E Diel, 1 Nëntor 2026

Strasburgu: Interpretimi i Venecias do shërbejë për zgjedhjet e ardhshme

18-06-2011 / Gazeta 55

Sekretari i Këshillit të Evropës, Jagland, bën thirrje që partitë në Tiranë të respektojnë vendimet e Kolegjit Zgjedhor dhe të lehtësojnë tranzicionin nëpër institucionet e pushtetit vendor, ndërkohë që interpretimi do t’i kërkohet Komisionit të Venecias për funksionimin e sistemit në raundet e ardhshme zgjedhore


Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës ndryshon qëndrim lidhur me realitetin politik në Shqipëri në kontekstin e garës për Bashkinë e Tiranës, ndërsa kërkon respektimin e vendimit të Kolegjit Zgjedhor. Më datë 10 qershor, ende pa u mësuar vendimi i Kolegjit Zgjedhor për numërimin e të gjitha votave të hedhura në kutitë jo-respektive, Thorbjorn Jagland e konsideroi situatën në Shqipëri si tejet shqetësuese, ndërsa shkruante në letrën drejtuar kryeministrit se institucionet demokratike të vendit tonë, qeverisja e mirë dhe zhvillimin ekonomik janë seriozisht të kërcënuara për shkak të mosmarrëveshjeve për rezultatin e Tiranës.


“Shumë kishin shpresuar se këto zgjedhje do të vendosnin një standard të ri kur bëhet fjalë për qëndrimin ndaj vetë votës, si edhe lidhur me qëndrimin dhe përgjegjësitë e forcave politike dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Këto shpresa u riforcuan nga votimi i qetë dhe i rregullt gjatë ditës së votimit. Por është për të ardhur keq, se për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Shqipëria tani po ballafaqohet me një situatë, e cila i ka përkeqësuar ndasitë politike dhe mund të kërcënojë përpjekjet për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, qeverisjes së mirë dhe progresit të mëtejshëm ekonomik. Si një mik i Shqipërisë, unë jam i shqetësuar”- shkruante ai.


Ndërsa në letrën e dytë që mban datën 16 qershor, kur edhe kolegji zgjedhor zbardhi arsyetimin e vendimit të tij, Jagland shfaqet vetëm me një apel të fortë ndaj forcave politike: detyrimin e palëve të përfshira në proces për respektimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, në mënyrë të veçantë atë për Kolegjin Zgjedhor te Apelit.


Në letrën drejtuar përfaqësueses se përhershme të Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Margarita Gega, Jagland shkruan: “Dëshiroj t’i referohem bisedës time të djeshme me ministrin Haxhinasto dhe të ri-përsëris mesazhet kryesore të Letrës time të datës 10 Qershor për Kryeministrin Berisha dhe konkretisht thirrjes për dialog politik, mbi bazën e respektimit të shtetit të së drejtës dhe parimeve demokratike. Sigurisht që referimi ndaj shtetit të së drejtës nënkupton detyrimin e të gjitha palëve të interesuara për të respektuar vendimet e institucioneve të drejtësisë shqiptare dhe në mënyrë të veçantë të Kolegjit Zgjedhor për procedurat e apelimit në vijim”- vijon ai.


Krahasuar me letrën e mëparshme, drejtuar kryeministrit Berisha zoti Jagland, duket se e sheh jo më aq të zymtë situatën në Shqipëri për shkak të dëshmimit të funksionimit të sistemit zgjedhor deri në shkallën e tij përfundimtare Kolegji Zgjedhor i Apelit.


Më parë, sekretari i përgjithshëm i KiE-së i konsideroi mosmarrëveshjet për garën e Tiranës si kërcënim për funksionin e institucioneve demokratike, qeverisjen e mirë deri tek progresi ekonomik i mëtejshëm ekonomik.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›