Enver Lepenica: “Prefektët e qarkut të Vlorës”
Një vepër që na ka munguar
Enver Memishaj- Lepenica nuk është i ri në lëmin e historiografisë shqipe, ndonëse fakultetin nuk e ka mbaruar për histori, por në një degë tjetër universitare. Aní. Ai ka shansin përveç meritës, sot, që të mos jetë një historian i dy kohëve diametralisht të kundërta: të sistemit të diktaturës dhe të atij të sistemit të pluralizmit. Ai 45 vite të jetës i kishte kaluar në punëra nga më të ndryshmet të rënda e fizike: punëtor në kavën e gurit, në malit e Shashicës; mekanik, por edhe ekonomist, sipas oshilacioneve të luftës së klasave. Pavarësisht se në atë kohë kritike kur dënoheshin edhe të pafajshmit, qoftë edhe për një fjalë të pamenduar mirë ndërmjet miqsh, ai u mundua dhe ia arriti që t’u shpëtonte kurtheve që të mos dënohej, paçka se nuk u vlerësua asnjëherë nga ai shtet i biografive. Vetëm pas vitit 1990, si demokrat me përvojë jete dhe si studiues i përhershëm, iu ofrua rasti për të qenë nëpunës i lartë i shtetit.
Enver Memishaj ose Enver Lepenica është një historian me vlerë që ka hedhur dritë mbi errësirën. Pas artikujve të shumtë në kundërvënie historike ndaj atyre që na e përçudnuan historinë, na del vepra 416 faqesh mbi heroin e forcave antifashiste nacionaliste që u flijua në Gërhot, bashkë me të 34 trimat e tij, nga forcat e okupatorit italian, të mbyllura në kazermë. Hysni Lepenica ishte një
luftëtar trim kundër çdo pushtuesi, por ishte armik për E. Hoxhën, sipas maksimës së tij staliniste: “kush nuk është me né, është kundër nesh!”. Në Gërhot Hysniu kishte rënë në marrëveshje me kolonelin italian që ky t’u dorëzohej trupave nacionaliste të Hysniut, bashkë me armatimin. Por komunistët, që kishin rrethuar kazermat e Gërhotit, bënë qitje mitralozash në ajër, një provokim ky që e vuri në panik ushtrinë italiane. Kjo u çorientua dhe nuk mundi të kthjellohej që ata luftëtarë që kishin hyrë brenda rrethojës së garnizonit italian, pikërisht nga ata që do t’i merrnin në mbrojtje trupat italianë të kazermave, në kohën kur gjermanët po hynin në vendin tonë. Puna e parë që do të bënte ushtria gjermane e sapoardhur , ishte masakrimi i ushtrisë italiane, fill pas kapitullimit që kishte bërë mareshali Badoljo, gjë që e kishte shndërruar ushtrinë italiane në krah të asaj gjermane, në kundërshtare të forcave hitleriane.
Dy vjet më parë, në vitin 1998, Enver Memishaj kishte dalë me veprën “Vetëvrasja, Barbarët zbresin në Vlorë”, si bashkautor . Pastaj vijojnë tetë vepra të tjera, për terrorin komunist, për pseudonimet e përdorura gjatë lëvizjes antifashiste 1939-1944, për greminat e përgjakura komuniste, për luftën e Vlorës (1920) , si edhe për fillimin e lëvizjes demokratike të Vlorës në vitet 1990-1991. Vepra “Prefektët e qarkut të Vlorës (1912-2012) është botuar para pak javësh, në vitin 2013. Është vepra e njëmbëdhjetë e historianit Enver Lepenica (po ia shkruajmë herë njërin mbiemër, herë mbiemrin tjetër, që ka lidhje vendore).
Jeta publicistike e autorit nisi me fill me ndërrimin e sistemeve në vendin tonë. Shkrimet e tij kanë qenë kurdoherë në favor të konsolidimit të një demokracie të vërtetë, pa reminishencat e së kaluarës diktatoriale që na u ngjit si këpushë nga propagandistë nostalgjikë, por edhe nga ‘historianë’ të sistemit të mëparshëm, që kishin gëzuar privilegjet e përsëritjeve, pa lëvizur as presjen, të “kryehistorianit” E. Hoxha. Në këtë aradhe, të përforcuar nga mungesa e destalinizimit, mirëkuptojmë vetëm atë pjesë njerëzish dinjitozë dhe pa ambicie karrieriste, që u shkëputën nga historiografia standarde dhe nga propaganda e diktaturës dhe e thyen penën e lyer me mellanin e zi të dhunimit të të vërtetave.
Ky libër për prefektët e qarkut të Vlorës është një studim tematik me kritere të përpikta shkencore, duke kaluar në konsulencë të tre studiuesve, doktorë dhe prof. Doktorë në tituj akademikë (Bardhosh Gaçe, Bujar Leskaj dhe Kastriot Dervishi). Përmban shqyrtimin për të qenë në pajtim të plotë me standardin gjuhësor të të shkruarit (P. Bezhani), si edhe recensën e Prof. Dr. Alqi Naqellarit. Përmban edhe personat që ndihmuan në hartimin e librit, si edhe emrat e personave që janë marrë me artin grafik, me ballinën e me kompjuterizimin.
***
Libri i parë organik “për Prefektin” u hartua në vitin 1923, kur prefekti, sipas ligjit, varej nga ministria e Punëve të Brendshme. Gjatë sistemit diktatorial (1945 – 1990), organizimi administrativ ishte bërë sipas modelit të Beogradit dhe të Moskës, kur vendi u nda në 26 rrethe dhe Vlora ishte rreth më vete. Gjatë sistemit demokratik, duke filluar nga viti 1991, ndarja administrative e Shqipërisë ishte realizuar në këto nivele : Qarqe, rrethe, si edhe bashkitë e komunat.
3 ishin prefektët që kishin vdekur në burgjet komuniste. 7 ishin ata që vdiqën në mërgim. 4 të tjerë kishin rënë dëshmorë për lirinë e atdheut (Tomsoni, Seit Qemali dhe i biri Sezaiu, si edhe Dulejman Çela). Përshkruhet hollësisht prefektët Fehim Leskoviku (1861 – 1954) që vdiq në internim dhe në mjerim.
Në këtë libër kanë një hapësirë biografike të gjerë Qazim Kokoshi (1882-1947), me nëntitullin “I dënuar tri herë me vdekje dhe vdiq në burgun komunist), si edhe Qazim Koculi (1883 – 1943), që u pushkatua nga fashistët Halil Alia dhe Selim Kaloshi. Zgjon interes edhe biografia e Abedin Nepravishtës, (1889 – 1975) i burgosur dhe i internuar nga fashistët dhe nga komunistët.
Natyrisht autori ka përshkruar me objektivitet edhe kontributet organizative të personaliteteve të krahut të majtë të politikës, si Tare Hamo, Shpëtim Gjika, etj.
Kemi, pra, - si të thuash- një antologji me fotot përkatëse të personave, disa të gjallë endè, si për shembull Afrim Beqir Haçin, “Prefektin që u përball në vitin 1997, me bandat komuniste të Vlorës”.