Ent rregullator për karburantet
Duke marrë shkas nga gjendja shqetësuese prej një kohe të gjatë në funksionimin e tregut të karburanteve në vend, si dhe duke gjykuar për domosdoshmërinë e ndërhyrjes sa më të shpejtë të shtetit, Konfindustria ka ndërmarrë nismën për ndërtimin e entit rregullator të karburanteve. Për këtë arsye i është drejtuar para disa ditësh me kërkesë zyrtare Kryeministrit Berisha dhe ministrit Ruli për marrjen e masave të duhura ligjore, administrative e financiare, që të bëhet i mundur krijimi dhe funksionimi sa më i shpejtë i entit rregullator të karburanteve, si një institucion i munguar dhe i domosdoshëm për rregullimin e tregut strategjik të karburanteve. Një zgjidhje e shpejtë mund të ishte krijimi i bazës ligjore për të përfshirë në Entin Rregullator të Energjisë Elektrike edhe tregun e karburanteve, sikundër është përvoja rajonale edhe e vendeve të zhvilluara. "Për të kuptuar se sa keq funksionon tregu strategjik i karburanteve në Shqipëri, mjafton të përmendim se pikërisht ditën e reagimit të parë publik të Konfindustrisë para disa ditësh, operatorët e karburanteve në mënyrë të menjëhershme dhe të njëkohshme ulën me rreth 5 lekë/litër çmimin e naftës", tha dje Gjergj Buxhuku, administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë.