Notari Slishkoviç, një futbollist pa dashje

Bledar KUKA- Sot ai është 49-vjecar ndonëse të jep përshtypjen për më shumë, të paktën kur e shikon për herë të parë. Që nga ditët e fëmijërisë në pishinë dhe fushën e basketbollit, atje në Mostarin e qetë të viteve 70-të, provoi stadiumet e futbollit në Bosnjë-Hercegovinë dhe Splitin e bukur buzë Adriatikut për të synuar një karrierë të ndritur në Francë a Itali, ëndërr të cilën nuk arriti ta sendërtonte. (Një parantezë: Më 2 mars 1993 "Korriere dela Sera" lajmëronte se "Peskara përjashtoi nga skuadra përkohësisht Bllazh Slishkovicin (ne foto, djathtas), sepse të shtunën u largua pa leje nga grumbullimi" ...).
I ndjeshëm deri në përlotje për atë të kaluar paqësore, sportive dhe të bukur dhe vitrinën më të pasur të ish-kampit socialist, ndonëse ish-Jugosllavia e Titos nuk ishte brenda atij gardhi. "Eh, ajo kohë", - thotë si me një ofshamë, kur i kujtoj golat që i shënonte nga goditja e këndit ndaj portierit të përfaqësueses, Ivkovicit.
Tash, pas 25 vjetësh rri i ulur në bodrumin e vilës "Goldi", ku energjia elektrike sikur luan kukafshehthi me klientët e bar-kafesë, duke ikur e ardhur shpeshtazi. Është trajner i Tiranës, për të cilën nuk dëshiron të thotë asnjë fjalë, sipas një marrëveshjeje gojore me presidentin Refik Halili dhe tek e cila fitoi kontratën e jetës së tij, mu atëherë kur nuk ia priste mendja.
Si ka qenë jeta e një adoleshenti dhe të riu në Jugosllavinë e atëhershme? "E mirë, - thotë Bllazh Slishkovic, pas asnjë fije dyshimi, - shumë më e mirë sesa është ajo sot në Bosnjë-Hercegovinë". Mostari është bërë një qytet gjysmë-fantazmë, ndonëse gjysma e tij kroate është disi më mirë se pjesa myslimane. Baka nuk dëshiron të flasë keq për qytetin e tij të lindjes, por qesh pranueshëm dhe habitet kur i përmendim gjendjen e jashtëzakonshme vendosur atje ditën e ndeshjes Kroaci-Turqi në Euro 2008. Myslimanët e festuan fitoren turke, kroatët u mërzitën për ekipin e Bilicit.
"Njerëzit tanë janë pa punë", - thotë ai, dhe si ndonjë burrë plak (që nuk është) shton: "Rinia e sotme duke si krejt e prishur, nuk është fare në vete, e egër, ekstremiste". Natyrisht, kur je pa punë ... Bosnja kaloi përmes luftës, ndonëse Slishkovici atë kohë e kaloi si futbollist profesionist në Francë e Itali dhe, më pas, në Zagreb.
"A e ndjen veten më shumë boshnjak apo kroat?" e pyesim dhe ai ngre sytë i bërë serioz: "Termi Bosnjë nuk ekziston, - nis të flasë, - shteti quhet Bosnjë-Hercegovinë". Kuptohet mërzia e kroatit sepse kroatët e kësaj republike jetojnë më shumë në Hercegovinë dhe madje e quajnë vendin Herceg-Bosnja, jo anasjelltas.
"Shikoni, - e merr ai edhe më seriozisht, - unë kam miq myslimanë dhe serbë, jo vetëm kroatë, por duhet të jemi të baraspeshuar. Nuk e harroj trajnerin e Bosnjë-Hercegovinës, Enver Maric. Ai ishte mysliman, por kur pa në autobusin e ekipit përfaqësues të shkruar vetëm "Bosnja", "B-O-S-NJ-A", refuzoi të hipte derisa të shkruhej edhe fjala Hercegovinë. E pra, ishte mysliman, por veproi ashtu sic duhet. Derisa u bëra unë trajner i përfaqësueses, vetëm dy lojtarë kroatë thirreshin në ekip, të tjerët të gjithë myslimanë".
Ai e di se tek Tirana e pret një punë shumë e madhe, ndonëse nuk pëlqen të flasë për të mos i dalë fjale Halilit. "Nuk bëj komente", - është dera e mbyllur sa herë e pyet për bardheblutë. Vetëm kur i përmend vështirësitë që po kalon klubi vitet e fundit, pranon: "Është cështje organizimi". Gjithashtu, tund kokën duke qenë dakord kur i thua se "Tirana në Europë nuk është një fuqi, por në Shqipëri është një ekip i madh dhe si e tillë duhet trajtuar nga cdo trajner, nuk mund të kënaqet me barazim".
Këtë bisedë ai nuk e ka shumë me qejf, ndaj mirë është të kthehemi në vitet 70-80-të. Bllazh Slishkovici nuk kishte dëgjuar për futbollin thuajse asgjë deri në vitin 1973, kur mbushi 14 vjec. "Kam pasur qejf notin, madje kam qenë kampion i Jugosllavisë, - thotë ai befasueshëm, - si shumë të tjerë në atë vend, pëlqeja edhe basketbollin, por futbollin jo". Ishin prindërit që e nxitën t'i hynte këtij sporti dhe mori pjesë në një konkurs për të shkuar në turneun kombëtar të fëmijëve. "Mora vesh se kisha fituar të drejtën për të shkuar në turne, por aty pranë meje pashë një moshatarin tim që qante, - thotë Baka, - pyeta rreth e rrotull se përse po qante ai dhe më thanë se ishte djegur dhe vendin e tij në turne e kisha zënë unë. Atëherë i thashë babait se nuk do të shkoja në turne, por le të shkonte ai tjetri".
