E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eno Milkani: Përmbusha amanetin e Teodor Kekos

Eno Milkani kishte vite që mendonte të realizonte një film bazuar në një prej tregimeve të Teodor Kekos, madje ia kishte thënë edhe atij vetë që në gjallje... Shkrimtari kishte aprovuar menjëherë: "Bëj ç‘të duash", i pat thënë ai. Dhe Eno shkroi skenarin e tij mbi tregimin "Gjenovefa"... por për arsye të ndryshme e shtyu realizimin e filmit. Dori ndërroi jetë në vitin 2002. Askush nuk e priste, askujt nuk ia mori mendja. Më vonë, në një intervistë për filmin "Edeni i braktisur", Eno deklaroi se në filmat e tij i pëlqen të trajtojë personazhet e Teodor Kekos. Qëllon që Xhuli, bashkëshortja e tij, e lexon dhe sa herë që e takonte, i kërkonte ta çonte deri në fund këtë dëshirë. Kështu lindi "Shenjtorja", filmi me metrazh të shkurtër, i cili u shfaq premierë dy ditë më parë në kinema "Millenium" në Tiranë. Për Enon, filmi që zgjat 35 minuta, është një lloj amaneti që më në fund e plotësoi...

Eno, si është historia e filmit "Shenjtorja", si lindi ai dhe kur u realizua?

Në vitin 2001, isha duke lexuar librin me tregime të Teodor Kekos, "Dymbëdhjetë shenjtorë, një profet dhe disa njerëz". Më pëlqeu tregimi "Gjenovefa" dhe shkrova rreth katër faqe skenar bazuar mbi tregimin. Një ditë takoj Dorin rastësisht dhe i them se tregimin "Gjenovefa" doja ta bëja film. "Bëj çfarë të duash", më tha ai. Por sa ishte gjallë, nuk arrita ta realizoja filmin. Në vitin 2002 ai vdiq. E dija që ishte sëmurë, që kishte një shqetësim, por nuk i shkonte në mendje njeriut që ai do të vdiste. Po atë vit, dhashë një intervistë ku theksoja se personazhet që më pëlqen të trajtoj në film janë ata të Teodor Kekos. Qëlloi që atë intervistë e lexoi Xhuli, bashkëshortja e Dorit, dhe sa herë që më shihte, më kujtonte që kisha diçka për të bërë. Ishte një amanet në njëfarë mënyre, të cilin unë nuk po e merrja guximin ta nisja. Me "Maku production", filmi nisi xhirimet vitin e kaluar. Projekti u aprovua nga Qendra Kombëtare Kinematografike.

Sa është ruajtur nga tregimi i Teodor Kekos dhe sa keni shtuar ju në film?

Pjesa më e madhe, rreth 70 për qind e filmit, është nga tregimi i Dorit. Pjesa tjetër është e imja. Ato janë më shumë zbukurime në strukturën filmike, në zhvillim, në mbyllje.

Si është të ktheni në film tregimet e Kekos?

Unë kam tentuar të ruaj natyrën e Dorit. Por t‘i kthesh tregimet e tij në film, është shumë e thjeshtë dhe e vështirë në të njëjtën kohë. Është e lehtë sepse ngjarjet, personazhet që ai trajton janë shumë reale. Kur i lexon tregimet e tij, imazhet të kalojnë para syve. Vështirësia qëndron t‘i konvertosh ato në film, sepse filmi, përveç figurës, nuk ka fjalë përshkruese, kështu që kjo duhet të dalë përmes gjesteve të aktorit, batutave etj. Por në të njëjtën kohë filmi modern sot kërkon që batutat të jenë më të reduktuara dhe të duhet të flasësh më shumë me figurë.

Si ndiheni tani që filmi u shfaq edhe në kinema?

Ndihem i qetë, më i qetë se kur mbaruam xhirimet e montazhin, sepse filmi u shfaq dhe reagimet qenë pozitive. Kuptova se gjërat sa më të thjeshta të jenë, sa më pak të komplikuara, aq më shumë pranohen nga njerëzit. Reagimet në sallë ishin pozitive. Dikush më mori në telefon dhe më tha se filmi kishte brenda ironinë, ishte realist, kishte dramën, humorin. Dikush më pyeti pse e ndërrova titullin nga "Gjenovefa" në "Shenjtorja", por unë mendoj se po ta kisha lënë si në origjinal, ai do t‘i drejtohej një grupi njerëzish të caktuar. "Shenjtorja" nuk ka lidhje shumë me fenë. Ajo flet më shumë për të shenjtën që çdonjëri prej nesh ka brenda vetes dhe në momentin që e nxjerr në pah, do të na bënte ne më të mirë, do të kishte më pak drama në jetë, e ndoshta edhe vetë sistemi komunist nuk do të kishte triumfuar nëse ne do të kishim qenë pak më të mirë. Në të vërtetë, kërkova edhe për ndonjë titull tjetër, por grupi u familjarizua me "Shenjtoren" dhe kështu mbeti.

Si i përzgjodhët aktorët, të cilët interpretuan Gonin dhe Gjenovefën?

