Pezullohet kreu i Policisë së Burrelit

Shefi i komisariatit te Burrelit, Gjovalin Martincamaj
Shefi i Komisariatit të Policisë së Burrelit, Gjovalin Martincamaj, është pezulluar nga detyra.
Lajmi është konfirmuar nga burime të Policisë së Matit, sipas të cilëve tashmë ndaj Martincamajt kanë nisur hetimet për ngjarjen e ndodhur në fshatin Bushkash, ku disa banorë e mbajtën atë peng për të paktën shtatë orë. Zyrtarë të Komisariatit të Matit thanë se rreth orës 16:00 ka mbërritur në zyrat e Policisë urdhri i Burgajt, ku thuhej se Gjovalin Martincamaj pezullohej nga detyra që mbante, pasi ndaj tij Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka nisur hetimet për përfshirjen në një incident të rëndë të ndodhur në Bushkash të komunës Ulzë. Sapo ka mësuar për urdhrin e dhënë, Martincamaj ka lënë mjediset e Komisariatit të Policisë Mat dhe qytetin e Burrelit dhe është nisur drejt kryeqytetit. Ish-drejtori i Policisë së qarkut Dibër, Shemsi Premçi, theksi dje nga Tirana për mediat se ka qenë ai dhe vartës të tij që kanë negociuar për lirimin e tij, por shtoi se ai kishte abuzuar me detyrën, pasi në gjendje të dehur kishte premtuar favore. Zyrtari i Policisë së Burrelit kishte premtuar vende pune si sekretare, vend në polici apo shofer. Ka të dhëna se ai ka kryer veprime jashtë normave, u shpreh Premçi për këtë ngjarje, teksa deklaroi dorëheqjen në Tiranë. SHKB-ja ka marrë në pyetje pjesëtarët e familjes Rica si dhe të afërmit e saj. Megjithëse këto të fundit deklarojnë se nuk kanë pasur asnjë problem me mikun e tyre, burime të rezervuara sqarojnë se inspektorët e SHKB-së kanë marrë informacione të shumta për sjelljen jokorrekte të Martincamajt. Janë ende të paqarta shumë episode nga ngjarja. Nuk dihet saktësisht se përse ishte në këtë fshat shefi i Komisariatit, madje i pashoqëruar nga efektivat e policisë lokale. Nuk ka ende asnjë denoncim për ngjarjen, as nga familjarët protagonistë të ngjarjes dhe as nga Martincamaj. Ndërkohë thuhet se Prokuroria e Matit ka të dhëna të tjera që e implikojnë atë në episode të tjera që injorojnë figurën e eprorit të Policisë.
Reagon Gegë Rica: Biseda normale, vajzës i premtoi punë
Kryefamiljari: Martincamaj nuk kreu asnjë veprim të turpshëm

Gegë Rica, duke folur dje për gazetën Panorama
BURREL-Kryefamiljari ku shefi i Komisariatit të Burrelit, Gjovalin Martincamaj, ka qëndruar për disa orë, ka përgënjeshtruar dje veprimet e turpshme në banesën e tij. Gegë Rica u shpreh dje se e vërteta është krejt ndryshe dhe se shefi i Komisariatit ishte sjellë brenda të gjitha normave. Kushdo që mund të ketë probleme me Gjovalin Martincamajn duhet ti zgjidhë në rrugë të tjera me të, dhe jo të fyejë kaq rëndë familjen e tij, u shpreh ai. Rica tregoi të gjitha lëvizjet e numrit një të Policisë së Matit, madje këmbëngul se për asnjë moment ai nuk ka qëndruar i vetëm në shtëpi, por në prani të tij, bashkëshortes e vajzës.
