E Shtunë, 31 Tetor 2026

England: SHBA ju pret në NATO në pranverë

Pasi ka bërë lobing që NATO të miratojë ftesën e anëtarësimit për Shqipërinë dhe i ka dhënë votën e senatit protokollit që zyrtarizon këtë ftesë, SHBA është e sigurt që Shqipëria do të jetë aleate e saj në Aleancë në pranverën e ardhshme. Këtë siguri e ka shprehur dje zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, i cili gjatë takimeve me zyrtarë të lartë shqiptarë në Tiranë tha se “të gjithë presim me kënaqësi partneritetin tuaj të plotë në prillin që vjen”. Ky optimizëm i SHBA-së, një nga vendet me ndikim në Aleancën e Atlantikut të Veriut vjen në një moment kur Tirana pret ratifikimin e protokollit të anëtarësimit edhe nga 24 vendeve të tjera anëtare, pas ratifikimit të bërë nga senati amerikan dhe Hungaria. Zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë ka diskutuar disa çështje delikate me Kryeministrin Sali Berisha, ndër të tjera dhe për çështjen e municioneve të pazbërthyera, që vazhdojnë të mbeten një problem për vendin tonë. Ai pranoi pas takimit se “folëm mbi stabilitetin e rajonit, modernizimin ushtarak të Shqipërisë, klimën e biznesit, reformat në vazhdim, si dhe çështjen e municioneve të pashpërthyera”.

Mbështetje për reformat

SHBA-ja i kërkon Shqipërisë angazhime të gjithanshme për kryerjen e reformave integruese. Uashingtoni përmes zëvendëssekretarit amerikan të Mbrojtjes, England, i konfirmoi dje Tiranës zyrtare mbështetjen për anëtarësimin në NATO në prill të 2009-s. Por SHBA insiston për respektimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura dhe ecjen përpara të reformave, për të merituar anëtarësimin e plotë në NATO. Pikërisht respektimi i pavarësisë së institucioneve ishte mesazhi i djeshëm i zëvendëssekretarit amerikan të Mbrojtjes, të cilin e përcolli në takimet me drejtuesit e lartë të shtetit, Presidentin Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Tirana zyrtare i rezervoi z. England një pritje me nderime speciale, por edhe sigurinë e fortë për kryerjen e të gjitha reformave që kanë të bëjnë me procesin e anëtarësimit në strukturën atlantike. I dekoruar nga Presidenti Bamir Topi me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, numri dy i Pentagonit nuk kurseu mbështetjen e Uashingtonit për Shqipërinë, por gjithashtu nuk hezitoi të japë këshilla për klasën politike shqiptare. Sipas tij, reformat duhet të vazhdojnë, por pa cenuar pavarësinë e institucioneve. “Shqipëria ka shënuar një përparim të jashtëzakonshëm, duke institucionalizuar reformat aq shumë të nevojshme dhe jam shumë i kënaqur sot, gjatë diskutimeve, kur mora sigurimet më të mira që këto reforma do të vazhdojnë, që Shqipëria do të vazhdojë të respektojë pavarësinë e institucioneve të pavarura, të cilat janë aq jetësore për demokracinë në Shqipëri, të cilat do të ndihmojnë vendin tuaj për të ndërtuar një demokraci dhe një ekonomi të fortë”, - u shpreh England. Ai pati një axhendë të ngjeshur takimesh në kuadër të vizitës së tij zyrtare në Shqipëri, dhe siç u shpreh ai gjatë diskutimeve me autoritetet e larta të shtetit, mori sigurinë për vazhdimin e reformave dhe respektimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura, jetësore për demokracinë në vend. Egland konfirmoi se SHBA është fuqimisht në përkrahje të Shqipërisë dhe ne, nënvizoi ai, “presim që kjo miqësi dhe këto lidhje të forcohen gjatë viteve në vazhdim”. “SHBA dhe Shqipëria ndajnë një partneritet shumë të afërt dhe një miqësi të thellë. Përgjatë dy dekadave të fundit, Shqipëria dhe SHBA kanë punuar së bashku, në mënyrë që të ndihmojnë shqiptarët të kapërcejnë efektet afatgjata të komunizmit dhe luftës”, - nënvizoi z. Gordon England.

SHBA, mirënjohje Shqipërisë për paqen në rajon

SHBA, përmes zv.sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Gordon England, shprehu dje mirënjohjen e SHBA-së ndaj Shqipërisë për kontributet dhe sakrificat e shumta të vendit tonë në konsolidimin e paqes dhe begatisë në rajon. Zyra e shtypit pranë Ambasadës Amerikane në Tiranë bëri të ditur se gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, zv.sekretari amerikan i Mbrojtjes nënvizoi se “SHBA dhe Shqipëria kanë qenë partnere për shumë vite dhe vendet tona ndajnë përkushtimin ndaj çuarjes përpara të paqes e begatisë anembanë rajonit të Ballkanit”. Sot, - shtoi ai, - ushtria shqiptare mbështet një numër përpjekjesh paqeruajtëse të OKB-së dhe po luan një rol kritik në Irak dhe Afganistan Edhe në takimin me ministrin Oketa, zv.sekretari amerikan i Mbrojtjes konfirmoi se SHBA do të qëndrojë vendosmërisht përkrah Shqipërisë dhe siç u shpreh ai, “presim me kënaqësi të forcojmë lidhjet e miqësisë mes vendeve tona në vitet e ardhshme”. Ai nënvizoi me këtë rast se është kënaqësi e jashtëzakonshme që Senati i SHBA-së ratifikoi javën e kaluar hyrjen e Shqipërisë në NATO. Zv.sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gordon England, zhvilloi dje një vizitë zyrtare në Tiranë, gjatë së cilës u takua me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryeministrin Sali Berisha dhe ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa.

