Enveri: Xhevahir Spahiu është ndikuar nga Sartri

Kopertina e librit
Nuk paskëshin qenë të pakta sfidat e poetit. Këtë tregon në monografinë kushtuar Xhevahir Spahiut, që mban pikërisht titullin Sfidat e poetit, shkrimtari dhe studiuesi Nuri Dragoj. Në këtë vepër rreth 400 faqe ai na tregon për jetën e poetit, të cilin e kanë cilësuar jo më kot rebel. Për shkak të natyrës së tij jokonformiste por edhe humorit natyral, ai do të gjendej shpesh në situata delikate. Nexhmije Hoxha nuk e pëlqente, ndërsa vetë Enveri do ta kritikonte hapur në mbledhjet e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Do të thoshte se poeti ishte frymëzuar nga Sartri, i cili ishte maoist. Kaq mjaftonte që një fjalë e ish-diktatorit të merrte lloj-lloj ngjyrimesh, të fryhej dhe të merrte përmasa të stuhishme prej kolegëve të frikur, keqdashësve, fanatikëve, të pashkollëve që as e kishin idenë se kush ishte Sartri. Në një nga pjesët e librit, Dragoj sjell në vëmendje të lexuesit pikërisht këtë moment në jetën e poetit. Ishte viti 1974. a.m
Enver Hoxha kundër poetit
Atë ditë, Enver Hoxha ishte gdhirë keq. Bashkëshortja e vet, Nexhmija, tregon më vonë se gjatë natës kishte pasur dhimbje koke. Korrigjoi deri vonë fjalimin që do e lexonte të nesërmen në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Dhe e nesërmja erdhi. Përpara një toge dëgjimtarësh, që u përkisnin qarqeve të larta të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Enveri kish shpalosur direktivat e tij për artin dhe letërsinë. Dhe ato mendime të hedhura në letër, të cilat më vonë u cilësuan si fjalime historike, në thelb nuk ishin asgjë tjetër veçse plumba alternativë për strukturën e artit të nesërm. Natyrisht, ata që dëgjonin, pa asnjë mëdyshje, ishin mosnjohës të letërsisë. Disa prej tyre ishin analfabetë, të tjerë me shkollë nate. E vetmja lidhje që kishin me libraritë e asaj kohe, ishte blerja në mënyrë demonstrative dhe publike e vëllimeve të Enver Hoxhës. Pra, saktë, kishte edhe prej tyre që kishin studiuar jashtë shtetit, por që, pas ardhjes në Shqipëri, kishin kyçur gojën.
Gjatë atij fjalimi, i cili ndërpritej shpesh nga duartrokitje tepër të zjarrta, Hoxha kishte ndërtuar një platformë skizofrenie për projektimin e letërsisë së re, sipas modeleve të revolucionit kinez, ku protagonisti, njeriu i ri, duhej të paraqitej si binjak i Lej Fenit. Enver Hoxha që sapo kishte larë llogaritë me kundërshtarët e tij imagjinarë të artit, më në fund kishte zgjedhur një ditë tjetër shkurti për të shpalosur platformën e vet, që i ngjante një paçavureje. Ai fliste atje për aktorët, këngëtarët, piktorët dhe shkrimtarët. Thuajse nuk harroi asgjë. Ai ishte njohës i zhvillimeve letraro-artistike në vend dhe jashtë tij. Më në fund, pasi mbaroi ligjëratën e përçartjes, pikërisht te pjesa e helmit, kishte ruajtur diçka edhe për Xhevahir Spahiun. Duke iu rikthyer edhe një herë fjalimit të Enver Hoxhës, po citojmë një fragment të tij, ashtu siç ndodhet në dokumente. Enveri tha: Xhevahir Spahiu dhe disa poetë të rinj kanë shumë ide, por mënyra se si i shprehin ato nuk është gjithmonë reale, jetësore…. këtë frazë Enveri e kishte bërë pronë të gjykimit të tij personal, pasi kishte lexuar një poezi të Spahiut.
Pas rileximit të poezisë, Enver Hoxha kishte arritur në përfundimin se Spahiu në atë vjershë kishte rënë nën ndikimin e Sartrit, filozof dhe shkrimtar francez, baba i ekzistencializmit. Për këtë, ai kishte folur edhe në Presidiumin e Kuvendit

Poeti Xhevahir Spahiu
Popullor. Në thelb, përcaktimi i Enverit nuk ishte aq i tmerrshëm sa konvertimi që i bënë burokratët dhe zyrtarët e lartë kësaj fjalie, duke e etiketuar Spahiun si kundërshtar të Enver Hoxhës. Më në fund, xhelozëve të artit dhe mediokreve keqdashës u kishte ardhur dita ta sulmonin hapur portin, sepse atë tani e kishte sulmuar vetë Zeusi.
