E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohet koncepti i ri për zonën rreth Kalasë së Tiranës

Tiranë, 30 Shtator 21:09 NOA - Bashkia e Tiranës prezanton me mbështetjen e Komisionit Evropian, projekt-idenë konceptuale për rivlerësimin e zonës rreth Kalasë së Tiranës, në kuadër të projektit: “Zhvillimi i Qëndrueshëm dhe i Integruar i Trashëgimisë Kulturore dhe Historike të Qendrës së Tiranës”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama argumentoi para një publiku të interesuar, mes tyre arkitektë, studiues, urbanistë e qytetarë të kryeqytetit, arsyet që çuan Bashkinë e Tiranës, pas zbulimit të rrënojave të Kalasë së Tiranës në trupin e Unazës së Vogël, drejt një zgjidhjeje pedonale për rrugën “Murat Toptani”.

Kjo rrugë, pas një rivlerësimi të plotë arkitektonik dhe urbanistik do të ndërtohet në një mënyrë krejt të re. Zgjidhja e propozuar kërkoi njëkohësisht dhe një vlerësim serioz e profesional të trafikut në qendrën e Tiranës dhe rreth qendrës së Tiranës. Kësisoj, Unaza e Vogël e Tiranës ndërron gjurmë dhe do të shtrihet tek Ura e Re e rrugës “4 Dëshmorët”; do të kthehet te Parku i Namazgjasë; do të shkojë drejt rrugës së Barrikadave dhe pastaj do të kthehet aty për të lidhur pjesën e rrugës së Barrikadave me rrugën prapa Muzeut Historik.

“Jemi këtu për të bërë një prezantim të një pune disa mujore e cila u zhvillua për shkak të surprizës së të gjithë kryeqytetasve, me zbulimin e rrënojave në trupin e Unazës së Vogël, gjatë këtij segmenti ku gjendet Kalaja e Tiranës”, - tha Rama.

Ai evidentoi edhe se në momentin kur në kantierin e këtij segmenti të Unazës së Vogël u zbulua kjo rrënojë, ne u gjendëm përballë domosdoshmërisë për tu ndalur dhe për të bërë një vlerësim të mundësisë që projekti të ndryshonte dhe kuptohet, duke mos kompromentuar lëvizshmërinë në qendër të Tiranës.

“Të gjithë ata që janë drejtpërdrejt të përfshirë dhe të investuar intelektualisht dhe profesionalisht në çështjen e ruajtjes së vlerave kulturore dhe mbrojtjes së monumenteve të kulturës, ishin nxitja e menjëhershme për të ndalur punimet”, - shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

“Nga ana tjetër”, - shtoi Rama, - ishte detyrimi që ne të garantonim një zgjidhje për këtë zonë, duke qenë absolutisht të bindur që zgjidhja ideale për këtë kryeqytet dhe për të gjithë komunitetin kryeqytetas, por edhe për të gjithë ata që vijnë dhe do të vijnë në qytetin tonë, ishte që kjo rrugë të konceptohej si një rrugë me trafik të kufizuar, pra të dilte nga skema e Unazës së Vogël e të kthehej në një rrugë këmbësorësh.

Kjo zgjidhje ideale kërkonte një mbështetje të argumentuar, e cila mund të vinte vetëm duke bërë një vlerësim serioz profesional të trafikut në qendrën e Tiranës dhe rreth qendrës së Tiranës, bazuar në një analizë të lëvizshmërisë, të numrit të automjeteve që duhet të lëvizin rreth qendrës së Tiranës dhe përmes qendrës së Tiranës dhe jo vetëm kaq, por edhe të pritshmërisë për këtë numër automjetesh në vitet në vijim, pasi nëse do të merrej një vendim për këtë rrugë dhe për kthimin e saj në një rrugë këmbësorësh, kjo nuk kishte të bënte me momentin por me të ardhmen në 10, 20, 30 vjet të këtij qyteti.

