Futbolli i Beratit ka borxh te “Cenaj”
Fatos Mahmutaj
Ekipi i futbollit të Beratit shpallet “borxhli” ndaj ish-firmës piramidale “Cenaj”. Pak ditë më parë, gjykata e kryeqytetit ka pranuar kërkesën e administratorit të pavarur të shoqërisë “Cenaj” sh.p.k në administrim, ku është kërkuar lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999, mbi shpalljen debitor të ekipit të futbollit Berat, për shumën 246.182 lekë të reja. Padia e administratorëve ka gjetur mbështetje në nenet 510 dhe 511 të Kodit të Procedurës Civile. Në vendimin e formës së prerë, të shpallur pak ditë më parë dhe pa të drejtë ankimimi, gjykata ka argumentuar se administratorët e përbashkët të shoqërisë “Cenaj” sh.p.k në administrim, pas studimit të dokumentacionit në lidhje me ekipin e futbollit Berat në zbatim të neneve 2, 5 dhe 8 të Ligjit numër 8471, datë 8 prill 1999 “Për nxjerrjen e detyrimeve debitore dhe rikthimin e vlerave pasurore në llogaritë e personave juridikë jo bankar që kanë marrë hua nga publiku i gjerë”, e kanë shpallur debitor ekipin e futbollit Berat, në shumën 246.182 lekë të reja. Sipas gjykatës, në të njëjtin ligj, në nenin 5 të tij përcaktohet se vendimet e administratorëve janë tituj ekzekutivë. Më tej, gjykata ka argumentuar në vendim se nga kërkuesi, administratori i pavarur i shoqërisë “Cenaj” sh.p.k në administrim, kishte depozituar pranë sekretarisë së gjykatës së kryeqytetit, më datë 28 prill 2009, kërkesën me këtë objekt. “Nga hetimi gjyqësor, duke shqyrtuar në cilësinë e provës vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999, për shpalljen debitor të ekipit të futbollit Berat në shoqërinë “Cenaj” sh.p.k në administrim; si dhe shpjegimet e kërkueses, gjykata konkludoi se kërkesa e bërë është e bazuar në ligj e në prova dhe si e tillë duhet pranuar”, pohon gjykatësi i çështjes në vendim, pika e parë e të cilit është pranimi i kërkesës; lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999, për shpalljen debitor të ekipit të futbollit Berat, në shumën 246.182 lekë të reja; ngarkohet Zyra e Përmbarimit me ndjekjen e procedurave të ekzekutimit. Gjykata pohon se shpenzimet gjyqësore të kësaj çështjeje mbeten në ngarkim të kërkuesit, ndërsa pikë e fundit e këtij vendimi është shënuar fakti se kundër këtij vendimi nuk lejohet të bëhet ankim. Kjo, e argumentuar me faktin se, ligji që ka hyrë në fuqi në vitin 1999 e ka shprehur prerazi që të gjithë vendimet e administratorëve të fajdeve për shpalljen debitorë konsiderohen si tituj ekzekutivë. Duke argumentuar në këtë mënyrë, gjykata e kryeqytetit ka konkluduar përfundimisht se, kërkesa e bërë nga administratorët e pavarur të shoqërisë “Cenaj” është e bazuar në ligj e prova dhe si e tillë duhet pranuar, duke lëshuar në këtë mënyrë urdhrin e ekzekutimit për vendimin numër 10, datë 15 korrik 1999, për shpalljen debitor të ekipit të futbollit Berat, në shumën 246.182 lekë. Për ndjekjen e procedurave të ekzekutimit është ngarkuar Zyra e Përmbarimit, ndërsa shpenzimet gjyqësore i janë ngarkuar administratorëve të fajdeve.