Enis Fetahu firmos edhe për një vit me Prishtinën

Fatmir Bytyci (Prishtinë)- Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Enis Fetahu, është një tjetër lojtari i Prishtinës që ka vazhduar kontratën me skuadrën kampione. Fetahu që në Kosovën e pas luftës vlerësohet të jetë njëri ndër futbollistët më të mirë në Kosovë, është shprehur i pakënaqur me futbollin që zhvillohet në Kosovë. Fetahu ka thënë se nuk po lëviz asgjë pozitive në futbollin tonë. Sipas Fetahut, futbolli në Kosovë luhet vec sa për të thënë po zhvillojmë kampionat.
"E kam vazhduar kontratën edhe për një vjet me Prishtinën. Kam arritur marrëveshje vetëm me trajnerin Afrim Tovërlanin dhe drejtorin e klubit, Arbnor Morinën. Prishtina ka kushte më të mira se skuadrat e tjera, prandaj e kam zgjedhur", ka thënë Fetahu.
"Profesioni im është futbolli, dhe patjetër se duhet luajtur. Mirëpo futbolli ynë është shumë larg atij evropian. Asgjë s'ka lëvizur pozitivisht në futbollin tonë. Ka shumë fjalë e pak punë".
Fetahu është pesimist edhe për garat e edicionit të ri që do të nisin në fund të muajit gusht.
"Duhet ndryshuar shumë gjera në futbollin tonë. Më keqardhje e them këtë, por vërtet në futbolli tonë nuk po funksionojnë gjerat ashtu si duhet. Nuk pres dicka të mirë as në kampionatin e ri të garave", ka thënë Fetahu.
Fetahu kohë më parë ishte në shënjestër të disa klubeve të huaja, megjithatë ai edhe një vjet do t'i mbrojë ngjyrat e skuadrës kampione, Prishtina.
"E di së është folur për interesimin e disa skuadrave të huaja, mirëpo me këtë cështje është marrë klubi im. Pak ditë më parë kam ardhur nga pushimi dhe nuk e di se si kanë rrjedhur gjërat. Megjithatë, edhe një vjet do të jem pjesë e Prishtinës", ka theksuar sulmuesi i Prishtinës, Enis Fetahu.