E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enver Hoxha, meraku për të birin e sëmurë

 

Po e afrohet të 70-ave. “Çdo vit e “mblidhet lëmshi”, siç thoshte Aneja”. Kështu shkruan në ditëlindjen e tij të 68-ë Enver Hoxha. Burrit që qeveris me dorë të hekurt, duket sikur ia ka zënë vendin gjyshi sentimental, me flokët gjithë thinja, që çmendet pas mbesës së tij Valbonë, por edhe nipit, Ermalit. Por Valbonën, duket se e kishte pikë të dobët. Pak kohë më parë, në librari ka dalë një libër-ditar i ish-diktatorit Enver Hoxha. Titullohet “Gjyshi i Valbonës”, sepse nga fillimi në fund i drejtohet mbesës së tij, ose tregon për të.  Në këto faqe nuk duket as hija e diktatorit. Është një burrë normal në moshën e tretë, që zgjohet herët, që luan me nipërit e mbesat, që numëron çdo detaj të rritjes së tyre, që nga çapat e parë, tek fjalët, veprimet…, që luan me letra me vajzën e dhëndrin e që kupton se pleqëria ka mbërritur e ka nisur të përsërisë biseda, si dikur xhaxhai i tij. Ai shfaqet si një prind i dhembshur e një gjysh gati i marrosur. Përmes fletëve të ditarit, ku ai shkruan për të mbesën, dalin në dritë edhe të tjera detaje për jetën familjare të Hoxhës, për marrëdhënien e tij me bashkëshorten, Nexhmijen, me të birin Sokolin dhe nusen Lilianën. Fletë të tëra janë të mbushura me letërkëmbimin mes tij dhe Sokolit (Tolit) gjatë kohës që ai ishte për kurim në Paris. Krahas merakut të prindit, në këto letra e telegrame dërguar në Paris, Enver Hoxha shpreh nostalgjinë për kohërat e rinisë, ato vite, kur ai endej rrugëve të Parisit e kur shpesh i ndodhte, siç shkruan edhe vetë, të flinte edhe pa ngrënë për shkak se i mungonin të ardhurat. “Gjyshi i Valbonës” është një libër, ku rrallë herë ndesh fjalën parti, apo Byro Politike. Përmenden shumë pak punët e shtetit, por shpesh ndesh fjalën popull dhe një lloj meraku i tij për të. Al.mi

E enjte,
1 janar 1976
Valbona ime e dashur, gazi i zemrës sime! Sa të gdhihet sot, të vij të të puth e të të marr erën më të këndshme, që kam nuhatur ndonjëherë në jetën time (veç atë të Nexhmijes, nënës tënde të dashur, por mos ia thuaj kujt, se po ta them në vesh). Në mbrëmje, pasi u ktheva nga ora 22 nga Shtëpia e Partisë, ku ishim mbledhur të festonim Vitin e Ri, më falën atje një kukull të bukur, e vura te krevati im, që kur të vije në mëngjes ta gjeje. Ti sonte flije në odën afër odës së gjumit tim, pasi të “rrëmbyem” nga lart, se Sokoli ishte me grip. Mirëpo, s’më rrihej, se të kisha pranë. U ngrita në gjashtë e gjysmë të mëngjesit të Vitit të Ri, hapa derën avash-avash. Ti flije. T’u afrova te krevati, të bëja sehir. Kishe ngritur bythçkat, t’i mbulova dhe të mora erën që më marrosi.
Ika në majë të gishtërinjve dhe shkova në banjë, e u rrova e u lava, duke mbajtur veshin se mos zgjoheshe. Kur mbarova, dëgjova këngën tënde të bukur. Bërtita: “Erdhi gjyshi, erdhi gjyshi!”.  Ti lëshon zërin e bukur, kur më thërret, që nuk e shkruaj dot, por në magnetofon e kam regjistruar. Erdha dhe të dhashë kukullën. Ti e shtyve me doçkat dhe më hodhe duart. Sa më gëzove moj shpirti im, ti më the hapur me gjeste: “Ç’e dua kukullën, unë dua gjyshin!”. Zemra ime, të çova tek Nexhmija. Të rrosh e lumtur, e gëzuar e dashur me popullin dhe të gjithë ne, u bëfsh trimëreshë e zgjuar, e mësuar dhe punëtore. Të më rritesh e shëndetshme, kurrë mos sëmuresh, se kur sëmuresh ti që të zë ndonjë çikë kolla, sëmuret dhe gjyshi. Kur të dhemb ty diçka, i dhemb dhe gjyshit, prandaj, kur je ti shëndoshë, edhe gjyshi është si çelik. Më vonë do t’i kuptosh çka po të them më poshtë. Sot në ditën e Vitit të Ri, që kur hapa sytë, mendova për partinë dhe popullin tonë të dashur, për Nexhmijen time të shtrenjtë, për ty dhe Ermalin. Unë mendova për të gjithë, edhe për Sokolin e për Lilianën që të bënë ty, për lumturinë e tyre dhe të gjyshit. Prandaj i duam shumë si ti dhe ne. Qoftë Viti i Ri i lumtur e i gëzuar vajza ime!
E martë,
6 janar 1976
Valbonushi na kënaqi, e shoh në mëngjes, më vjen në krevat, o në studio, para se të shkoj në zyrë. E marr në duar, por dridhet e përdridhet, do të kapë çdo gjë. Muzikën myzeqare e ka shumë qejf, merr shaminë time dhe e tund. Mollën e do shumë t’i fusë dhëmbët, që i janë bërë pesë deri tani. Po ia hoqe mollën nga dora bën kujën. Hiqet në dhomë si tren dhe kur e pengon njëra këmbë e tutës, ndal kursin dhe e liron vetë.

