Neofonia Ensemble, spektakël në Akademinë e Arteve nën ritmet e Piazzollas
Një prej grupeve më të suksesshme të muzikës në Itali Neofonia Ensemble, performoi koncert në Tiranë. Në sallën e Akademisë së Arteve, publiku pati mundësinë të ndjekë koncertin e radhës të edicionit të 10 të sezonit koncertor ndërkombëtar Klasik. Repertori i këtij grupi është i orientuar nga muzika bashkëkohore e Amerikës Latine dhe sidomos nga tangoja e argjentinasit Astor Piazzolla. Pjetër Guralumi një prej organizatorëve të sezonit të Klasik tregon
se ky koncert është në vijim të aktivitetit të këtij sezoni koncertor, ndërkohë që për Guralumin këta muzikantë janë një prej grupeve më të mira të ardhur deri më tani në këtë sezon koncertor. Një prej pjesëtarëve më të vjetër të grupit Gianni Mola tregon se në Tiranë ata vijnë për herë të parë dhe e kanë konsideruar si një prej vendeve më të rëndësishme për të dhënë koncertin e tyre. Para se të vinim në Tiranë, ne ishim në një koncert në Bari dhe në Paris. Këtu jemi për herë të parë dhe na vjen shumë mirë që jemi këtu. Nën ritmet e Piazollas vjen një revolucion ndjenjash para publikut. Këtu është dashuria, tradhtia, hakmarrja, vdekja etj, pohon pianisti Mola. Grupi luajti për publikun nga Astor Pizzolla pjesët si: Otono Porteno, Biyuya,Violentango Vuelvo al sur, Michelangelo '70, Oblivion, Chador, Adios nonino, Allegro tangabile Tango apasionado, Escualo dhe La Milonga del ngel. Grupi interpretoi kështu disa vepra shumë kuptimplota të prodhimtarisë së Astor Piazzollës, duke respektuar dhe personalizuar në të njëjtën kohë me një pasion të ri dhe të pabesueshëm mesazhin universal të kompozitorit argjentinas. Programi ishte marrë nga CD e fundit e kuintetit me titull Concierto para Quinteto-La rivoluzione dei sentimenti, i realizuar për etiketën prestigjioze Stradivarius. Ky aktivitet bëhet i mundur nën kujdesin e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Institutit Italian të Kulturës, Ambasadës Italiane dhe Akademisë së Arteve. Ndërkohë që sezoni koncertor ndërkombëtar Klasik nisi me koncertin e kitaristit të njohur Thibault Cauvin, i cili solli magjinë e tingujve të kitarës në Tiranë. Në koncertin solo ai luajti për publikun pjesë të mrekullueshme nga repertori i tij dhe artistëve të tjerë, përfshirë këtu 2 sonata nga Domenico Scarlatti, Night and Day i Roland Dyens, Take the A train i Stayborn etj. Thibault Cauvin është padyshim një nga kitaristët më të talentuar të momentit. Me kitarën në dorë ai përshkon botën mbarë dhe merr pjesë në teatrot dhe festivalet më të mirënjohura dhe prestigjioze botërore. Cauvin 24 vjeçar numëron në repertorin e tij 600 koncerte në të gjithë kontinentet. Ai është i mirënjohur nga kritika artistike dhe një nga personazhet më të shpeshtë të emisioneve televizive. Ky kitarist shumë i talentuar dhe i ri në moshë, është i vetmi i cili ka fituar 13 çmime ndërkombëtare dhe që shquhet për ndërthurje perfekte të muzikës moderne dhe asaj klasike. Stina koncertore e Klasik në vijim do të ofrojë për publikun e kryeqytetit, si dhe të qendrave të mirënjohura të kulturës shqiptare, si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi e Fieri një larmi jo vetëm të artistëve pjesëmarrës që do të vijnë nga Italia, Gjermania, Franca, Zvicra, Kroacia, Shqipëria e Holanda, por edhe të repertorëve që do të ekzekutohet për publikun shqiptar. Disa nga autorët më të mëdhenj klasikë Mozart, Schubert, Grieg, Haydn, Shostakovich, Cassado, Hirschler, Kunc, Bashkim Shehu (kompozitor kroat me origjinë kosovare), do të vijnë të interpretuara nga muzikantë europianë, përmes dy shoqatave kulturore shqiptare, Syri Blu dhe Miqtë e Muzikës, që drejtojnë sezonin koncertor Klasik.
Të dhëna mbi grupin
Neofonia Ensemble është formuar si grup në vitin 1994 dhe drejtohet nga Gianni Mola. Ky grup konsiderohet nga kritika si një nga grupet muzikore italiane me repertorin më impenjativ. Neofonia Ensemble ka bashkëpunuar me një nga zërat më autentik të Amerikës së Jugut, i mirënjohuri Astor Piazzolla. Ky bashkëpunim i ka dhënë një tjetër dimension muzikës së tyre. Ky grup kuinteti ka fituar çmimin ndërkombëtar Piazzolla në 1996, ndërsa në 1995 arriti të fitonte vendin e dytë të edicionit. Neofonia Ensemble performon shpesh në emisionet e RAI dhe ka marrë pjesë në evenimente të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas koncertit në Tiranë, Neofonia Ensemble do të vazhdoj turneun e tij në Madrid, Budapest, Paris, Neë York, Kili, Buenos Aires dhe Argjentinë. Albumi Concierto Para Quinteto, pjesë nga i cili u performua live për kënaqësinë e publikut shqiptar, është albumi i dytë i tyre.
Nga Julia Vrapi