Sikur të mos mjaftonte trauma e këtij fjalimi, papritur ndodhi edhe diçka tjetër e beftë, të cilën Spahiu e përjetoi me dhimbje. Menjëherë pas kësaj ndodhie, ai vuri re një ftohtësi të dukshme në radhët e njerëzve të njohur, të cilët kur përballeshin me të, bënin sikur nuk e shihnin dhe iknin më tutje duke i kthyer shpinën. Ndër raportet e të gjitha humbjeve që i kishin ndodhur poetit gjatë komunikimit jetësor, kjo ishte më e vështira. Kur ata ndërronin rrugë, ai thoshte me vete: Çfarë të keqe ju kam bërë, o njerëz?!. Por askush nuk donte të përballej me ndonjë përgjigje, sepse askush nuk i njihte vetes aftësinë e gjykimit të pavarur deri në atë masë. Përkundrazi, jo rrallë, në ato çaste të vështira të jetës së vet, njerëzit, duke pirë ndonjë gotë, i thoshin njëri-tjetrit jo pa gëzim: Xhevahiri e hëngri. Madje, ndonjë tjetër pohonte më shkoqur se Iu bë mirë dhe tani nuk ka për ta ngritur më kokën. Por në fakt ky ishte vetëm një iluzion, sepse nuk ndodhi ashtu. Spahiu e mbajti gjithmonë kokën lart dhe nuk iu lut askujt ta mëshironte. Vazhdoi të shkruajë sistematikisht, të shfaqë vlerat e krijimtarisë së vet, duke dëshmuar ndjenjën e rezistencës ndaj shtetit mediokër.
Në atë kohë, Spahiu kishte vetëm pak muaj që ishte rikthyer në Tiranë dhe ishte vendosur në një garsoniere pranë uzinës Dinamo. Ai njihte shumë pak nga banorët e atij pallati, kurse atë vetë e njihnin të gjithë, pasi ishte gazetar i njohur i Zërit të Popullit. Dhe kjo gjë ia vështirësonte pozitën pas fjalimit të Enver Hoxhës. Disa prej banorëve të pallatit, të cilët ishin militantë të njohur e të pandryshueshëm në besnikërinë e tyre ndaj gjërave që dëgjonin, nisën ta shihnin me ftohtësi, madje edhe duke i veshur krijimtarisë së tij epitete si antishtetërore, deri në cilësimin për të si armik i pushtetit. Por kishte edhe të tjerë që dinin të bënin dallimin midis deklaratave zyrtare të udhëheqësve partiakë dhe vlerave reale që kishin njohur te poeti. Ata vijuan ta ruanin brenda vetes respektin e tyre për sjelljet e Spahiut dhe për krijimtarinë e tij, duke qenë të bindur se ajo një ditë do të rivlerësohej objektivisht nga brezat e ardhshëm.
Gjatë atyre ditëve të zymta në karrierën e poetit ndodhi një dukuri specifike, që përsëritej shpesh në dukuri të tilla analoge, pra, kur ndëshkoheshin padrejtësisht njerëz publikë për faje apo për gabime të tilla, që, në të vërtetë, nuk i kishin kryer kurrë. Dukuria në fjalë lidhej me faktin se enigma vishej me më tepër mister. Me qëllime dashakeqësie, asnjë prej zyrtarëve të lartë nuk jepte sqarime të mjaftueshme për ndëshkimin e beftë të poetit. Nuk bëhej kurrë ndonjë arsyetim i plotë për të vërtetuar se në çmasë kishte gabuar poeti dhe në çraporte qëndrontte masa e ndëshkimit për këto të ashtuquajtura gabime ideore. Mbizotëronte verbëria e aparatit shtetëror, ku burokratët fërkonin duart dhe kënaqeshin së tepërmi nga fakti se poeti tanimë ishte i dënuar pas një kritike personale të Enver Hoxhës.
Ndërkaq, në redaksinë e gazetës Zëri i Popullit ishte krijuar një tkurrje dhe frikë për fatin e secilit prej gazetarëve. Gjithkush e ndiente qartë rrezikun e flakjes në rrugë, në rast të ndonjë gabimi, qoftë edhe të vogël, ose në raste të tilla, kur aparatçikët e lartë mund të konsideronin si gabim edhe përmbajtjen guximtare të një fjalie të vetme. Disa prej tyre filluan të shtonin dozën e autocensurës në artikujt e vet të përditshëm, duke u kujdesur që, jo vetëm në fjalitë e para të artikullit, por në çdo segment të tij, të përmendnin shprehjet sipas mendimeve të partisë dhe shokut Enver