E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia, rezervat e Berishës për Bamir Topin dhe Ina Ramën

Kryeministri Sali Berisha i bën apel Prokurorisë së Përgjithshme që të hapë të gjitha dosjet e zyrtarëve të korruptuar dhe të nxjerrë para ligjit abuzuesit e vërtetë. Gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, kreu i qeverisë në vijimësi të luftës antikorrupsion siguroi të vetët se askush nuk do të mund t’i shpëtojë përballjes me ligjin. Berisha u bëri thirrje të gjithë drejtuesve të institucioneve të varura dhe të pavarura në vend, që të shohin tërë procedurat brenda institucioneve të tyre në funksion të luftës kundër korrupsionit.

Duke u ndalur te problemi i pronësisë, kreu i qeverisë theksoi se "qeveria po përpiqet të vazhdojë me forcë reformën në këtë drejtim". Gjithashtu, Kryeministri kërkoi që të miratohet sa më shpejt ligji i transparencës së financimeve të partive politike, pasi sipas tij, "ky është një shërbim ndaj vendit në luftën kundër korrupsionit". Me tone të ashpra, Kryeministri foli për prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, teksa atakoi organin e Drejtësisë, duke sjellë si shembull atë të një gjykatësi nga Elbasani. “Në vend që të penalizohen, të ndëshkohen, ka heshtje çfarëdo të ndodhë. Liron vrasësin në sallën e gjyqit, vazhdon të jetë i pashqetësuar. Një gjykatës, Musta, pasi mori paratë dhe u largua në një vend tjetër, u kthye prapë si gjykatës. Ishte një lirim i paralajmëruar dy muaj para nga familjarët e viktimës. Ish-kryetari gjykatës së Elbasanit apo i Kavajës që i thoshte: “Më jep 11 mijë euro që të them 7 vjet, po më dhe 7 do të them 11”. Luftë kundër korrupsionit është kjo?”, - tha z. Berisha. Por kreu i qeverisë bëri të qartë se nuk do të pajtohet kurrë me këtë situatë. Në kushte të tilla, ai u bëri thirrje drejtuesve të institucioneve përkatëse ta konsiderojnë me seriozitetin më të madh këtë çështje. Berisha evidentoi se shqiptarët nuk shohin një gjykatës në 12 vjet të përballet me ligjin. Ndaj, ai vuri në dukje se “ne nuk pajtohemi dhe nuk do të pajtohemi me këtë, në një kohë kur ka afera nga më të mëdhatë të faktuara dhe të dokumentuara me dokumente, me kontrolle, me fakte të pakundërshtueshme”. “Asnjë prokuror të mos përballet me ligjin edhe kur falsifikojnë, shesin e gjobisin për dosjet. Mendojmë ne se në këtë mënyrë do të bëhemi të dobishëm? Do të ishim shumë më të dobishëm për vendin sikur krahas qeverisë të rreshtoheshin edhe institucionet e tjera. Të jeni të bindur se ditën që ato do të rreshtohen, Shqipëria do të ketë nivele shumë më të larta sesa këto”, - u shpreh Kryeministri.

Transparenca

Ndërkaq Kryeministri shprehu keqardhjen për disa institucione, të cilat i kanë mbyllur dyert supervizimit parlamentar. Sipas Berishës, absolutisht nuk do të pranohet një gjë e tillë. Ai pohoi se për sa kohë ky vend të jetë republikë parlamentare, ky institucion do të ushtrojë të gjitha kompetencat e supervizionit ndaj cilitdo institucion në këtë vend. Në gjykimin e Kryeministrit Berisha, kjo është transparenca. “Nuk e bën dot këtë Auditi i Kryeministrisë, sepse ai do t’i përkushtohet ekzekutivit, por Auditi i Shtetit dhe supervizioni i Parlamentit në çdo faturë të cilitdo dhe të kujtdo, sepse janë paratë e atyre që vuajnë për ujë, për rrugë, për ilaçe. Ndaj dhe uroj të vazhdojmë këtë betejë”, - deklaroi kreu i qeverisë. Në një situatë të tillë, Berisha sheh si të domosdoshëm një dialog shumë më intensiv me opozitën. Këto, sipas tij, duhet të jenë reforma bipartizane, të tilla ato mbeten të qëndrueshme dhe një trashëgimi e madhe për vendin. Nga ana tjetër, - shtoi Berisha, - u bëj thirrje të hapur dhe të sinqertë të gjithë drejtuesve të institucioneve të varura dhe të pavarura, që të shohin tërë procedurat brenda institucioneve të tyre në funksion të luftës kundër korrupsionit. “Kur shikon se është 333 ditë afati i lejes së ndërtimit, besoj se e keni të qartë se sa afër jemi me fjalët që themi”, - deklaroi z. Berisha, duke shigjetuar kryebashkiakun e Tiranës, Edi Rama.

“Nuk cenojmë institucionet e pavarura”

Kryeministri Sali Berisha siguron përfaqësuesit e institucioneve të pavarura, se nuk ka asnjë tendencë të qeverisë për të cenuar pavarësinë e tyre. Madje, Kryeministri kërkoi që "transparenca të jetë fondamentale në veprimtarinë e të gjitha institucioneve të këtij vendi". Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Kryeministri hodhi poshtë akuzat se ai po sulmon institucionet e pavarura. "Ne jemi të përcaktuar plotësisht për pavarësinë e institucioneve të pavarura, pasi asnjë gjë nuk ka më tepër rëndësi sesa pavarësia e institucioneve të pavarura. Por, nëse kjo pavarësi shkon në atë shkallë sa nuk lejon transparencën, kjo kthehet në një fatkeqësi", - u shpreh ai. Sipas tij, "pavarësia duhet të jetë për të zbatuar ligjin, por transparenca do të jetë absolutisht fondamentale në veprimtarinë e të gjitha institucioneve të këtij vendi”.

Berisha: Topi të ndihmojë reformën në drejtësi Kryeministri Sali Berisha shprehet kritik ndaj Kryeprokurores Ina Rama dhe para deputetëve të tij i ka bërë thirrje Presidentit Bamir Topi që të ndihmojë në reformën në drejtësi. Berisha nuk ka hezituar të shprehë rezerva ndaj punës së Kryeprokurores Ina Rama për sa i përket reformimit të këtij institucioni dhe luftës së dobët antikorrupsion. Në kushte të tilla, Berisha kërkon ndihmën institucionale të Presidentit Bamir Topi. Burime brenda mbledhjes së grupit të PD-së konfirmojnë fjalët e kreut të qeverisë, teksa është shprehur: “Unë e kam paraqitur Ina Ramën si femër të zonjën, ndaj i bëj thirrje Presidentit Topi, të ndihmojë reformën në drejtësi”. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha ka siguruar përfaqësuesit e institucioneve të pavarura se nuk ka asnjë tendencë të qeverisë për të cenuar pavarësinë e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›