E shtunë,
17 janar 1976
Valbona është mirë, vazhdon ta ngasë nga një çikë kollë, por nuk mërzitet së luajturi e së bërtituri. Sokolit i vazhdon ca temperature 37-37,5, 37,8. Kjo na ka shqetësuar. Të ftohurit, “si konsekuencë” e operacionit, na thonë. Ka mbledhur ujë dhe e grinë në antibiotikë, nga 6 në 24 orë, që t’i absorbohet.

E martë,
 20 janar 1976
Valbona e shtrenjtë, sot na iku babi dhe mami për në Paris. Vajti babi të shërohet. Sa keq na erdhi kur u ndamë me ta. Por as ti, as unë nuk e bëmë veten, qëndruam si burrat që të dy. Ti e dashura ime sikur diçka ndieje, pasi edhe Sokolit iu qepe, por sidomos Lilianës. Ti e puthe Lilianën disa herë, këtë s’e ke bërë kurrë për asnjë nga ne; vetëm në fotografi na ke puthur. Por të venë e të vinë me shëndet. Babi i dashur do vijë krejt i shëruar, vetëm do i marrë malli shumë, sidomos për ty.

E mërkurë,
21 janar 1976
Telegrame marrim dy herë ditën nga Sokoli në Paris. Lajmet na gëzojnë shumë, sepse e pa Miliezi, e shtroi në klinikën e tij në Broussai dhe e kontrollon çdo ditë. Ditën e parë Miliezi tha se nuk shqetësohej për sëmundjen e djalit. I filluan analizat dhe rezultoi se nga barku, nga diafragma çdo gjë është në rregull. Sokoli është me humor të mirë, fle mirë dhe temperatura nuk i është ngritur më tepër se 37,4, domethënë nga 37,1-37,4. Fle mirë dhe Liliana është mirë, fle dhe ajo në një dhomë në Broussai. U qetësuam shumë, se kishim bindjen se çdo gjë djalit do i kalonte, por prapë ishim në ankth dhe veçanërisht nga një injeksion i mbetur nga operacioni. Tan vazhdojnë analizat.

