E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervistë me zv.ministrin e Integrimit, Zef Bushati



Zv.ministri Zef Bushati është i bindur se Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat në BE. Gjatë një interviste dhënë Deborah Erminios, profesoreshë në universitetin e Gjenovës në Itali, Bushati shpjegon këndvështrimin e popullit shqiptar për t’u integruar në Bashkimin Evropian, çfarë hapash ka hedhur Shqipëria dhe çfarë duhet të bëjë më tej për të qenë sa më afër me pjesën tjetër të qytetarëve evropianë. Bushati shprehet se ndërkohë që është në një proces të tillë, emigrantët që janë një potencial i madh për vendin janë ata që sjellin ndryshimin, kulturën evropiane, elemente këto që i ndihmojnë qytetarët për jetën e qytetarëve që janë pjesë e BE, jetesë të cilën do e bëjnë edhe ata në një të ardhshme shumë të afërt.

Shqiptarët shikojnë me kujdes të madh drejt Evropës dhe brenda BE-së. Çfarë presin ata lidhur me integrimin në Evropë?

Gjëja e parë që shqiptarët mendojnë për integrimin në Bashkimin Evropian është lëvizja e lirë e tyre. Një e drejtë normale e legjitime që popullit shqiptar i është mohuar me dekada në sajë dhe të vetëizolimit gjatë diktaturës komuniste më të egër në Evropë. Çdo shqiptar ëndërron që një ditë sa më të shpejtë të mundshme të lëvizin lirshëm në Evropë, pasi ata besojnë shumë që janë një popull evropian dhe i përkasin kontinentit evropian. Ky është perceptimi i parë i masës së gjerë të popullsisë, por integrimi në Bashkimin Evropian gjithashtu përfshin natyrisht dhe shumë aspekte të tjera që lidhen me zhvillimin e ekonomik të vendit, me konsolidimin e demokracisë dhe të rendit kushtetues. Shqiptarët janë të vetëdijshëm se bashkë me integrimin evropian gjithashtu vjen rritja e mirëqenies së njerëzve duke punuar e jetuar si çdo qytetar i lirë i BE-së. Por ka dhe nga ata politikanë që janë të vetëdijshëm gjithashtu se, për të arritur këtë zhvillim, kërkohet që të jemi më konkurrues dhe t’iu përgjigjemi të gjitha sfidave që të çojnë sa më shpejt drejt integrimit e anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE.

Ministria juaj është krijuar posaçërisht për të favorizuar këtë proces integrimi. Ku duhet synuar më shumë dhe si vepron politika derisa Shqipëria të hyjë në BE?

Ministria e Integrimit është organ shtetëror i specializuar për ndjekjen e politikave të integrimit evropian të Shqipërisë. Ajo bën drejtimin teknik dhe bashkërendimin e procesit të integrimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kjo ministri drejton dhe koordinon procesin e përafrimit të legjislacionit kombëtar me atë komunitar. Udhëheq metodikisht dhe koordinon me ministritë e linjës dhe institucionet e tjera qendrore përmbushjen në kohë të programeve kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian. Koordinon programimin, monitorimin e ndihmës financiare të Bashkimit Evropian për Shqipërinë. Gjithashtu, promovon ndërgjegjësimin e publikut mbi Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë.

Duhet theksuar që Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm përpara drejt integrimit evropian. Zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit (MSA) dhe i Marrëveshjes së Përkohshme me Bashkimin Evropian është vlerësuar nga instancat më të larta të Bashkimit Evropian. MSA tashmë është ratifikuar nga parlamentet e 22 nga 25 vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Pra mbetet ratifikimi vetëm nga tre shtete të BE-së, Franca, Gjermania dhe Greqia që kjo marrëveshje të hyjë në fuqi. Besoj se këto tre vende do e ratifikojnë shumë shpejt këtë marrëveshje. Kontributi më i madh që po jep dhe duhet të japë politika për integrimin e vendit është përmbushja e plotë e reformave të ndërmarra, detyrime gjithashtu dhe në kuadër të këtij procesi. Me progresin që kemi arritur në këtë drejtim, qeveria, mazhoranca dhe politika në tërësi po shikon të gjitha mundësitë që në bashkëpunim me strukturat e Bashkimit Evropian të hedhim hapin tjetër atë të aplikimit për statusin e vendit kandidat. Shpreh bindjen se Shqipëria e meriton plotësisht statusin e vendit kandidat. Me marrjen e këtij statusi të vendit kandidat dhe me hyrjen në fuqi të MSA-së, politika shqiptare do të fokusohet në hapat e mëtejshme që duhen ndërmarrë lidhur me negociatat për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian.

Ky proces ndryshimi nuk rrezikon të përmbysë vlerat tradicionale në vështrimin modernizim - Perëndim, mendoj për disa risqe si në rastin e kërkimit të një statusi social të përcaktuar vetëm nga pushteti i fitimit?

Një aspekt i rëndësishëm që Bashkimi Evropian vlerëson në kuadër të integrimit të vendeve në këtë familje të madhe vlerash është pikërisht respektimi i traditave, vlerave dhe zakoneve të çdo vendi anëtar dhe të atyre vendeve që aspirojnë të bëhen pjesëtare të kësaj familje të madhe. Mund të ketë një të vërtetë që bashkë me zhvillimin dhe ndryshimet që po ndodhin në Evropë do të ketë ndikime reciproke në një farë mënyre në traditat dhe zakonet e vendeve anëtare, por duke pasur parasysh që populli shqiptar ka treguar që zakonet dhe traditat e tij të mira di t’i ruajë brez mbas brezi, mendoj se edhe në këtë rast do të dijë t’i ruajë këto tradita edhe në kuadër të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kultura shqiptare e në veçanti gjuha shqipe në shumë aspekte unike në llojin e saj do të shërbejë si një vlerë e shtuar në kulturën e familjes së madhe e të vjetër evropiane.

Fenomeni tjetër social që po i intereson Shqipërisë është rikthimi në atdhe i emigrantëve. Projekte të ndryshme po punojnë mbi mbështetjen e rikthimit, sidomos për atë të punës, pyes çfarë ka ndryshuar për këta persona që kanë jetuar për vite me radhë jashtë shtetit me kapacitete të mëdha përshtatjeje kundrejt shteteve të tjera. Kur kthehen në Shqipëri sjellin me vete një ndryshim të stilit të jetesës, të modeleve kulturore, të kërkesave të shoqërisë?

Pas viteve ‘90 populli shqiptar ka migruar në shumë vende të botës, por në një masë të madhe në vendet fqinje perëndimore si Italia dhe Greqia, por edhe në Amerikë e Kanada. Politikat e qeverisë shqiptare janë nxitëse dhe favorizuese për ato që dëshirojnë të kthehen në atdheun e tyre. Qeveria është mjaft e interesuar t’u krijojë kushtet e favorshme për të jetuar dhe kontribuar në zhvillimin e vendit. Bashkë me to, migrantët e kthyer natyrshëm sjellin me vete ndikimet e vendeve ku jetojnë dhe vihet re një stil jetese apo kulture që ata kanë hasur në vendet perëndimore. Kjo shikohet si një vlerë e shtuar për ne, në aspektin e njohjes sa më mirë të jetës, kulturës dhe traditës se qytetarëve Evropian, pjesë e së cilës në një të ardhme të afërt do të jenë edhe shtetasit shqiptarë.

Intervistoi: Deborah Erminio, Profesoreshë në Universitetin e Gjenovës në Itali

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›