Çeni-Bajdën, çfarë ndryshimi!
Analistët thonë se këto dy autoritete ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri si individë, nga pikëpamjet politike, si dhe nga mënyra si e shikojnë pozitën e dytë më të lartë të vendit.
Në fushatën e vitit 2008, demokrati Xho Bajden premtoi të jetë një zv.president shumë i ndryshëm nga zv.presidenti republikan Dik Çeni.
"Zv.presidenti Çeni ka qenë zv.presidenti më i rrezikshëm që ne kemi pasur, ndoshta në gjithë historinë amerikane".
Gjatë gjithë tetë vjetëve të nënpresidencës së tij, Dik Çejni ka luajtur një rol shumë aktiv. Ai jo vetëm që ka këshilluar Presidentin, por ka botuar shkrime ku thotë se ka pasur një ndikim shumë të madh në zbatimin e politikave.
“Unë do të thosha se ai jo vetëm që është zv.presidenti më i fuqishëm, por edhe personi më i fuqishëm në historinë moderne të Amerikës, që nuk është President”.
Fituesi i çmimit “Pulizer”, Barton Gellman, i gazetës “Washington Post”, është autor i librit “Angler: The Cheney Vice Presidency”, për zv.presidencën e Dik Çenit.
"Ai ka qenë lojtari dominues për një sërë çështjesh, nga plani për shkurtimin e taksave në vitin 2003 dhe trajtimi i personave të dyshuar si terroristë, tek hyrja në luftë e tek emërimi i anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Por është me rëndësi të kuptohet gjithashtu se Xhorxh Bushi ishte ai që vendoste”.
Por vetë zv.presidenti Çeni ka thënë se roli i tij është tepruar nga media. Në një intervistë me kanalin televiziv “Fox News Sunday”, zoti Çeni kritikoi zotin Bajden për deklaratën se synon të kufizojë pushtetin e nënpresidencës.
"Në qoftë se ai do ta zvogëlojë autoritetin e zyrës së zv.presidentit, ajo është kompetenca e tij. Mendoj se Presidenti i zgjedhur Obama do të vendosë se çfarë pret nga zv.presidenti dhe nga mënyra si ata janë shprehur, duket se ai nuk pret që zv.presidenti të ketë atë rol që kam pasur unë gjatë mandateve të mia”.
Kenet Uollsh, korrespondenti i Shtëpisë së Bardhë për revistën “U.S. News and World Report”, thotë se pret që zoti Bajden të jetë një këshilltar me ndikim i Presidentit, por jo aq i pavarur sa nën.presidenti Çeni.
"Argumenti i Bajdenit është se ai do të përpiqet ta çojë nënpresidencën atje ku ajo duhet të jetë, një zyrë me kompetencat kryesore për të këshilluar Presidentin, por jo një qendër pushteti jashtë hallkave të tjera të qeverisë”.
“Zv.presidenti që po largohet dhe zv.presidenti që vjen nuk mund të jenë më të ndryshëm sesa këta dy individë. Ndërsa zoti Bajden njihet si njeri që flet shumë, zoti Çeni preferon ta ushtrojë pushtetin prapa skenës”, - thotë Antoni Kordsman, analist i çështjeve të sigurimit kombëtar me bazë në Uashington.
"Senatori Bajden nuk ka qenë kurrë njeri që të mbështetet në marrëdhënie sekrete, private, me njerëz të tjerë në sistemin qeveritar apo politik. Por kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të Çenit”.
Uollsh pret që zoti Bajden të përqendrohet në përparimin e politikave në shërbim të shtresës së mesme dhe të jetë një këshilltar i vlefshëm për Barak Obamën.
"Ai ka qenë në Uashington për më shumë se 30 vjet. Ai ka një përvojë shumë të pasur në politikën e jashtme, në sigurimin kombëtar dhe për gjyqësorin. Prandaj mendoj se ai do të jetë ndoshta më tepër si Uollter Mondel për Xhimi Karterin, një këshilltar i rëndësishëm në format që kërkon Uashingtoni, por Presidenti do të jetë gjithmonë ai që ‘do të vendosë’, ashtu siç thotë Presidenti Bush”.
Ndërsa Xho Bajden mund të mos ushtrojë atë pushtet që ka ushtruar Dik Çeni, nuk ka të ngjarë që zoti Bajden të kthehet në rolin tradicional të zv.presidentit, si kryetar i seancave të Senatit dhe përfaqësues i Shteteve të Bashkuara në funerale shtetërore.