E Diel, 1 Nëntor 2026

Enkelejd Alibeaj: Vendimi i Kolegjit, KQZ do vlerësojë votat e kontestuara dhe ato të “pavlefshme”

18-06-2011 / Gazeta 55

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do të vlerësojë fletët e hedhura në kutitë për qendrat e votimit të mbetura pa u vlerësuar për Tiranën. Sipas vendimit, vlerësimi do të bëhet si për fletët e kontestuara edhe për ato të pavlefshme, për të vlerësuar në se realisht janë të pavlefshme apo mund të jenë cilësuar si të tilla pasi janë gjendur në kutinë e gabuar. Më pas, KQZ do të bëjë edhe ndryshim në tabelën e rezultateve, në se ka. Ky është veprim aritmetikor dhe kontesti i vetëm që mund të bëhet është që në se shuma aritmetikore, nuk është bërë në rregull. Vetëm kështu mund të ankimohet çështja”- u shpreh Alibeaj. Sipas tij, KQZ aktualisht do të merret me vlerësimin e kutive në 368 Qendrat e Votimit, pasi për 117 qendra, ajo është shprehur pasi i ka vlerësuar ato. “Komisioni do të identifikojë dhe ato fletë që janë cilësuar të pavlefshme, por që janë hedhur nga KZAZ përkatëse sepse janë gjendur në kutinë e gabuar. Këto do të shqyrtohen dhe do të vlerësohen dhe në se janë të vlefshme do të përfshihen në rezultat”- vijoi Alibeaj.
Sipas tij, me një vendim të tillë, të marrë nga Kolegji Zgjedhor, pritet që të bëhet edhe rakordim më i mirë i shifrave, që kanë mospërputhje, për shkak të ngatërrimit të kutisë së votimit dhe pretendimet e ngritura nga opozita se bëhet fjalë për manipulime. “Në këtë mënyrë pra, Kolegji Zgjedhor, jep edhe mundësi që KQZ, të bëjë rakordimin e mospërputhjeve të shifrave.
Alibeaj u shpreh gjithashtu, se një procedurë e tillë në KQZ, miratohet me një shumicë të thjeshtë votash, pa pasur nevojën e një shumicë të cilësuar në institucionin zgjedhor, prej 5 votash. Kolegji Zgjedhor, zbardhi vetëm dy ditë më parë, brenda afateve ligjore, vendimin e marrë në lidhje me kërkesën e selisë rozë për fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar. Ky organ gjyqësor, jo vetëm që e cilësoi si të drejtë vendimin e KQZ-së për këtë fenomen të ndodhur në 8 maj, por edhe kërkoi hapjen e kutive të tjera të mbetura për Tiranën në mënyrë që dhe në to të vlerësohet në se ka apo jo fletë të hedhura gabim.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›