Mashtrimi, përbuzja dhe përbaltja nuk mund të jenë alternativë qeverisëse për shqiptarët
Gjatë tërë fushatës zgjedhore, opozita e majtë shqiptare në krye me Edi Ramën është munduar që të barazojë me zero të gjitha të arriturat e qeverisjes së koalicionit në krye me Sali Berishën, me qëllim që të nxijë realitetin dhe të mashtrojë njerëzit. Ishte e qartë për të gjithë ata që nuk janë militantë të thekur të opozitës se majtë se qëllimi ishte që nëpërmjet mohimit të të arriturave të qeverisjes së koalicionit në krye me Sali Berishën, ka qenë përpjekja për ta paraqitur si të dështuar këtë qeverisje, e rrjedhimisht edhe jomeritore për të fituar sërish zgjedhjet. Dhe në këtë përpjekje, opozita e majtë shqiptare goditi paturpësisht pikërisht sukseset kryesore të kësaj qeverisjeje: integrimin në struktura euro-atlantike, përkatësisht anëtarësimin në NATO, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe liberalizimin e vizave me këtë institucion të rëndësishëm evropian; ndërtimin dhe rindërtimin e rrugëve, tuneleve dhe në përgjithësi infrastrukturën rrugore si kusht për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit; sistemin fiskal; rritjen e rrogave dhe pensioneve etj. Në përpjekje për të zhbërë si suksese të qeverisjes së koalicionit në kry eme Sali Berishën, opozita e majtë në krye me Edi Ramën, shpalosi një retorikë poshtëruese për NATO-n, për BE-në, dhe së fundi edhe pë OSBE-në dhe ODHIR-in, e ngjashme shumë me retorikën kundërimperialiste të Enver Hoxhës dhe të tjerëve të regjimit enverist. Kështu, NATO-n, Edi Rama e quajti natë, kurse së fundi u shfry në mënyrë scizofrenike ndaj OSBE-së dhe ODHIR-it, duke shprehur mosbesim ndaj tyre, sikurse dikur etërit e tij ideologjikë e biologjikë. Edhe nëse retorika poshtëruese ndaj NATO-s ka mundur të kuptohej edhe si lojë zgjedhore me elemente të rishfaqjes së mendësisë enveriste, shfryrja ndaj OSBE-së dhe ODHIR-it, ka treguar se disponimi dhe qëndrimi kundërperëndimor është pjesë e filozofisë politike të opozitës së majtë në krye me Edi Ramën. Dhe kjo duhet të jetë një nga arsyet për të cilën nuk duhet votuar opozita e majtë shqiptare. Por nuk është vetëm kjo arsyeja se përse nuk duhet votuar opozitën e majtë shqiptare, sepse po aq i rëndë, në mos edhe më i rëndë është qëndrimi për ndërtimin e rrugëve dhe të tuneleve. Fillimisht Edi Rama e nisi me përpjekjen për të mohuar numrin e rrugëve të ndërtuara, e rrjedhimisht edhe gjatësinë tërësore të tyre, me synimin që të minimizojë rëndësinë dhe suksesin e kësaj qeverie. Edi Rama, si në shumë elemente të tjerë, ndoqi strategjinë propagandistike serbe, sipas së cilës nëse kundërshtari arrinte të vriste 10 ushtarë serbë, duhej hequr një zero, për të zvogëluar suksesin e tij, e nëse serbët vrisnin një kundërshtar, ia shtonin një zero, për ta dhjetëfishuar suksesin e vet. Kështu edhe Edi Rama, 10 mijë kilometrave rrugë të ndërtuara apo të rindërtuara nga koalicioni qeverisës në krye me Sali Berishën, ia hoqi një zero, për ta bërë 1000 kilometra, për t’ia shtuar më pastaj edhe nja 600 të tjera, në përpjekje për të zbutur pak përshtypjen e keqe që la te shqiptarët kjo qasje mohimi ndaj zhvillimit infrastrukturor të shtetit shqiptar. Por jo vetëm kaq: Edi Rama në pamundësi që ta mbulojë diellin me shoshë, pra në pamundësi që të mohojë sukseset e qeverisë Berisha, si një skizofren i papërmbajtur, filloi të kërcënonte se do i mbyllte tunelet, se