E Shtunë, 31 Tetor 2026

Englang mëson historinë myslimane të Xhamisë së Et’hem Beut

Është gjendur në Tiranë ditën e Fiter Bajramit. Dhe në një vend me shumicë myslimane, zyrtari i lartë amerikan, zëvendëssekretari i Mbrojtjes, Gordon England, nuk nguroi dje të hyjë dhe të vizitojë xhaminë më të madhe shqiptare, atë të Et'hem Beut. Ai pa nga afër ambientet e brendshme të kultit më të madh të myslimanëve shqiptarë me kuriozitetin e madh për të njohur dhe historinë e tij. Zëvendëssekretari i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, jashtë axhendës së vizitës së tij dyditore në Shqipëri, i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan, preferoi të hyjë brenda në xhami dhe të shkëmbejë një bisedë tepër të ngrohtë me drejtuesin e saj. Në respekt të traditave myslimane, bashkëshortet e England dhe Uidhers kishin vënë shamitë në kokë gjatë qëndrimit në ambientet e xhamisë. Kleriku më i lartë i fesë myslimane i shpjegoi ushtarakut të lartë amerikan historinë e krijimit të kësaj xhamie, si edhe e njohu me raportet fetare që ekzistojnë në Shqipëri. Bashkëjetesa fetare ishte një tjetër temë e diskutimeve, ku Shqipëria hyn si një ndër vendet e rralla të jetesës së feve të ndryshme. Numri dy i ushtrisë amerikane, England, viziton nga afër një prej kulteve të myslimanëve shqiptarë, në vazhdën e shumtë të vizitave të disa prej shefave të qeverisë amerikane në shtete të ndryshme të botës në objektet fetare, për të ndryshuar imazhin e marrëdhënieve midis SHBA-së dhe myslimanëve.

I ftuar nga ministri i Mbrojtjes, z. Gazmend Oketa, zv.sekretari i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, z. Gordon England, të hënën pasdite mbërriti në Tiranë për një vizitë dyditore. Pas pritjes speciale të rezervuar nga shteti shqiptar, zv.sekretari England i shoqëruar nga ministri Oketa po dje pasdite zhvilloi një vizitë në Amfiteatrin dhe në Muzeun Arkeologjik të Durrësit. Më pas ai u prit nga autoritetet e larta të shtetit, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, të cilëve u përcolli dhe mesazhet e Uashingtonit për përmbushjen e reformave integruese. Më pas, vizita e zv.sekretarit England vijoi me disa vizita në Muzeun Kombëtar dhe në Kalanë e Krujës.

Topi: Në Shqipëri, festat janë të përbashkëta

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Partë, Teuta Topi vizituan dje, për të shprehur urimet e tyre më të mira e të ngrohta për Fiter Bajramin, Selinë e Bashkësisë Myslimane Shqiptare, ku bashkëbisedoi me kryetarin e këtij komuniteti, Haxhi ing. Selim Muça, si dhe Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, në të cilën u mikprit nga Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Reshat Bardhi. “Kam rastin të shpreh edhe një herë urimin për të gjithë besimtarët myslimanë, por besoj edhe për të gjithë popullin shqiptar, pavarësisht nga përkatësitë fetare. E kam thënë dhe herë tjetër, jemi mësuar të festojmë festat e njëri– tjetrit, është një nga standardet e arrira të shoqërisë shqiptare dhe besoj që në këtë ditë të bukur është momenti për reflektim për më shumë dashuri për njëri–tjetrin, për më shumë altruizëm. “Mesazhi që mund të jap sot është që në këtë ditë të bekuar, jo thjesht për besimtarët myslimanë, por për të gjithë popullin shqiptar, pasi festat janë të përbashkëta dhe kjo besoj përbën dhe thelbin e filozofisë së maturisë të popullit tonë që di t’i gëzojë fetat e njëri-tjetrit, pra, kjo është ditë kur inkurajohet më shumë besimi për njëri-tjetrin, dashuria për njëri-tjetrin për të qenë në ndihmë të njëri-tjetrit në të gjitha situatat, për të pasur më shumë altruizëm në këtë ditë të bukur dhe besoj që ditë të tilla janë patjetër përpara për Shqipërinë, e cila çdo ditë e më shumë krijon harmoni, krijon më shumë stabilitet dhe më shumë shpresë për t’u integruar në botën e qytetëruar”, - u shpreh kryetari i shtetit.