Përdora një mënyrë shumë demokratike. Pa dashur të influencoj pretendentët, unë mora dy studentët e mi dhe i angazhova në kinoprova. E bëra këtë sepse nuk doja të kisha një kontakt të drejtpërdrejtë me ta. Në fund u përballa me materialin e xhiruar, sepse nuk doja të influencohesha nga kontakti real. Amos Zaharian, i cili interpretoi Gonin, e kisha student, i jepja një orë në javë mësim. E kisha parë në dy-tre etyde pa fjalë dhe as që e dija se si e kishte zërin. Ishte vetëm kinoprova që më mbushi mendjen. Me Jonida Vokshin, e cila interpretoi Gjinovefën, ndodhi e njëjta gjë.

A ishte e vështirë të ktheheshit pas në kohë për ju dhe aktorët?

Po është e vështirë, por ne ia dolëm. Edhe kur nuk gjenim sendet e duhura, secili përpiqej që t‘i gjente. Mendoj se vështirësitë për kthimet pas në kohë janë njësoj si për një film të shkurtër, ashtu edhe për një film me metrazh të gjatë. Kujdesi dhe mundi është i njëjtë, sepse nuk mund të nxjerrësh diçka që të tradhtojë elementin kohor. Sa i përket aktorëve, Amosi thotë që e pati më të lehtë, sepse edhe vetë si natyrë është rebel. Ndërsa me Jonidën pasi punova pak, ajo e kuptoi shumë shpejt personazhin. Mendoj që ia kanë arritur qëllimit dhe ajo që vunë re të gjithë është natyrshmëria me të cilën ata interpretojnë, siç janë edhe personazhet e Kekos, të cilët flasin pa doreza.

Eno, çfarë filmash ju pëlqen të realizoni më shumë?

Do të kisha shumë qejf të punoja me filmin e shkurtër, sepse ai të vë para më shumë përgjegjësive. Brenda vetëm 30 minutave, ti duhet të shprehësh gjithçka, ndërsa në filmin e gjatë ke më shumë kohë në dispozicion. Por natyra e filmave që më pëlqen i përket frymës neorealiste, pra të ketë personazhe realë, por në të njëjtën kohë duke mos lënë pas dore edhe realizmin magjik. Dua që në ato pak minuta që publiku të ulet në sallë, të magjepset pas asaj që shikon.

Pas kësaj premiere të "Shenjtores", çfarë do të ndodhë me filmin dhe cilat janë projektet tuaja të ardhshme?

Ai do të marrë rrugën e festivaleve dhe do të jetë pasaporta më e mirë për Amosin dhe Jonidën. Filmi merr pjesë në "Tirana International Film Festival" në kompeticionin ndërkombëtar. Sa i përket projekteve të ardhshme, producenti Artan Maku më ka kërkuar të bëj një projekt për një film të gjatë. Kam një projekt-ide për zhvillim skenari. Në mendjen time ka shumë gjëra. Subjekti, një nga ato që kam dëshirë të trajtoj, i përket kontradiktave që ekzistojnë në Shqipëri. Te ne, modernia ecën paralelisht me prapambetjen. Për mua, nëse ka prapambetje më të madhe, ajo është gjakmarrja. Ka shumë diferencë mes Tiranës dhe pjesës së tjetër të Shqipërisë, këtë dua të trajtoj në filmin e ardhshëm. Nëse me "Edenin e braktisur" shëtita në të gjithë fshatrat e jugut, me këtë projekt dua të shkoj në zonat e veriut.

Gjinofeva

Atëherë unë punoja kamerier në Lokalin e Morrit. Çuditërisht atë vit te Morri riedukoheshin dy kolegë të mi, Xhimi dhe Gjenovefa, një vajzë e urtë, që e kishin kapur me kryq në qafë, një kryq të dhuruar nga gjyshja e saj që kur kishte mbushur pesë vjeç... Ajo ishte një bukuri e turpshme... Në janar fill pas vitit të ri, ne kishim ngelur vetëm në lokal. Prisnim të ngrihej një klient i sapofutur, dhe bisedonim të dy të mbështetur nga të dyja skajet e kundërt për gjera koti. Atje unë mora vesh për herë të parë se ajo ishte një katolike besimtare.

- Feja të mbush me shpresë, edhe kur ti mendon se janë mbyllur të gjitha rrugët, ajo ndriçon befas një shteg shpëtimi për ty...

- Ama shteg është ky që të hapi ty, nga gjimnazi "Sami Frashëri" te pijanecët e Morrit? Nga këto lloj shtigjesh hap nga dhjetë në ditë unë!...

Ajo mbushi nga një gotë vermut dhe ne i përplasëm gotat. Gjinovefës i kishte rënë një hije magjepsëse.

Unë kapërceva banakun dhe vendosa ta prek...

Të nesërmen nuk erdhi më në punë. Unë e kërkova, e kërkova shumë, por ajo nuk më doli për një kohë të gjatë përpara. Atëherë unë e desha vërtet dhe më vonë kur ne qemë "ribërë njerëz", u takuam në një aktivitet. U përqafuam si dy miq të vjetër...

Marrë nga tregimi i Teodor Kekos, shkruar në Francë, në vitin 1996



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›