24 janar 1976
Shumë të shtrenjtë Toli dhe Liliana!
Ju shkruaj nga zyra, mbarova punën dhe fillova t’ju shkruaj këto rradhë, t’ju dërgoj shumë të puthura dhe t’ju them gëzimin tim që ndjeva kur lexova telegramin e dje pasdrekes.
Unë e mora sot në mëngjes nga ora 8, e hapa dhe e lexova lajmin e gëzuar: temperatura dje pasdreke 36,3, apo 4, tensioni në rregull. Ndërsa këshillat që të mos e puthim dhe të mos e shqyejmë shumë Valbonën, të papranueshme.
Të dashur Lilianë e Toli, mu çel oreksi dhe hëngra trahana me shumë qejf. Sa keq që nuk patëm kohë ose nuk u kujtuam t’ju jepnim me vete. Nëna priste poshtë lajmin e gëzuar, ia dërgova me Kostën. Nexhmija flinte dhe në orën 9, para se të vija në zyrë, u ngjita dhe mora pëllumbeshën, e shqeva së puthuri. E putha për Lilianën, për ty dhe për vete. Prandaj dhe nga gëzimi u tejkalua masa. E mora në duar dhe i thosha: “Lajm i mirë Valbona nga Kokoli”, dhe ajo vazhdimisht thërriste: “Ko-kol, Ko-kol”.
Shkuam te dera e mamasë dhe ja vura telegramin në dorë. Ia dha ajo mamasë, e cila nga gëzimi i madh, as e mori fare parasysh këshillën tënde, por e shqeu së puthuri.
E gëzuam dhe në mes të zallamahisë e pyeta: “Ku e ke xhan Kokolin?”. Ajo harroi ta vinte dorën në gjoks, por kujtoi se i thashë: “Ku të bëri cak-cak doktori?” dhe e vuri dorën atje ku di ti. U shkulëm së qeshuri. Ty mos të të vijë rëndë, se mos t’u ul dinjiteti, por ishte një gabim nga Valbona, i pandërgjegjshëm. Të gjithë ju falen, ju puthim dhe ju përqafojnë si dhe unë.
Babai juaj që ju do shumë!

27 janar 1976
Të dashur dhe të shtrenjtë Toli dhe Liliana!
Ju puth dhe ju përqafoj me mall. Është ora 18.00, koha e gjumit të Valbonës. Deri tani luajtëm me të, luajti me kasetat e magnetofonit dhe stilografët e mi. Ajo nuk i do më kalemat (të zinë dhe të kuqin). “Hipi pjaca”, si thonë në Gjirokastër. Vajza do të lozë me stilografët.
Zinxhirit të verdhë, ia “ka pirë ujët”. Por çfarë vesh të hollë ka! Me të dëgjuar një çikë “tring-tringet” e çelësave të kasafortës, lëshon zërin dhe dëfren, ashtu si e imagjinoni ju, dhe thotë: “nai”. Dhe unë ç’bëj? Natyrisht ia jap. Ju do të më shani, pse e përkëdhel, por nuk i refuzoj gjë xhanit tonë. Mos kini merak se avash-avash Valbona po rritet dhe babai po bëhet më i matur.
Toli jonë i dashur, jemi aq të gëzuar që ty të kemi mirë. Çdo drekë presim telegrame nga shoku Laman dhe marrim çdo ditë lajme të mira.
Sa gëzuam kur lexuam se je ngritur dhe po shëtit në dhomë. Mos u mërzit dhe ca ditë, sa të bëhet krejt e mira, pastaj do dalësh nga klinika dhe do shikosh të famshmin Paris, ku babai 40 vjet më parë, shumë herë flinte pa ngrënë, se nuk kishte lekë. Por sidoqoftë, duhet ta vizitosh dhe të shohësh disa gjëra historike, që kur të vish të m’i rikujtosh, se edhe i kam harruar, vite të shumta kanë kaluar.
Ka dy ditë që bie shi i mirë, nuk na bën dëm, liqenet e hidrocentraleve janë mbushur plot dhe të gjitha turbinat punojnë. Të mërzita ty dhe Lilianën, duke ju shkruar, por shyqyr që nuk i keni lexuar akoma. Vetëm kur të vini do ta ha ndonjë kritikë nga ju veçanërisht për kaligrafinë dhe përsëritjet. Përpiqem që të mos përsëris, por pleqtë harrojnë që e kanë thënë një gjë shumë herë. Ty të kujtohet xhaxhai? Kurdoherë që vija te dhoma e zjarrit dhe i thosha si më thua ti: “Ë ç’kemi ndonjë gjë?”, ai fillonte nga historitë që m’i kishte thënë me qindra herë.
Unë i thosha: “Është e gjatë xhaxha?”. Ai qeshte dhe më thoshte: “Jo, do e shkurtoj”. Këtë gjë ju e dini që më ngjet edhe mua, gjatë darkës kur ju them ndonjë ndodhi të jetës sime. Mamaja kërcen dhe më thotë: “Histori e njohur, mos e përsërit 100 herë, se e dinë fëmija”. Por siç e dini zakonisht unë them histori për të qeshur, vetëm se i zgjat. Ndonjëherë i kam me seri dhe jo gjëra filozofike si të xhaxhait. Prandaj, tani, e shoh vetë që u zgjata, por më duket sikur ju kam afër, në bangon e bukës dhe bisedoj me ju, se më ka marrë shumë malli. Mamaja ka vajtur sipër, te Klemi e te Pranvera. Të gjithë jemi shumë të gëzuar që të kemi mirë. Me Klemin dhe me Pranverën, bëjmë pasdreke nga një pesëqindësh. Asnjë herë s’më kanë mundur, plasën të më mundin dhe të siguroj se nuk ju kam bërë asnjë hile.