“Filluam konsultat e para, - tregoi Rama, - dhe e gjykuam të arsyeshme që të ftonim në këtë proces një kompani të huaj me përvojë në çështjet e lëvizshmërisë së mjeteve dhe të njerëzve në qytet. Kjo kompani, mori prej nesh detyrën që të studionte të gjitha mundësitë dhe të sillte skenarët e mundshëm për ndalimin e trafikut në këtë zonë dhe kthimin e kësaj rruge në një rrugë këmbësorësh me vlera historike dhe kulturore, të vëna në pah para gjithë vizitorëve.

Kryebashkiaku pranoi se u desh një proces relativisht i gjatë dhe u bë një analizë e trafikut, e përditshme, disa mujore, duke studiuar jo vetëm lëvizshmërinë në qendër dhe rreth qendrës, por edhe në Unazën e qytetit dhe të gjitha pjesët lidhëse mes Unazës së Qytetit, qendrës dhe rrugëve që i përshkojnë ato.

“Pas kësaj analize, ne patëm mundësinë të shikonim skenarët e ofruar dhe kemi kënaqësinë e veçantë që të deklarojmë për publikun se zotërojmë skenarin që na jep mundësi ta mbyllim këtë rrugë për trafikun, ta kthejmë në një rrugë këmbësore dhe ta rindërtojmë në një mënyrë krejt të re”, përfundoi Rama.

Në lidhje me projektin, arkitekti Nikos Fintikakis, është ngarkuar për t’i dorëzuar qytetit një projekt që do të financohet nga BE.

Fintikakis ka paraqitur një ide për rivlerësimin e plotë arkitektonik dhe urbanistik të këtij segmenti që pastaj do të kthehet në një projekt zbatimi, i cili me financimin e BE-së do të na japë mundësinë të kemi këtu një segment tërësisht të ri, të modernizuar, që do të jetë dhe një pasqyrë e një të shkuare të çmuar, në qendër të Tiranës.

“Ju do të keni mundësinë të shikoni se si do të bëhet shmangia e trafikut nga kjo rrugë dhe se si Unaza e Vogël e Tiranës nuk do të jetë më e mbyllur në këtë segment por do të shtrihet tek Ura e Re e rrugës ”4 dëshmorët”, do të kthehet tek parku i Namazgjasë, do të shkojë drejt rrugës së Barrikadave dhe pastaj do të kthehet aty ku presin me padurim që qeveria të japë të shumëherë të premtuarin dhe të asnjëherë të ardhurin, fond të shpronësimit të domosdoshëm për të lidhur pjesën e rrugës së Barrikadave me rrugën prapa Muzeut Historik”, - u vu në dukje në takimin prezantues.

Në këtë mënyrë kemi përfundimisht një segment të ri këmbësorësh në Tiranë dhe një skenar të sigurtë zhvillimi të lëvizjes, jashtë këtij segmenti.

Pas zbulimit të një pjese të rrënojave të Kalasë së Tiranës (gjatë fazave të punimeve për ndërtimin e Unazës së Vogël), të konsideruara me vlerë të çmuar për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike, Bashkia e Tiranës i kushtoi një vëmendje të veçantë zonës rreth Kalasë së Qytetit.

Duke marrë parasysh zhvillimin dinamik të Tiranës, si nga pikëpamja urbane ashtu dhe nga pikëpamja e trafikut, u hartuan projekte konkrete të ndërhyrjeve në të gjithë këtë zonë të rëndësishme të historisë së qytetit.

Hapi i parë ishte Studimi i Bashkisë së Tiranës për të kthyer rrugën “Murat Toptani”, (rruga që kalon në krah të Kalasë), në zonë këmbësore si dhe rishikimi i të gjithë konceptit të lëvizjes për Unazën e Vogël dhe rrjedhimisht i të gjithë zonës së Qendrës. Në këtë kontekst, projektet që janë duke u zhvilluar në vazhdimësi, do i japin kësaj zone vlerën e duhur nga pikëpamja urbane.

Hapi i dytë konsistoi në mbështetjen e programit të financimit nga BE që mundësoi kontraktimin e ekspertëve ndërkombëtarë. Këta të fundit do të marrin përsipër zhvillimin e projektit të zbatimit si dhe investimet për projektin e ”Rivitalizimit dhe Vlerësimit të Vlerave të Trashëgimisë Kulturore” për të gjithë Zonën rreth Kalasë.

a.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›