Berisha: SHBA të sjellë vëzhgues për zgjedhjet

Kryeministri Sali Berisha i kërkon SHBA-së që institucionet kompetente të saj të dërgojnë vëzhgues për zgjedhjet e reja parlamentare. Duke vlerësuar si të shkëlqyera marrëdhëniet me SHBA-në, Kryeministri Berisha informoi dje zv.sekretarin e Mbrojtjes amerikane, z. Gordon England, mbi reformat politike dhe ekonomike, që ka ndërmarrë qeveria e tij. Gjatë takimit të djeshëm, kreu i qeverisë u ndal veçanërisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri, ku shprehu vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë çdo gjë, për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në këtë drejtim, ai parashtroi kërkesën që institucionet kompetente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të dërgojnë vëzhgues në këto zgjedhje. "Falënderoj shumë përzemërsisht zëvendëssekretarin e Shtetit për Mbrojtjen, zotin England, për ndihmën dhe angazhimin e tij personal dhe të Pentagonit, sekretarin Gates dhe sekretarin Rumsfelt (në këtë detyrë para sekretarit Gates), në përpjekjet e Shqipërisë për të arritur standardet e NATO-s", - tha në përfundim Kryeministri Sali Berisha. Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje pas takimit në Tiranë, me zv.sekretarin amerikan të Shtetit për Mbrojtjen, Gordon England, se "Shqipëria ka pasur nevoja të jashtëzakonshme për të ndryshuar dhe askush nuk e ka ndihmuar më shumë vendin tonë në këto ndryshime sesa SHBA-ja". Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, në ambientet e Kryeministrisë, me zv.sekretarin amerikan të Shtetit për Mbrojtjen, Gordon England, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj Presidentit Xhorxh Bush, qeverisë së tij dhe kombit amerikan, për ndihmesën e jashtëzakonshme dhe të çmuar që i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sipas tij, "SHBA ka dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme në reformën në Forcat tona të Armatosura, si dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit". Në këtë kuadër, kreu i qeverisë veçoi tri projekte, të cilat u ndërmorën në kuadër të Sfidës së Mijëvjeçarit, si regjistrimi elektronik i biznesit, taksat elektronike dhe prokurimet elektronike.

Topi: Reformat integruese nuk do të ndalen

I nxitur nga miratimi i protokollit të anëtarësimit në NATO prej Senatit Amerikan, Presidenti Topi doli garant se reformat në Shqipëri nuk do të ndalen. "Unë e sigurova z. England, që Shqipëria dhe institucionet e saj, e gjithë politika dhe e gjithë shoqëria shqiptare, jo vetëm e konsideron këtë si një shenjë të çmuar të këtyre marrëdhënieve dhe të suportit që vjen nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por si një moment të angazhimit të plotë për vazhdimin e reformave, reformave politike, institucionale dhe ekonomike në mënyrë që standardet që kërkohen nga Shqipëria të realizohen sa më shpejtë të jetë e mundur", - u shpreh Topi. Zëvendëssekretari amerikan i Mbrojtjes vlerësoi Presidentin Topi për lidershipin e fortë në nxitjen e reformave të vendit. Nga ana e tij, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, deklaroi pas takimit me zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Gordon England, se “Shqipëria do të bëjë përpjekje vigane për të merituar besimin që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që vendi ynë të jetë pjesë e NATO-s”.

Topi dekoron England me “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoroi dje gjatë një ceremonie solemne të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, zv.sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Gordon England, me Urdhrin "Gjergj Kastrioti Skënderbeu". Sipas zyrës së shtypit pranë Presidencës, pas ekzekutimit të himnit kombëtar, sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidentit, Aleksandër Flloko, lexoi dekretin e dekorimit. Ky urdhër iu dha zv.sekretarit amerikan të Mbrojtjes me motivacionin: "Për forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes midis SHBA dhe Shqipërisë, ristrukturimin dhe transformimin e Forcave të Armatosura, si dhe kontributin e dhënë për pranimin e Shqipërisë në NATO". Nga ana e tij, zv.sekretari i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes shprehu falënderimin për nderin dhe vlerësimin e madh që iu bë. Duke shprehur mirënjohjen për mikpritjen shumë të ngrohtë që i është bërë në Shqipëri, zoti England u shpreh për vijimin e bashkëpunimit të mirë me Shqipërinë. Në ceremoninë e dekorimit morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uithers, personalitete të tjera të larta, si dhe stafi i Presidentit të Republikës.

Oketa: Samiti i ardhshëm, Shqipëria në NATO

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, është i bindur se samitin e ardhshëm Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plotë në NATO. Këtë deklaratë ministri Oketa e bëri gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me z. Gordon England, zëvendëssekretarin e Mbrojtjes së SHBA-së, për kontributin dhe mbështetjen që ai ka dhënë për Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO. "Shqipëria do të vazhdojë rrugën e reformave me bindjen dhe besimin se Samiti i ardhshëm i NATO-s në vitin 2009, do shënojë për ne anëtarësimin e plotë në NATO”, - tha z. Oketa. “Gjatë takimit, - u shpreh ministri Oketa, - vlerësuam frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit, si dhe rikonfirmuam dëshirën dhe vullnetin për të vazhduar në të ardhmen përpjekjet e përbashkëta në përgatitjen dhe modernizimin e Forcave tona të Armatosura. Në vijim të deklaratës së tij, Oketa theksoi se “edhe në të ardhmen SHBA do të gjejë tek Shqipëria dhe FA-ja aleatin e sigurt në përpjekjet për demokraci, paqe e siguri globale”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›