“Rama premton ta bëjë Kamzën si Tirana e bunkerizuar e tij 11-vjeçare”
Reagon kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu
Pas deklaratës elektorale të Edi Ramës se Kamza do të jetë si Tirana, ka reaguar fort kryebashkiaku I Kamzës Xhelal Mziu, i cili e cilësoi gjuhën e përdorur në këtë miting si jo qytetare. Në një deklaratë për shtyp, kryetari i Bashkisë Kamëz z. Xhelal Mziu, u shpreh se, “Edi Rama në mitingun që mbajti në Kamëz, nuk iu nda gjuhës së tij, që vetëm e një kryeministri të ardhshëm nuk mund të jetë. Duke përdorur një fjalor aspak të denjë për një qytetar, jo më për një politikan e njeri që pretendon të drejtojë qytetarët nesër, Rama përdori fjalë nga më fyeset në adresë të qeverisë qendrore dhe vendore (si p.sh. injorantë), thjesht duke përmendur fjalën integrim të shkruar gabim në një tabelë, kur ai vetë këtë fjalë e ka degdisur në errësirat e shpirtit, duke e bërë kurban për ambiciet e tij personale për një karrige, duke e bllokuar procesin e integrimit tri herë radhazi. Duke mos gjetur çfarë të thotë tjetër para qytetarëve të mbledhur, kryesocialisti iu kundërvu qeverisjes demokratike, e cila bëri që të gjithë shqiptarët të lëvizin të lirë në Evropë, të jenë një hap drejt integrimit evropian, në një kohë kur ai i ka përdorur ndasitë, si në rastin e fjalimit të tij në Vlorë, ku përmendi termin bathorizim. Ai u premtoi legalizimin, falas, për katër vjet; premton ta bëjë Kamzën si Tirana e bunkerizuar e tij 11-vjeçare, e cila po harrohet, qëkur erdhi Lulzim Basha në krye të bashkisë së saj. Premton një linjë urbane, kur ishte ai vetë në krye të Bashkisë së Tiranës kur u nda linja e Kamzës”, - është shprehur ndër të tjera z. Mziu.