do rrënonte gjithçka që ka bërë kjo qeveri. Dhe kur u bind se po fliste budallallëqe dhe po e tregonte veten injorant dhe të çmendur, Edi Rama e nxori nga goja një budallallëk dhe çmenduri tjetër, po aq e rëndë sa e para: Saliu po i ndërton rrugët e tunelet me paratë e popullit. Kështu, në përpjekje për të mbuluar injorancën dhe çmendurinë e tij, Edi Rama në dëshpërim e sipër, e tregoi veten edhe me injorant dhe më të çmendur, sepse t’u thuash shqiptarëve se Saliu po i ndërton rrugët dhe tunelet me paratë e popullit, është njësoj si t’i thuash se zogu fluturon ngaqë ka krahë. Me fjalë të tjera, Edi Rama fyen inteligjencën e shqiptarëve, të cilët gjithçka kanë mundur të dëgjojnë, por se opozita që kërkon pushtet, të kërcënojë se do të shkatërrojë të gjitha të arriturat e tyre që janë realizuar nga qeverisja e koalicionit në krye me Sali Berishën dhe gjatë kësaj kohe, dhe se gjithçka që është arritur gjatë kësaj qeverisje, qenka arritur me paratë e popullit, këto nuk kanë mundur të besojnë se do të mund t’i dëgjojnë. Është kështu për faktin se të kërcënosh se do shkatërrosh të gjitha të arriturat që kanë arritur shqiptarët gjatë këtyre tetë viteve, dhe mbi këtë kërcënim të kërkosh votën e shqiptarëve, është më tepër sesa budallallëk, është më tepër se injorancë, është më tepër se çmenduri: është poshtërim i një populli të tërë, sepse t’i thuash një populli të tërë se kërkon pushtet për të shkatërruar gjithçka që kanë arritur shqiptarët vetëm se këto janë arritur gjatë qeverisjes së Sali Berishës, do të thotë se kërkon t’i poshtërosh ata. Dhe këtë poshtërim, Edi Rama nuk mund ta fshehë, as ta zbusë me injoranca dhe çmenduri të tjera, si ajo sipas së cilës: Saliu po i ndërton rrugët dhe tunelet me paratë e popullit, sepse populli e di se secili shtet, secila qeveri në botë gjithçka që bën për shtetin dhe qytetarët e tij, e bën me paratë e popullit. Vallë për çfarë do ta merrnin francezët një politikan që kërcënon se kërkon pushtet për të shkatërruar ato që janë arritur gjatë qeverisjes së një qeverie tjetër? Po për çfarë do ta merrnin ata një politikan që thotë se kundërshtari politik (pasi ata nuk operojnë me terma luftarakë: armik e të ngjashme) ato që ka realizuar, i ka bërë me paratë e popullit? Po italianët, po gjermanët, po anglezët, po amerikanët, po të tjerët si këta? Do të kishin qëndrim tjetër ndaj një politikani të tillë, përveçse qëndrim përbuzës dhe ndëshkues me votë?
Gjithsesi shqiptarët do të duhet të pyesin gjithnjë e më shpesh: po ti Edi Rama që dëshiron të bëhesh kryeministër dhe që premton parajsën për shqiptarët, mbi shkatërrimin e gjithçkaje që është arritur me paratë e popullit, ku do i marrësh paratë? Mos vallë do nxirrni në shitje pronat e Koço Kokëdhimës, të 19 biznesmenëve të tjerë që janë në listën e kandidatëve të PS-së për kuvendarë, dhe të biznesmenëve të tjerë të PS-së? Dhe këto pyetje duhet t’i bëhen Edi Ramës nga të gjithë shqiptarët jo vetëm për ta nxjerë zbuluar atë, por edhe për të kuptuar gjithësecili filozofinë e mashtrimit, të poshtërimit dhe të përbaltjes së njerëzve që është filozofia e vetme politike që ka ofruar ai. Dhe këto pyetje duhet t’i bashkohen pyetjes së një ish-ushtaraku, i cili nuk mundi ta mbante gërryerjen në shpirt pas atyre që dëgjoi nga Edi Rama për zezëditën që do ia bënte ushtrisë, pyeti: me çfarë njerëz do i bëni këto, Edi Rama? Me njerëz të sjellë nga hëna apo nga Marsi?