Enveri: Hrushovi më tha të shtonim delet për lesh
Me kultivim pambuku, agrumesh, prodhim leshi dhe me peshkim duhet të merren më shumë shqiptarët, kanë qenë këshillat e drejtpërdrejta të Nikita Hrushovit për Enver Hoxhën në vitin 1956. Artikuluar nga vetë Enver Hoxha, e shpërndarë deri te shqiptari më i fundit, e njohur është vetëm këshilla e Hrushovit për të mbjellë agrume. Sipas Hoxhës, një këshillë djallëzore, për të na bërë që të hiqnim dorë nga kultivimi i drithërave, që më pas sovjetikët të na kishin në dorë për bukën e gojës. Por dokumentet autentike sovjetike thonë se kultivimi i agrumeve ka qenë vetëm njëri zë nga katër propozimet e Hrushovit, për më tepër aspak i cilësuar. Përkundrazi, duket se Hrushovi në këshillat e tij për shqiptarin Enver Hoxha është fokusuar më tepër në shtimin e bagëtive të imta për prodhimin e leshit, duke e vlerësuar këtë produkt si lehtësisht të eksportueshëm. Po kështu, Hrushovi, që duket kishte një informacion shumë të saktë, i ka këshilluar Hoxhës edhe shtimin e kultivimit të pambukut, mbjelljen e agrumeve dhe investime për shtimin e flotës së peshkimit. Sipas Hrushovit, të gjitha këto produkte e shesin veten shpejt dhe si të tilla janë fitimprurëse për vetë popullin shqiptar. Në të njëjtin dokument të takimit të ambasadorit sovjetik në Tiranë me Enver Hoxhën, vihet re nënshtrimi absolut i udhëheqësit komunist të shqiptarëve përpara të dërguarit të Nikita Hrushovit. Sepse pas çdo këshille apo ankese të sovjetikëve, apo të vetë ambasadorit, Enver Hoxha nxiton ta sigurojë se ai menjëherë do të mbledhë Byronë Politike apo Qeverinë për këtë problem. Më poshtë përmbajtja e plotë e takimit të datës 3 qershor 1956.
Enveri: Hrushovi më tha të shtojmë delet
Nga raportet e Krillovit L.I.
SEKRET
Ekz: Nr. 1
9 qershor 1956
N: 261
Procesverbali i bisedës me Sekretarin e Për të KQ të PPSH-së Enver Hoxha.
3 qershor 1956.
Sot, pas kthimit të tij nga Moska, u takova me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së, Enver Hoxha, dhe pata me të një bisedë.
Enver Hoxha më tregoi se gjatë mungesës së tij, në Tiranë kishte qenë Kim Ir Seni me një delegacion qeveritar. Populli ynë, - tha Enver Hoxha, - e priti shumë ngrohtë Kim Ir Senin dhe e përshëndeti atë me gëzim. Shokët koreanë vizituan krahas Tiranës, gjithashtu edhe Vlorën dhe Shkodrën. Gjithandej ata ishin pritur miqësisht e ngrohtësisht. Në biseda Kim Ir Sen na tregoi se si po shkonte ndërtimi i Koresë. Ne, nga ana jonë, gjithashtu ndamë me ta arritjet dhe vështirësitë tona. Gjendja në Kore, - tha Enver Hoxha, - është më e vështirë se jona, prandaj ne për ndjenjë solidariteti dhe me cilësinë e një dhurate për popullin korean, u dhamë 10 mijë ton bitum dhe u thamë se ne do ishim të kënaqur t’i ndihmonim më tepër shokët koreanë, por neve vetë gjendjen e kemi gjithashtu të vështirë. Shokët koreanë na kuptuan dhe e pranuan dhuratën me shumë ngrohtësi.
