuniste”. Më tej në fjalën e saj, kryetarja e kuvendit tha se “ky është një moment ku secili prej nesh kujtojmë me mijëra të pushkatuar, të burgosur të internuar, të përndjekur”. Ajo vuri theksin gjithashtu se po në të njëjtën kohë ne shohim sesa ka ecur Shqipëria gjatë kësaj periudhe, sesa e rëndësishme është liria, sesa e rëndësishme është të mendojmë se, liria nuk duhet konsideruar si grant, por është një vlerë, për të cilën duhet të luftojmë dhe të punojmë çdo ditë, çdo orë dhe  çdo minutë. Po ashtu në nderim të këtyre të rinjve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist, kryeparlamentarja Topalli u ka bërë thirrje te gjithë atyre që dekorojnë vrasësit e martirëve të demokracisë të mos guxojnë më ta bëjnë këtë. “Është një moment për të ftuar këdo që ka një pozicion të caktuar, përveç të tjerëve, për t’i thënë fort që, të mos guxoni  më të dekoroni ata që, kanë vrarë në mënyrën më barbare, si këta dy djem të rinj Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja, ashtu dhe me mijëra e mijëra të tjerë. Ajo është fyerja më e madhe që mund t’u bëhet vetes së tyre, familjeve të tyre, edhe ne si komb”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Ajo ka ritheksuar se ndodhet e pranishme në këtë ceremoni homazhesh për të nderuar vetëm vetë-sakrificën e këtyre dy djemve të rinj. Ajo ka ritheksuar gjithashtu se ata që dekorojnë me medalja vrasjen e tyre, janë më tepër se hipokritë. “Edhe një herë, unë sot këtu jam për të nderuar vetëm vetë-sakrificën e këtyre dy djemve të rinj. Dhe përmes emrave të Sokol Sokolit dhe Tom Ndoja, unë dua të shfrytëzoj rastin për të nderuar të gjithë ata që u burgosën, u pushkatuan, u internuan, u dëbuan, u sakrifikuan në emër të vlerave të mëdha të moralit. Këtu nuk mund të rri pa thënë që, ata që dekorojnë vrasësit e tyre, janë më tepër se hipokritë”, u shpreh kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›