KQZ miraton sot aktin për numërimin e votave të kontestuara në 368 kuti votimi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për sot në orën 10 mbledhjen për miratimin e aktit, i cili do t’i hapë rrugë rinumërimit dhe rivlerësimit të votave të kontestuara në kutitë e pahapura në 368 Qendrat e Votimit. Kërkesa për shtyrjen e miratimit të aktit gjatë mbledhjes së djeshme të KQZ-së, është kërkuar nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Genc Gjonçaj i cili kërkoi kohë në dispozicion për njohjen me materialet e nevojshme të dërguara nga Kolegji, kjo edhe për shkak të vonesës në marrjen e vendimit të zbardhur të Kolegjit. Ndërkohë kjo kërkesë është kundërshtuar nga ana e përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Njazi Kosovrasti, kërkesa e PS-së, është tendencioze dhe kërkon të humbë kohë. “Për mua vendimi i Kolegjit është i qartë. Po ta kalojmë për nesër humbasim kohë. Ta mbyllim sonte dhe nesër të nisim punën do ishte mirë. Edhe unë tani e mora materialin dhe gjërat janë të qarta”- deklaroi përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Njazi Kosovrasti. Nga ana tjetër përfaqësuesi ligjor i LSI, Ylli Manjani deklaroi se nuk është e nevojshme që të shtyhet seanca e sotme dhe pa u informuar mbi vendimin dhe nesë ka paqartësi atëherë seanca mund të shtyhej. “Tani e mora aktin. Ky është një akt përmbajtja e të cilit dihet. Unë nuk kam kundërshtim për shtyrjen, por të paktën të fillojmë të marrim një informacion nga administrata që të shohim çfarë propozohet dhe nëse gjatë propozimit del se ka nevojë për kohë mund ta diskutojmë rast pas rasti pasi ky është akt i thjesht zbatim i vendimit të Kolegjit Zgjedhor”- nënvizoi Manjani. Nga ana tjetër Genci Gjonçaj tha se ky është një proces që kërkon kohë pasi materiali sapo është marrë në dorë. “Unë nuk mendoj që është një proces që fillon tani dhe përfundon brenda një dite. Është proces që minimalisht do kohë dhe nuk mundoj që kërkesa ime të mos pranohet për shkak se materiali sapo u vu në dispozicion në KQZ. Po kërkoj kohën ligjore për tu menduar që të paraqesim objeksionet tona dhe nuk besoj se ky është momenti për të gjykuar materialet”- theksoi Gjonçaj. Me miratimin e projekt/aktit, KQZ do të nisë menjëherë nga puna për numërimin e kutive, ashtu siç urdhëroi Kolegji Zgjedhor. Projekt akti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të parashikojë hapjen e katër kutive që ndodhen në 368 qendrat e votimit, ku përfshihen kutia për kryetarin e bashkisë, për këshillin bashkiak, për kryetarin e minibashkisë dhe për këshillin e minibashkisë.
...