E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtari nobelist turk, Orhan Pamuk deklaron se perëndimi vret myslimanet dhe fajin ja vë përplasjes së qytetërimeve

>Nga Orhan  ZARSHATI
Shkrimtari nobelist turk, Orhan Pamuk deklaroi pak ditë më parë se Perëndimi shfrytëzon mendimin e Samuel Huntington-it për përplasjen e qytetërimeve si një shfajësim për të justifikuar vrasjen e myslimanëve. Këtë deklarim ai e bëri për të përditshmen japoneze Jomiuri Shimbun, të datës 17 janar 2009. Jomiuri Shimbun është gazeta me tirazhin më të madh në Japoni; ajo i mori një intervistë autorit të parë turk, që ka fituar çmimin Nobel në letërsi, për numrin e saj të së shtunës. Pamuk tha se Perëndimi e shfrytëzon përplasjen e qytetërimeve si pretekst për të justifikuar vrasjen e shumë myslimanëve. Mendimi i Samuel Huntigtonit (Hantigton) është një ide interesante. Ajo ka diçka të vërtetë në vetvete. Por ashtu siç është paraqitur nga media ndërkombëtare, rezulton se është trajtuar si një ide, e cila vetëm sa i hap rrugën më shumë përplasjeve dhe më shumë vrasjeve. Perëndimi vret më shumë myslimanë, i frikësuar, ose i shqetësuar prej tyre dhe thotë se kjo është përplasje e qytetërimeve; kjo nuk është përplasje qytetërimesh, por është të vrasësh njerëz, vë në dukje Pamuk.
Pamuk thotë se njerëz dhe popuj të origjinave, prejardhjeve etnike, bindjesh, racash dhe fesh të ndryshme, si dhe histori luftërash ndërmjet tyre, duhet dhe mund të jetojnë së bashku. Ky është një ideal, tek i cili unë besoj. Ju mund të thoni :O sa naiv je Orhan, Ata vetëm sa mund të vrasin njëri- tjetrin. Por unë nuk mund të besoj, që raca njerëzore të jetë kaq e keqe; thotë ai. Pamuk vëren që kurdët dhe turqit kanë jetuar së bashku për disa shekuj, duke e konsideruar këtë si një shembull të teorisë së tij. Kurdët dhe turqit kanë jetuar pranë njëri tjetrit. Por, në qoftë se qeveria turke është e mençur, ata mund të vazhdojnë të jetojnë përkrah njëri tjetrit edhe për një kohë mjaft të gjatë. Ajo çka unë besoj, ka të bëjë me atë që në histori nganjëherë mund të lindin kontradikta. Cinikët nuk kanë ideale. Unë kam ideale. Unë besoj që kjo është e mundur dhe pikërisht  kjo është arsyeja, pse unë dua që Turqia të pranohet në Bashkimin Evropian, i cili ka standarde të larta në respektimin e kulturave të ndryshme dhe multikulturalizëm, vuri në dukje Pamuk për gazetën Jomiuri Shimbun.
Ai u fokusua gjithashtu në atmosferën politike dhe sociale në Turqi. Duke u ndalur në përplasjen në mes konservatorëve dhe shekullaristëve, ai tha se kjo e dëmton vendin. Përfaqësuesit e shekullaristëve, të cilët janë ngulur fort në aparatin shtetëror, shekullaristët dhe ushtria, po përplasen me votuesit islamikë nga populli, kjo përplasje po e dëmton realisht vendin. Të dyja palët janë përgjegjëse për këtë. Dhe më të shumtën e kohës nga kjo gjendje po vuajnë klasat e ulëta të shoqërisë dhe gratë. Djemtë fetarë islamikë mund të shkojnë në universitete, por vajzat dhe gratë nuk mund të ndjekin universitetet, në qoftë se mbajnë shami. Politikanët islamikë mund të hyjnë në Parlament dhe të gëzojnë jetën, por gratë jo, po të mbajnë shami, vëren Pamuk.
Ai tha se është i shqetësuar ngase kuadro të ushtrisë ngrenë zërin kundër çdo zhvillimi në vend dhe se ai ankohet për grushtet e shpeshta ushtarake në Turqi. Çdo dhjetë vjet ne kemi pasur një grusht ushtarak shteti. Këto dhjetë vitet e fundit,falë Zotit, nuk kemi pasur ndonjë grusht ushtarak. Por çdo ditë ushtria thotë se nuk e dëshiron këtë,apo atë. Unë nuk mund ti pëlqej këto, shton Pamuk.
Ai gjithashtu u shpreh se dëshiron që Turqia të hyjë në BE, por tha se ka pak shpresë që kjo të arrihet shpejt. Unë e kam bërë të qartë këto shtatë vitet e fundit, se jam që Turqia të bashkohet me BE-në. Por tani unë jam pesimist për hyrjen e shpejtë të Turqisë në BE,kjo duket se nuk do të arrihet së afërmi, thekson Pamuk. Kjo ka një domethënie sinjifikative. Këtë unë e njoh edhe nga çështjet që ngrenë gazetarët iranianë dhe arabë, që tregojnë se intelektualët liberalë dhe shekullarë të vendeve myslimane janë po aq të interesuar për këtë,sepse ata duan shumë të kenë demokraci shekullariste dhe liberale në vendet e tyre.Edha ata duan që në vendet e tyre të lulëzojë ekonomia dhe të gëzohet liria dhe pavarësia politike, respekti për privacinë dhe për pakicat. Hyrja e Turqisë në BE do të ketë një impakt të fortë mbi botën e politikës, veçanërisht mbi vendet e Lindjes së Mesme dhe rajonet islamike, e përfundoi shkrimtari nobelist turk Orhan Pamuk, intervistën për të përditshmen japoneze Jomiuri Shimbun.

Last Updated on Tuesday, 20 January 2009 23:45

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›