E shtunë,
28 gusht 1976
Kaq fletë janë të bardha. Valbona, xhani im, mos mendo se kam përtuar të shkruaj për ty. Jo zemra ime. Por në pushime nga Pogradeci, unë i shkrova shumë letra nënës, Pranvës, e më vonë Lilianës, Sokolit, Lilos, Teutës dhe Ermalushit.
Letrat e mia ishin mbushur me ty, që nga fillimi, deri në fund. Po t’i rradhitësh ato letra, ky defter mbushet plot, prandaj kur të rritesh dhe do të çmallesh me gjyshin, kërkojua, bëj nga një kopje, se origjinalin nuk ta japin ata, dhe ngjitja defterit.
Po tash moj vashëza ime e ëmbël, ç’të shkruaj më parë, kam aq gjëra të mira, të bukura për ty, sa e kam zor të zgjedh. Ti mund të thuash “po shkruaji të gjitha gjyshi, se më duhen mua kur të rritem”. Ke shumë të drejtë vajza ime, po gjyshi tënd këtë punë po bën gjithë ditën. Shumë punë duhet të bëjë për popullin, shumë gjëra duhet të shkruaj, por mos harro se më vjen dhe pleqëria, ka ditë që edhe lodhem, po ty dhe Ermalin s’ju harroj. Dua t’u them se kur më vini në studio, në dhomën e gjumit, ose të bukës, kur vij te dhoma juaj, ose kur bëni “kulu, kulu” në banjë, bëhem më i ri dhe shlodhem. Të puth! Më të shumtat e herës nuk më kundërshton, kur unë të them: “Të keqen moj Boni, më jepë çikë gushën e faqen t’u marr erën, se më vdiq malli” dhe ti mi jep me rradhë dhe unë të meris si atë gonxhen e bukur të lules më të bukur që mbin toka. Ti tash thua një barrë fjalësh, të gjithë i thërret në emër, port ë transformuar, vetëm Tolin dhe Gucin e flet mirë. Gjyshin e nënën, po e po. Çdo gjë që të themi e kupton dhe e zbaton, ndonëse vetëm fjalë të shkëputura thua, por idenë e shpreh “Boi kulu-kulu”, “Boi nani-nani”, “Mami-punë”. Gjyshi shkruan, ti bën sikur shkruan në dorë, zogjtë i do shumë dhe librat e mi me ta, i ke kurdoherë me vete. Qejf ke fustanet e bukura! E po vajzë je, por gëzimi im është kur vjen dhe m’i ekspozon, me atë buzëqeshjen tënde, që çel si dielli dhe ngroh zemrën time. E di Valbona, nuk i shkruaj dot njëherësh të gjitha, po do t’i shkruaj në vazhdim, do përpiqem të mos lë fletë të bardha.

E shtunë, 16 tetor 1976
Sot kisha ditëlindjen. Çdo vit e “mblidhet lëmshi”, siç thoshte Aneja, por jam mirë dhe do rroj më shumë se Aneja dhe xhaxhai, për t’i shërbyer popullit. Erdhën shokët e Byrosë Politike, të Presidiumit dhe të Qeverisë e më uruan.
Më erdhën edhe Valbona me Ermalin, si dy pëllumba. Valbona mbante në të dy duart peshqeshin e parë që i bënte gjyshit, një sahat që e ka ndërtuar Sokoli, si dhe një metronome nga ana e saj. Ermalushi, si pionier, erdhi më dha letrën dhe peshqeshin e tij, një radio të vogël japoneze. I putha xhanet dhe u kënaqëm.

Libri

“Gjyshi i Valbonës” titullohet libri, që mban për
autor Enver Hoxhën. Libri prej 264 faqesh është në formën e ditarit. Pjesa më e madhe e shënimeve i drejtohet Valbonës, së mbesës, ndërsa nuk mungon edhe letërkëmbimi me të birin, Sokolin dhe të renë, Lilianën. Libri ëhstë botuar nga “Grand Prind”
dhe kushton 500 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›