PD kërkon votat e opozitës për imunitetin
Kryeministri Sali Berisha kërkon votat e opozitës dhe e fton atë të bashkohet në reformat e mëdha për heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, por dhe bashkëpunimin e opozitës për reformat në institucionet që përdorin pavarësinë për të fshehur korrupsionin. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Kryeministri Berisha vuri në dukje se "në luftën kundër korrupsionit duhet të ecet në mënyrë bipartizane, ndaj dhe mazhoranca do të bëjë çdo përpjekje për të bashkëpunuar me opozitën në këtë luftë dhe në këto reforma". Berisha shpjegoi se është detyra e kësaj shumice, e atyre që kanë mandatin kushtetues për të proceduar me reformat, të bëjnë ligje më të mira, reformat më të rëndësishme, duke pasur kriter bazë antikorrupsionin. "Normalisht kurrë nuk mund të ketë interesa të ndryshme. Është opozita ajo që duhet të jetë më e interesuar për këtë luftë dhe është ajo që denoncon dhe lufton, por është edhe detyrimi më madhor ligjor e moral i saj, që fjalët t'i shoqërojë me vepra", - tha Kryeministri Berisha.