Koshtunica: Qeveria serbe po e njeh Kosovën
Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, ka deklaruar se, sipas të gjitha gjasave, qeveria e Serbisë do ta pranojë misionin EULEX-it, e me këtë veprim, sipas tij, ajo "po futet në njohjen e fshehtë dhe të mbuluar të pavarësisë së Kosovës". Në një prononcim për agjencinë "Beta", lideri i DSS-së ka thënë se në këtë mënyrë qeveria serbe do të bëhej bashkëpjesëmarrëse në mashtrimin e qytetarëve të Serbisë, se EULEX-i nuk e zbaton Kushtetutën e shtetit të pavarur të Kosovës që ka lindur në bazë të Planit të Ahtisarit. Koshtunica ka thënë se, sipas Planit të Ahtisarit, EULEX-i do ta mbikëqyrë punën e policisë, doganës dhe organeve gjyqësore, duke shtuar se këto janë institucione që zbatojnë Kushtetutën dhe ligjet e shtetit të vetëshpallur të Kosovës. Pas njohjes së EULEX-it, sipas ish-kryeministrit Koshtunica, mbetet që Serbia qysh në fillim të vitit të ardhshëm të pranojë planin e Ischingerit, për vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Koshtunica po ashtu ka thënë se qeveria e Serbisë me njohjen e EULEX-it prapa shpinës së Kuvendit popullor do të futej në njohjen sekrete dhe të mbuluar të pavarësisë së Kosovës.