FRD, si opozitë amfibe
Në jetën 22 vjeçare të Partisë Demokratike ka patur një histori hyrje - daljesh, ndarjesh të përhershme apo edhe të përkohshme nga ajo që u themelua në vitin 1990. Dhe është e natyrshme, i tillë ka qenë zhvillimi politik në të gjitha partitë politike shqiptare. I tillë ka qenë edhe në vitet 20 të shekullit të kaluar në fillimet e ngritjes së shtetit të ri shqiptar në kohën e pavarësisë.
Askush nga pjesëmarrësit me ose pahir në ngjarjet e vrullshme të viteve 2004-2005 në Shqipëri, nuk e kishte menduar se pas gati 7-8 vitesh qeverisje në tërësi të suksesshme të Partisë Demokratike, në vitin 2013, në skenën politike shqiptare do të dilte një “forcë e re” politike me “intelektualë” të vetëquajtur të djathtë dhe një emër virtual “fryma e re demokratike”. Platforma e tyre politike ka të bëjë gjoja me diktaturën që paska qenë e pranishme në jetën politike të partisë demokratike. Karakteristikë thelbësore e tyre, e drejtuesve kryesorë, është se ata patën ardhur në PD jo që me themelimin e saj , por disa vjet me vonesë. Së dyti ata kanë hyrë në PD në formën e katapultimit, falë njohjeve rastësore apo edhe aftësisë e zhdërvjelltësisë që ata mund të vegjetojnë dhe zvarriten në të gjitha situatat dhe qeverisjet.
Diktatura kultivoi servilizmin/Një nga “arritjet e mëdha” të sundimit të parë komunist në Shqipëri ishte zhvillimi në masë i ndjenjës së servilizmit deri në perfeksion. Është e kuptueshme që në kushtet e diktaturës së proletariatit fshatar, servilizmi u gjet si mjeti më i mirë jo vetëm për të shpëtuar kokën e lëkurën, por edhe për të bërë karrierë në administratën shtetërore të kohës. Shumë njerëz ishin të detyruar prej biografisë ta “kultivonin” atë, ndërkohë që mjaft të tjerë “të shkathtit” e kthyen servilizmin në art, ku në momente të caktuara edhe vetë aktorët e teatrit apo të estradës, do të mbeteshin të çuditur me plastikën e dinamikën e këtyre servilëve. Sasia dhe cilësia e servilizmit në punë varej nga pushteti dhe grada që kishte eprori si dhe synimet e biografia që kishte servili në raport me eprorin.
Natyrisht që tani është më e lehtë ta analizosh këtë fenomen, por në jetën e përditshme politike ka qenë tepër e vështirë, shpesh edhe e pamundur për vetë rrjedhën e ngjarjeve, të cilat zhvilloheshin me shumë shpejtësi, duke krijuar mjaft probleme deri në bazën e partisë. Shumë prej tyre lanë “në harresë” lidhjet e vjetra me partinë e punës, për të cilat nuk i paragjykoi kush asnjëherë. Kësisoj shpesh ata kanë ditur mjaft mirë të luajnë rolin e kameleonit deri në nivelet më të larta të karrierës politike, duke marrë flamurin e kritizerit për të shpëlarë të kaluarën e mjegullt dhe tentuar të ngjiten në karrierë në nivele të paimagjinueshme pak vite më parë.
Është në natyrën e diktaturës për të kultivuar servilizmin, aq më tepër në diktaturën e proletariatit fshatar, ku njeriu u zhvesh 100 % nga prona private dhe nuk i mbetej gjë tjetër veçse krijimit të njeriut të ri, i cili përveç krahut të punës vetëm partinë kishte si udhërrëfyes. Shkalla e perfeksionimit të servilizmit kultivoi aftësinë e përshtatjes së administratës me drejtuesin, ndërrimin e vazhdueshëm të tyre e pse jo afrimin apo largimin e tyre me “shefin”.
Servilizmi ka shprehjen e tij biologjike/Nga pikëpamja biologjike servilizmi shprehet në dy forma amfibe dhe reptile. Që të dyja format shprehin shkallë dhe cilësi të ndryshme të servilizmit. Forma Amfibe ka karakter vertikal më të fortë. Ka veti që reagon më shpejt duke u përshtatur me situatat, me synim që të përfitojë maksimumin e mundshëm. Nuk qëndron shumë nën ujë, rri mjaft afër me shefin, shpesh duke i tërhequr edhe vëmendjen atij me veprime kritike e autokritike për të marrë frymë në sipërfaqe, qoftë edhe duke ngrënë individë të llojit të vet. Si rezultat i vetive të mësipërme, ka aftësi për të përdorur ngjyra të forta, prej të cilave përfiton poste të admirueshme në raport me vlerat e vërteta që ka. Ka qenë vazhdimisht prezente në politikë në shkallët e mesme e të larta me detyrën për të përfituar gjithçka për vete, në kurriz të ngadalësimit të reformës. E mbiquajnë veten “Intelektualë” ose “elitë”. Kanë origjinë fshataro - qytetare. Përsa i përket pjesës reptile, e cila është më e madhe në numër se sa pjesa amfibe, ajo shquhet për durim në temperatura dhe trysni ekstreme, ka lëvizje pothuajse horizontale dhe qëndron për shumë kohë nën ujë. Është e prirur të mos kundërshtojë, por të përfitojë qoftë edhe pak, por vazhdimisht, sepse kënaqet shpejt.
I ndjekin zhvillimet politike nëpërmjet lëkundjeve sizmike që vijnë nga lart dhe anash, duke përdorur kryesisht ngjyra të zbehta, të cilat i shërbejnë për t’u ambientuar përpara shefit. Këtij të fundit si rregull nuk preferojnë ti dalin para syve. Edhe kur janë afër tij, kanë refleksin e iriqit, mblidhen se mos u thotë gjë shefi. Janë të prirur për të marrë atë ç’ka i ofrojnë të tjerët, por që në shumicën e rasteve i bashkangjiten pjesës amfibe kur shihet se ajo e ka fituar betejën. Kanë origjinë katunaro - fshatare. Të dyja kategoritë e marra në analizë quhen zvarranikë dhe si karakteristikë të përbashkët në raport me pushtetin politik të fituar padrejtësisht, në formë dhurate e pa meritë; ata para së gjithash kanë pabesinë pas humbjes së tij dhe së dyti, mungesën e burrnisë për ti thënë gjërat në kohën e duhur dhe shfaqjen e “trimërisë” si kofini pas të vjelave.
Falë lirisë së fituar, medias së lirë dhe demokracisë parlamentare ata e kanë të lehtë të synojnë pushtetin e humbur duke krijuar parti politike. Me anën e tyre ata tentojnë të rikthehen në parlament duke shfrytëzuar njohjen e pa mjaftueshme dhe sipërfaqësore të një lloj elektorati të papërfillshëm numerikisht. Ky elektorat, për shumë motive, shpesh egoiste dhe cinike në raport me partinë demokratike dhe Liderin e saj historik, përgjithësisht ka qenë pjesë e abstenimit dhe nuk ka votuar pro saj . Ky lloj elektorati që “për inat të sime vjehrre” hiqet si ekstrem i djathtë me detyrë të heqë ndonjë ashkël nga druri i shëndoshë i PD në kërkesën e saj për një mandat të tretë qeverisës në Shqipërinë tonë europiane. Por ekstremi në ekstrem do të mbetet.