E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Më 23 qershor do të çajmë murin bllokues të Edi Ramës”

19-06-2013 / Gazeta 55

Imami: Elbasani do të jetë epiqendër e investimeve të mëdha

Gjatë një takimi me banorë të komunës Bradashesh të qytetit të Elbasanit, kreu i grupit të deputetëve të PD, në qarkun e Elbasanit, Arben Imami i shoqëruar nga kandidati për deputet Luçiano Boçi, e ka vënë theksin tek investimet që janë realizuar në Bradashesh, duke u ndalur tek rruga e re me tunel e cila kalon në Bradashesh, si edhe linja e interkonjeksionit të energjisë që kalojnë sërish në Bradashesh. “Kemi punuar gjatë të gjithë këtyre viteve për të përmirësuar jetën e qytetarëve të Shqipërisë kudo që jetojnë, kemi bërë shkolla po aq të mira këtu, në Elbasan, e kudo tjetër. Qendra shëndetësore, spitale, këto ditë do të inaugurojmë edhe spitalin e ri kirurgjik këtu në Elbasan, kemi instaluar falas internetin në çdo shkollë, ndërkohë që para tetë vitesh nuk kishte asnjë investim të tillë”, tha Imami. Ai shtoi se “do të punojmë më shumë për punësimin, rruga e re sjell punë për Bradasheshin, për Elbasanin”. “Të jeni të sigurt që investime të reja të mëdha do të vijnë në Elbasan, një nga ata sapo ka ardhur, Hidrocentralet e Devollit fare afër prej këtu do të punësojnë më shumë se 15 mijë njerëz, kjo është një e ardhme shumë e mirë, sepse për ju mendon kryeministri i vendit Sali Berisha”, tha Imami. Duke kujtuar mungesën e energjisë elektrike, çmimet e larta të internetit dhe telefonave celularë para viteve 2005 Imami tha se, “të gjitha këto janë mjete komunikimi dhe që sjellin më shumë punë më shumë zhvillim”. Ai ftoi banorët e fshatit Bradashesh që të votojnë kryeministrin Sali Berisha për rezultatet që ka sjellë gjatë tetë viteve, duke rritur rrogat e pensionet”- tha Imami. Ai kujtoi edhe arritjet e qeverisë gjatë këtyre viteve si liberalizimi i vizave ku bëri të mundur lëvizjen e lirë të qytetarëve drejt Europës. Imami premtoi banorët e kësaj zone strehim, duke dhënë fjalën se edhe ai vetë do ta ndihmojë këtë komunitet, ndërsa vlerësoi investimet e 80 kilometrave rrugë të kësaj komune, si edhe kreun e saj Sabri Sollakun për këto investime.
S’do ndalemi pa përfunduar të gjithë rrugët e vendit në qytet, fshat, në zona rurale dhe malore/Kreu i listës së kandidatëve të PD, në qarkun e Elbasanit, Arben Imami ka vijuar turin e takimit të tij në komunën Shushicë i shoqëruar nga kandidati për deputet në këtë zonë Aurel Bylykbashi. Kandidati i PD, Bylykbashi duke u ndalur tek inaugurimi i veprës më të madhe publike asaj të autostradës Elbasan-Tiranë dhe tunelit të Krrabës, ftoi të gjithë banorët e zonës së Shushicës që t’i bashkohen këtij treni të madh të zhvillimit dhe të vazhdojnë të votojnë Partinë Demokratike sepse edhe dy projektet, ai i Boshtit të Jugut si edhe Qukës – Qafë Plloçë do ta kthejë Elbasanin në një nga polet më të rëndësishme të aksit Durrës – Tiranë - Elbasan, duke e kthyer Elbasanin në kohën e lavdisë së dikurshme. Nga ana e tij, kreu i kandidatëve të PD, Arben Imami u ndal tek ato që ka arritur qeveria gjatë këtyre viteve, duke u ndalur dhe tek kritikat e opozitës në lidhje me rrugët e ndërtuar nga qeveria, ai u shpreh se, ne nuk do të ndalemi pa përfunduar të gjithë rrugët e vendit në qytet, fshat, në zona rurale dhe malore. “Kanë filluar disa punime të parat edhe në komunën Shushicë, po nuk pati projekte nuk ka punë, po nuk lëvizi pushteti qendror dhe lokal, nuk ka punë. Ne ju premtojmë se do të shtojmë në mënyrë të posaçme investimet në këtë zonë. Madje këtë rrugë që shkon deri në Gjinar do ta çojmë deri në Zavalinë dhe do të bashkojmë të gjithë Shpatin”, tha Imami. Kandidati i PD, Arben Imami u bëri thirrje qytetarëve që në 23 qershor t’i thonë “Jo” Edi Ramës, t’i thonë “Jo” politikës së tij të bllokimit. “Nuk mund të kuptoj se pse Edi Rama e shtyu katër vjet statusin e vendit drejt BE, bojkotoi parlamentin, bëri grevë urie doli në 21 janarin, pse e bëri Edi Rama këtë? Sepse mendoi që nëse Shqipëria do të merrte statusin e vendit kandidat atëherë PD do të kishte avantazh në zgjedhje duke vënë në këtë mënyrë interesat e tij vetjake, interesat e partisë së tij mbi interesat e qytetarëve, të popullit tonë, duke hequr nga xhepat e shqiptarëve 300 milion euro”, tha Imami. “Më 23 qershor kemi shansin e madh t’i themi jo Edi Ramës, sepse siç kemi çarë së bashku murin e diktaturës komuniste, siç kemi marrë liberalizimin e vizave, ashtu siç kemi çarë tunele do të çajmë edhe murin e bllokimit të Edi Ramës”.
Biznesi në Elbasan, vlerëson politikat fiskale të qeverisë/Arben Imami dhe Luçiano Boçi kanë zhvilluar takime me biznesin dhe qytetarët në rajonin 5 dhe 6 në Elbasan. Ashtu si edhe në takime të tjera të këtij lloji Imami është treguar i vëmendshëm ndaj kërkesave të biznesit të vogël dhe ecurisë së punës së këtij sektori në vite. Qeveria e mazhorancës së djathtë ka reduktuar në dy herë taksat gjatë 7 viteve të fundit. Falë këtyre reformave, është mundësuar heqja e taksës së gjelbër, është ulur tarifa e pastrimit, është reduktuar taksa e tabelës, është mundësuar ulja e kontributit të sigurimeve shoqërore, etj. Sot, përfaqësuesit e biznesit shprehen të kënaqur me politikat fiskale të qeverisë. Më parë biznesi i vogël paguante në vit rreth 1 milionë e 900 mijë lek të vjetra, ndërkohë që tani paguan vetëm 900 mijë lek të vjetra në vit. Pra, biznesi i vogël nuk paguan asnjë qindarkë më shumë se 10% e taksës së përgjithshme. Duke qene vetëm pak dite larg zgjedhjeve, Imami u kërkoi tregtarëve, por edhe qytetareve te vlerësojnë punën e qeverisë “Berisha” në këto 8 vite dhe t’i japin mundësi asaj për një mandat të tretë, në mënyrë që rruga e nisur, rruga e zhvillimit të mos ndalet këtu. Vetëm vota për qeverinë “Berisha”, nr 44, tha Imami, gjatë takimeve të tij, do ta çojë më tej zhvillimin e biznesit, zhvillimin e mëtejshëm të Elbasanit dhe të gjithë vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›