Zyrtare, Andi Lila firmos me Tiranën

Edhe pse u fol për një prishje të marrëveshjes midis futbollistit Andi Lila dhe presidentit të Tiranës, Refik Halili, përfundimisht ish-mbrojtësi i Besës hodhi të zezën (firmën) mbi të bardhë (kontratën), duke u bërë kështu blerja më e re e 23-herë kampioneve.
Lajmi u dha për Albania-sport.com nga menaxheri i lojtarit, agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia. "Lila firmosi sot mbasdite kontratën, duke qenë përfundimisht lojtar i Tiranës. Lila mbeti i kënaqur me ofertën financiare dhe vendosi të jetë pjesë e Tiranës", - tha Haxhia, që ka kryer brenda kësaj merkato vere transferimin e gjashtë lojtarëve.
Kështu, pas gjashtë sezonesh te Besa (101 ndeshje, 1 gol, nga debutimi i tij, me 14 dhjetor 2002) e një gjysmësezoni te Iraklis i Selanikut (3 ndeshje, janar 2007-qershor 2007), kavajasi 22-vjecar do të mbrojë ngjyrat bardheblu.
Andi Lila është futbollist i Kombëtares shqiptare dhe deri tani ka luajtur 2 ndeshje ndërkombëtare, kundër Rumanisë (zyrtare) nën urdhrat e Oto Baricit për eliminatoret e Euro 2008 dhe në miqësoren kundër Polonisë, në drejtimin e trajnerit aktual të përfaqësueses shqiptare, holandezit Ari Han.
Sfidat e ardhshme të Kombëtares janë ato kundër Lihtenshtejnit (miqësore, 20 gusht) dhe ajo kundër Suedisë (zyrtare, 5 shtator) e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror "Afrika e Jugut 2010".
Ndeshja e fundit e Andi Lilës me Besën ishte ajo kundër Grasshoperesit në humbjen 3-0 në ndeshjen e kthimit të turit të dytë të Kupës Intertoto.