E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: Kolegji legjitimoi vendimin e KQZ-së, mazhoranca do presë rezultatin final

18-06-2011 / Gazeta 55

Kreu i LSI i cilëson si ëndrra pretendimet për ndryshimin e kursit politik të PS-së, prandaj edhe i përcakton muajt e ardhshëm si kohë kur do kristalizohet përgjegjësia e Edi Ramës në përçarjen e së majtës dhe në identifikimin e saj me një formacion humbës


Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në një intervistë për “ABC News”, deklaroi se mazhoranca do të pranojë çdo rezultat që do të dalë nga numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara. Meta vlerësoi vendimin e Kolegjit Zgjedhor që shpalli këto fletë si të vlefshme ndërsa deklaroi se roli i Komisionit të Venecias është i mirëpritur. “Natyrisht që ne do të kishim dashur që kjo garë të kishte përfunduar dhe natyrisht që ky ishte një opsion i pritshëm por fakti që Kolegji ka marrë këtë vendim, pavarësisht nga koha që përsëri merret për përcaktimin e fituesit, mendoj që duhet respektuar. Në fund të fundit Kolegji me këtë vendim ka vendosur një standard vërtet të paparë të transparencës në Shqipëri i cili natyrisht nuk është shumë i mirëpritur në drejtim të kohës dhe të zgjatjes përtej gjithë parashikimeve por në fund të fundit është i imponuar. Pra kjo transparence maksimale, e pa ndodhur më parë është e imponuar nga rezultati i paparashikuar, tepër i ngushtë gjë që do të thotë se në kutitë e tjera ndoshta mund të ketë vota të tjera, të quajtura të gabuara, të cilat do të duhet të vlerësohen përsëri. Ne, pavarësisht nga dëshira që kemi do të respektojmë çdo rezultat përfundimtar që do të dalë nga i gjithë ky proces i jashtëzakonshëm dhe transparent”- u shpreh Meta. Sipas tij, Partia Socialiste dhe kryetari i saj Edi Rama kanë zgjedhur të sulmojnë institucionet ligjore, duke vërsulur të gjithë arsenalin e përbaltjeve ndaj Kolegjit Zgjedhor dhe KQZ-së. Meta tha se, roli i Komisionit të Venecias është i mirëpritur, por para së gjithash, vlerësimi i KQZ-së për fletët e kontestuara ishte një vendim i drejtë. “Nuk ka institucion në botë që mund të interferojë në një proces gjykimi nga ana e gjykatave shqiptare. Për shkak të Kushtetutës së republikës së Shqipërisë e cila për fat të mirë është bërë me ekspertizën e Komisionit të Venecias. Roli i këtij komisioni i cili natyrisht është i mirëpritur edhe për reformën zgjedhore, do të ishte shumë i dobishëm në momentin që do të kishte një reformë zgjedhore për të saktësuar shumë çështje të cilat kanë qenë të paqarta por që nuk mund të thuhet që janë të paligjshme si në rastin konkret. Në këtë drejtim natyrisht Komisioni i Venecias mendoj që është shumë i mirëpritur sikurse dhe roli i OSBE-ODIHR-it”- tha ai. Kreu i LSI-së tha gjithashtu se “partia e tij është një forcë e qëndrueshme në rritje dhe gjithmonë në të mirë të vendit”, duke theksuar se koalicioni qeverisës është fitues dhe se e rëndësishme sipas tij është që, “qeverisja të ketë sukses”. Duke folur për opozitën, zoti Meta tha se “konflikti politik vjen nga lidershipi i PS-së”. “Partia Socialiste të marrë përgjegjësitë e saj. Kjo parti s’ka dhënë asnjë kontribut pozitiv dhe i duhet kohë që të reflektojë” - deklaroi më tej kreu i LSI-së, Ilir Meta.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›