Berisha: Dita që nderojmë të mirën shqiptare

Kryeministri Sali Berisha uroi dje besimtarët myslimanë në të gjithë vendin, me rastin e festës së Fiter Bajramit. Berisha vizitoi selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë, ku u prit nga kryetari i këtij komuniteti, Selim Muça. Sipas tij, “kjo ditë ka si mesazh më të madh sakrificën si themel të të gjitha të mirave të njeriut. Është sakrifica që bëjnë anëtarët e familjes për njëri-tjetrin që bën familjen të lumtur, që shumëfishon energjinë, mundësitë e anëtarëve të saj. “Po kështu është dhe për shoqërinë dhe individin. Ndaj uroj të gjithë shqiptarët gëzuar këtë ditë të bekuar”, - tha Kryeministri Berisha. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve shqiptarë, kreu i qeverisë e konsideroi këtë ditë si “një ditë të shenjtë, të bekuar e të bardhë, në të cilën njeriu nderon sakrificën e tij për Zotin, për të mirën, për veten, familjen, shoqërinë dhe kombin”.

Jozefina Topalli uron festën e Bajramit nga Myftinia e Shkodrës

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, uroi dje festën e Bajramit të Madh për të gjithë besimtarët myslimanë nga qyteti i Shkodrës. E shoqëruar dhe nga deputetë të qytetit dhe autoritetet e pushtetit lokal, Topalli bëri një vizitë në Myftininë e Shkodrës. “Besoj se kjo është një ditë shumë e bukur, është një ditë paqe, një ditë e begatisë për familjet e tyre, një ditë gëzimi dhe një festë që festohet nga të gjithë njëlloj. Uroj që edhe ditë më të bukura do të vijnë më pas. Lumturi, mirësi dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët në familjet e tyre. Ky urim natyrisht më parë i shkon besimtarëve myslimanë, por në fakt kjo është një festë për të gjithë”, - uroi besimtarët kryetarja e Kuvendit. Myftiu i Shkodrës, Imam Ndriçim Sulejmani, falënderoi Topallin për respektin që tregoi duke zgjedhur Shkodrën për të uruar Fiter Bajramin. Më pas kryeparlamentarja ka vizituar edhe Selinë e Komunitetit Mysliman në Tiranë. Duke u përcjellë urimet e saj drejtuesve të komunitetit, kryetarja e Kuvendit e cilësoi ditën e sotme, një festë për të gjithë besimtarët. Kryetarja e Kuvendit tha se mesazhi i Fiter Bajramit është dashuria, respekti për njeriun dhe vlerat humane.

Rama dhe Meta nuk bëjnë politikë për Bajram

Krerët e opozitës, Edi Rama dhe Ilir Meta, uruan dje besimtarët myslimanë me rastin e festës së Fiter Bajramit. Të dy liderët në kohë të ndryshme i janë drejtuar selinë së Komunitetit Mysliman Shqiptar me rastin e festës së Fiter Bajramit, ku u pritën nga kryetari i këtij komuniteti, Selim Muça. Kreu i PS-së e cilësoi këtë festë si festë të të gjithë shqiptarëve, ndërsa Meta tha se “në këtë ditë të shënuar, dëshiroj të uroj të gjithë besimtarët myslimanë për ditën e Fiter Bajramit, si një ditë të bekuar plotë begati dhe paqe për çdo besimtar mysliman”. "Iu uroj gëzuar të gjithëve, mot patjetër do të jetë më mirë". Ashtu si Rama dhe Meta në selinë e Komunitetit Mysliman shkuan për vizitë politikanë të njohur, deputetë të Kuvendit etj. Festa e Fiter Bajramit u festua edhe në Kosovë e Maqedoni ku ka shqiptarë, ku politikanët dhe drejtuesit dhanë të njëjtat mesazhe. Besimtarët myslimanë filluan faljen që në orët e para të mëngjesit për të vazhduar pastaj me drekën dhe me vizitat familjare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›