Z. Rica, kur erdhi në shtëpinë tuaj shefi i Komisariatit, sa qëndroi dhe kush ishte në shtëpi?
Ishte hera e parë që shefi i Komisariatit të Burrelit vinte në shtëpinë time. Erdhi pranë oborrit pak pa rënë nata. E ftova për kafe. Ai më tha se do të ishte më mirë të rrinim në verandën e shtëpisë, në një divan që kisha aty. Unë nuk pranova. Ishte një mik i largët dhe doja ta respektoja sipas traditës së krahinës dhe shtëpisë sime. Hymë brenda. I dhamë mikut një gotë raki. Në shtëpi ishim unë, gruaja ime dhe vajza, të cilën e kam të martuar në Ulzë. Në mbrëmje erdhi në shtëpi edhe vëllai im.
Për çfarë biseduat gjatë qëndrimit në shtëpi me Martincamajn dhe a patët ndonjë problem?
Bisedat ishin nga më të ndryshmet. Ai tha se kishte ardhur për çështje pune, madje përmendi edhe vjedhjen e kompjuterëve të shkollës së fshatit. Na tha po ashtu se ishte i lodhur dhe se do të çlodhej pak. Fjeti pak dhe u zgjua. Sërish bëmë biseda të ndryshme. Gruaja ime tha se kishte njohur disa vajza tropojane kur ajo ka qenë në shkollë dhe shefi tregoi se i njihte ato dhe i kishte të afërta. Ai pyeti edhe vajzën se ku punonte dhe pasi i thamë se ka mbaruar shkollën për infermiere, ai i tha asaj se mund të bënte një kërkesë për të punuar në Polici si sekretare përderisa ajo është e papunë.
Është folur se ai ka qenë i dehur në shtëpinë tuaj, madje u akuzua nga disa të rinj të fshatit edhe për vepra të turpshme…
Absolutisht jo. Që në momentin kur ka hyrë në shtëpi dhe deri kur ka dalë nga territori i pronës sime ai ka qëndruar në shoqërinë time. Nuk jam në gjendje të them a ka qenë nën efektin e alkoolit, por është sjellë sipas të gjitha normave njerëzore.
Çfarë ka ndodhur pasi Martincamaj ka dalë nga banesa juaj?
Rreth orës 22:00 ai ka dalë nga shtëpia normalisht. E kam përcjellë sipas zakonit deri në rrugën kryesore të fshatit. Mori makinën e policisë dhe u largua. Afro një orë më vonë kam dëgjuar një bori makine. Dola nga shtëpia dhe pasi udhëtova afro 400 metra, gjeta shefin e Komisariatit. Qëndronte në makinë, ndërkohë që para tij, në rrugën e fshatit, ishte një mjet tjetër që e kishte bllokuar atë. Në atë moment askush nuk ishte pranë saj. Pasi u interesova, erdhën disa banorë të fshatit dhe u kërkova të lirojnë rrugën. Fillimisht të rinjtë që ishin aty kundërshtuan dhe thanë se makina e policisë në mbrëmje kishte lëvizur me shpejtësi në fshat. Nëse ikim prej këtu do ta zëmë rrugën në një vend tjetër, shpreheshin të rinjtë që kishin bllokuar rrugën e fshatit.
Kur erdhën specialistët e SHKB-së në shtëpinë tuaj dhe çfarë kërkuan nga ana juaj?
Drejtori i Policisë, Shemsi Prençi dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk i njihja, erdhën në shtëpinë time dhe në pyetën me radhë për ngjarjen. Unë u kam deklaruar atyre ato që thashë në këtë intervistë. Gjovalin Martincamaj nuk ka kryer asnjë veprim jashtë normave njerëzore. Unë hedh poshtë të gjitha akuzat e publikuara në media. Familja ime është cenuar rëndë dhe gjykoj se kjo gjë është e sajuar që më parë. Unë them se kush mund të ketë probleme me shefin e Komisariatit të Matit, duhet ti zgjidhë me atë dhe jo me familjen time. Jemi stresuar shumë dhe presim që kjo histori në lidhje me familjen tonë të sqarohet.