E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata kritike në Afganistan, Oketa telefonon paqeruajtësit

21/08/2009  Ministri i Mbrojtjes interesohet për gjendjen dhe siguron mbështetjen e qeverisë

Gjendja kritike në Afganistan me rastin e zgjedhjes së Presidentit dhe anëtarëve të këshillit rajonal, ka shqetësuar disi ministrin e Mbrojtjes, Gazmend Oketa, për trupat paqeruajtëse të vendit tonë atje. Për këtë arsye ai ka bërë dje një lidhje telefonike me Trupat tona Paqeruajtëse në Herat dhe Kabul, të Afganistanit, duke shprehur interesim të veçantë për situatën aktuale në këtë ditë të zgjedhjeve presidenciale. Siç njofton edhe zyra e shtypit pranë ministrit të Mbrojtjes, gjatë bisedës në telefon, komandantët e kontingjenteve tona, e njohën ministrin Oketa me ecurinë e misionit, që nga dita e parë e marrjes së detyrës e deri tani. Ata i bënë me dije se misioni vazhdon me sukses, pa asnjë incident të shënuar. Nga ana e tij, kreu i dikasterit të mbrojtjes i ka inkurajuar që të përmbushin me sukses të plotë detyrën e ngarkuar, duke theksuar se ndryshe nga paraardhësit e tyre, ata asistojnë në një proces të madh për Afganistanin, siç janë zgjedhjet presidenciale. Në përfundim të kontaktit telefonik, ministri i Mbrojtjes u ka shprehur gjithë trupave tona në Afganistan përkrahjen maksimale të institucionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe mbështetjen e pakursyer të qeverisë shqiptare. Ai u garantoi atyre se do të qëndrojë në kontakt të vazhdueshëm me këto trupa deri në mbylljen e plotë të procesit zgjedhor. Aktualisht Shqipëria ka 251 trupa të instaluara në Kabul dhe Herat, si pjesë e misionit ISAF. Misioni shtesë, më i fundit u nis për në Herat në 12 gusht, me vendim të qeverisë shqiptare, dhe kishte si qëllim mbështetjen e përmbushjes së një procesi zgjedhor të qetë e demokratik në Afganistan. Në këtë shtet u zhvilluan përmes një situate tepër kritike zgjedhjet për president, për postin e të cilit kandiduan 41 kandidatë. Zgjedhjet zhvillohen ndërsa në vend ka rritje të dhunës, veçanërisht në jug dhe lindje ku forcat ndërkombëtare dhe ato të qeverisë afgane po marrin pjesë në operacione kundër Talibanëve të rigjallëruar tashmë. situata e pasigurt me sigurinë ka shtyrë zgjedhjet për disa muaj me radhë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›