Më tej Enver Hoxha tregoi se pas mbledhjes, në Moskë ai ishte takuar me shokun Hrushov. Shoku Hrushov pyeti se çfarë kërkesash kemi. Së pari, - thotë Enver Hoxha, - ne i kërkuam shokut Hrushov të vinte në vendin tonë. Shoku Hrushov, sipas fjalëve të Enver Hoxhës, nuk dha një aprovim të drejtpërdrejtë, por mund të kuptohej se ai do të përpiqet të vijë në Shqipëri afërsisht në muajin shtator të këtij viti. Sa u përket marrëdhënieve tona me Jugosllavinë, - tha Enver Hoxha, - shoku Hrushov në thelb miratoi linjën tonë dhe tha se duhet të gjenden të gjitha mundësitë për të përmirësuar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Por kokën nuk duhet ta ulni dhe duhet që marrëdhëniet të ndërtohen në themelin e respektit të ndërsjellë. Për sa i përket zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë shqiptare, shoku Hrushov na këshilloi, - tha Enver Hoxha, - që të bëhet gjithçka me qëllimin që të qëndrojmë me këmbët tona dhe për këtë është e pashmangshme të kapemi pas zhvillimit të atyre degëve të ekonomisë popullore, të cilat japin të ardhura të mëdha dhe që e blejnë shpejt veten. Në veçanti shoku Hrushov këshilloi të studiohet mundësia e zgjerimit të mbjelljes së pambukut në vend, mbjellja e agrumeve dhe gjithashtu marrja e masave për rritjen e produktivitetit të mbarështimit të bagëtive të imta. Për këtë duhet patjetër të përmirësohet shtimi i deleve dhe rritja e prodhimit të leshit të hollë e gjysmë të hollë. Ky është një produkt shumë i rëndësishëm i bujqësisë, i cili rrit mundësitë eksportuese të Shqipërisë. Shoku Hrushov na këshilloi gjithashtu që të merremi me më shumë forcë me peshkimin, duke pasur parasysh kushtet e favorshme të natyrës në Shqipëri. Shoku Hrushov premtoi gjithashtu të dërgonte një grup specialistësh të mëdhenj sovjetikë, që ata të studiojnë në vend mundësitë dhe të ndihmojnë që të gjenden rrugët e ngritjes së ekonomisë së Shqipërisë. Pas kthimit nga Moska, - tha Enver Hoxha - unë u kam treguar shokëve për këtë bisedë dhe i porosita të përpunojnë për këto çështje kërkesa konkrete. Më tej Enver Hoxha tregoi se në Shqipëri ka mbërritur i dërguari i ri jugosllav, Arso Milatoviç. Vizitat e takimet e tij të para me Mehmet Shehun dhe Behar Shtyllën tregojnë se shokët jugosllavë vazhdojnë të mbeten në pozitat e vjetra dhe kërkojnë nga ne ca njohje të reja të fajësisë për prishjen e marrëdhënieve. Unë i theksova Enver Hoxhës se ka mundësi që shoku Milatoviç të ketë ende udhëzimet e vjetra, por tashmë, pas bisedimeve në Moskë, mundet që edhe pozicioni i tij të ndryshojë. Enver Hoxha ra dakord me këtë, por tha se në fjalën e fundit të Titos, gjatë qëndrimit në Beograd, gjithashtu lihet të kuptohet se disa udhëheqës të shteteve fqinje nuk dëshirojnë t’i njohin deri në fund gabimet e tyre dhe agjencia “Rojter” e shpjegoi këtë qëndrim, se Tito kishte pasur parasysh para së gjithash, Enver Hoxhën dhe Matis Rakoshin. Më tej Enver Hoxha u interesua nëse unë e kisha lexuar udhëzimin e KQ-së së Partisë Komuniste të BS, për likuidimin e pasojave të kultit të individit. Unë u përgjigja se ende nuk i kisha marrë gazetat moskovite dhe se isha njohur me këtë udhëzim vetëm në përkthim. Enver Hoxha tha se në këtë udhëzim jepet një përgjigje shumë e qartë dhe e plotë për intervistën e Toljatit (kreu i komunistëve italianë, red.), i cili është i detyruar ta kuptojë dhe të nxjerrë mësime. Pas kësaj, biseda kalon në temën për ecurinë e punëve të bujqësisë në vend. Unë i thashë Enver Hoxhës se, siç më kishin rrëfyer shokët në mbrëmje, në mbledhjen e të korrave, veçanërisht në ndërmarrjet bujqësore shtetërore, vihen re vonesa serioze, në veçanti janë vënë në punë shumë keq makinat korrëse të thjeshta dhe është pritur në mënyrë jo të drejtë pjekja e plotë e kokrrës së grurit për korrjen e drejtpërdrejtë me kombajnë dhe kjo mund të çojë në humbje të mëdha të të korrave. Po kështu, keq janë përgatitur edhe SMT-të për kryerjen e shirjes. Ende një numër i madh makinerish nuk janë riparuar. Kjo mund të çojë në faktin që fshatarët do ta shijnë grurin me mjete primitive, do humbasin shumë farë dhe shteti nuk do të marrë një sasi të madhe të pagesës së natyrës.
Enver Hoxha tha se ai plotësisht ndan me mua të njëjtat shqetësime dhe se do të porosisë sot me anë të linjës së Komitetit Qendror dhe Këshillit të Ministrave për të marrë masa plotësuese për rregullimin e këtyre lëshimeve. Enver Hoxha më tha gjithashtu, se ata e kanë dërguar në rajone planin e mbjelljeve të dyta të misrit në masën 40 mijë hektarësh dhe se tashmë po kërkojnë mundësi për sigurimin e farës me anë të mënyrës së këmbimit të misrit me grurë. Unë i shpreha dëshirën që për kooperativat e reja, të cilat tashmë nuk kanë mundësi të ndërmarrin këtë ndërrim, mundet që t’u ndahet (jepet, red.) farë misri sipas gjykimit që ajo të mbulohet (kompensohet, red.) në vjeshtë nga të korrat e vitit në vazhdim...
Më tej, unë i rrëfeva shokut Enver konsideratën se mediat, mes të cilave edhe gazeta “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, i zbardhin ende shumë dobët problemet e bujqësisë dhe nuk pasqyrojnë përpjekjet aktuale për plotësimin e vendimeve të Kongresit të Tretë të PPSH-së në sektorin e bujqësisë. Enver Hoxha ra dakord plotësisht me këtë këndvështrim dhe tha se ato ditë ai do të bëjë mbledhjen e të gjithë redaktorëve të gazetave dhe të punonjësve të redaksive për këtë çështje. Me këtë biseda jonë u mbyll.
Ambasadori i BS në Shqipëri
L.I.Krillov (Firma)
Fe. De.