Sidoqoftë, fati e kishte shenjuar dhe futbolli do të bëhej sporti i tij i jetës. "Mora pjesë në disa turne të moshës sime dhe thuajse kudo dola lojtari më i mirë", - pohon Slishkovici. Në mes të viteve 70-të Velezhi i Mostarit e mori tek të rinjtë e tij dhe në moshën 16-17 vjec debutoi në ekipin e parë, më 1976. "Interesant, - thotë duke tundur kokën, - edhe për të rinj, edhe për të rritur, debutimin e pata me sllovenët e Olimpijas së Ljubljanës". Pas 123 ndeshjeve dhe 25 golave me Velezhin, udhëtoi drejt Splitit për të veshur fanellën e bardhe (bilo) të Hajdukut. Ishte viti 1981 dhe ai do të luante në krah të Zllatko e Zoran Vujovicit, dy prej yjeve të ish-Jugosllavisë, të cilëve u jepte topat "si në tavë".
Natyrisht, Bllazh nuk ishte vetëm njeri që hante "bukë e futboll", madje ishte disi indiferent. Vetëm 3 gola shënoi për Jugosllavinë, "gola të vegjël" i përkufizon ai, pak si me keqardhje që nuk e shfrytëzoi sa duhet talentin e tij tepër të madh. Ishte edhe jeta për t'u shijuar. "Më pëlqente muzika perëndimore kur isha i ri, jo popullore, - zbulon trajneri i sotëm bardheblu, - nga këngëtarët e vendit tonë ishte Zdravko Colic, apo edhe Goran Bregovici i Bijello Dugmes, por më pëlqenin edhe grupet e Beogradit si Riblja Corba apo Bajaga. Misho Kovac, që ishte kroat, Alen Islamovici boshnjak ...".
Kroati nga Bosnja pëlqen të udhëtojë dhe futbolli ia ka mundësuar një gjë të tillë. Tani ndodhet në Ohër, ndonëse do t'i pëlqente më shumë në Mavrovë. "Më pëlqen më shumë mali sesa deti, - sikur justifikohet, - është më qetë, më fresk. Më përshtatet më shumë". Një shqiptar që di kroatisht, hyn në lokal dhe e ngacmon, "hej, Baka, a ka cura, goca ...". Tjetri qesh dhe përgjigjet, "jo, jo, goca nuk ka". Tani ai është vetëm trajner i Tiranës.
Luka Modricin e kam pasur lojtar
Kur e pyesim si i duhet emri i ditës i futbollit kroat, Luka Modric, Baka qesh dhe thotë: "A e dini që e kam pasur lojtar tek Zrinjski?". "Luka ka pasur trup të vogël dhe nuk e merrnin seriozisht, - thotë "Slishko", - dhe Dinamo e Zagrebit e dha borxh tek ne, në Zrinjski". "Luka ka qenë një muhaxhir, i arratisur nga shtëpia sepse pati luftë dhe gjyshi u vra në luftë me serbët", - sqaron Slishkovici.
Italia, vendi i duhur për adrenalinën
"Kam provuar Serinë A dhe Francën, dy mentalitete krejt të ndryshëm në futboll". Në Marsejë, Lens, Mylhauz, Rene ishte thuajse një qytetar i zakonshëm (më pak në Marsejë), ndërsa në Itali nuk mund të fshihej askund. "Ishte e pamundur të fusja dorën në xhep në Peskarë, - kujton ai duke u habitur edhe sot, - në cdo dyqan, kafene, restorant, pronari më ndalonte të paguaja duke më thënë se ai ishte tifoz i Peskarës dhe kënaqësia ishte krejtësisht e tija. Imagjinoni, nuk kam shpenzuar asnjë liretë në Peskarë". "Për tensionin, adrenalinën e futbollit, Italia është vendi më i mirë në botë, - përfundon ai, - ndonëse unë nuk jam tip që më pëlqen popullariteti".
"Bilic gaboi ndaj turqve duke mos rrezikuar"
Për bardheblutë ai thotë se do të jetë një trajner shumë elastik. "A e dini se cili ka qenë gabimi i Sllaven Bilicit në kampionatin evropian, - thotë ai pa droje për numrin 1 të Kroacisë, - sepse i luajti ndeshjet njëlloj. Ndaj Austrisë, Kroacia ishte keq. Gjermaninë e priti dhe e mundi, ndaj Polonisë luajti me ekipin e dytë. Gabimi ishte se ndaj Turqisë gjithashtu priti, ndonëse kishte ekip mjaft më të mirë se Terimi, pa mbajtur parasysh faktin që turqit patën një ditë më pak pushim se kroatët, pra në një ndeshje me ritëm të lartë do të lodheshin më shpejt". "Bilic është një trajner mjaft i mirë, por nuk i pëlqen të rrezikojë, - përfundon Baka, - unë jam krejt ndryshe, rrezikoj, madje edhe ndryshoj taktikën. Nuk ke gjithnjë të njëjtin kundërshtar përballë".
20 korrik 2008