E Diel, 1 Nëntor 2026

Mëngë të fryra, fustane trapez dhe pantallona të gjera

Tendenca “Verë 2008”, stilistët vazhdojnë të frymëzohen nga nostalgjia. Cilat janë prerjet më të përdorura nga gjigantët e modës këtë sezon

Merita TOCILA
Mëngë të fryra e fustane të prera në formë trapezi, sfilatat e fundit kanë sjellë veshje më tepër skulpturale. Ose të thuash ndryshe, linja trupore të vëna më në pah do të jenë të pranishme muajt e verës. Jeni të lirë para një mode që ndryshon vazhdimisht. Kemi kthim në nostalgji me mëngët ballon apo me rrudha. Gjeometria rivjen përsëri për ditët e nxehta. Në xhaketinat e ngushta pas trupit nuk do të mungojnë mëngët kimono. Silueta do të jetë totalisht arkitekturale. Përshtatja e të gjitha modeleve të para në pasarela do të jetë prezente në garderobat personale.

Prerjet “Flluska”
Printime pop ose një siluetë romantike, cilido të jetë stili, volumet sferike na veshin nga koka te këmbët. Më të tërhequrat do të jenë duke filluar me mëngët ballon, që këtë verë kanë pushtetin absolut. Çdo stilist prezanton epokën e vet; Te Alexander Mecquin modelet inspirohen nga epoka viktoriane, te te tjerë, mëngët ballon vijnë nga versioni retro `60, ndërkohë që ndonjë shtëpi mode u bën homazh viteve `80 me mëngët perfekte voluminoze. Më fanatiket do të mbajnë ende këpucë me taka të holla për të shmangur totalisht lukun retro, për një ecje po aq të rrumbullakosur, duke guxuar me siluetën rrumbullake, modeli më i këndshëm i shpikur nga Pier Cardin. Këtë verë, rrumbullakësia përfshin të gjitha fustanet duke e kthyer pamjen e tyre shumë romantike. Ato prezantohen mbi modele të gjata fluide që vijnë duke u zgjeruar si zile prej gjoksit. Përsa i përket materialit, më i preferuari mbetet satini. Në kundërshti me këto modele të gjata, disa të tjerë propozojnë fustane rrumbullake, shumë të shkurtër dhe me rip në vijën e gjoksit, për një siluetë pop. Midis këtyre tendencave flluskë apo sferë, Hysein Chalayan krijoi një veshje me flluska sapuni. Por nuk do kemi nevojë vetëm për fustanet flluskë, pasi duhet menduar edhe për pantallonat. Këto të fundit janë një alternativë e mirë, sidomos për ato që nuk guxojnë të shfaqin këmbët e holla. Por edhe pantallonat vijnë të punuara në material fluid, të gjera në prerje, mund të jenë me lidhje në fund ose të lirshme. Elegante dhe të lehta, këto pantallona me sharm tërësisht ekzotik rrezikojnë të kthehen në uniformën e ditëve të nxehta. Për një efekt më shik mund të provoni dhe pantallonat e drejta në ngjyrë të bardhë e bezhë, duke luajtur me kartën aristokratike.

Prerjet “trapez”
Tjetër tendencë e kësaj vere është prerja trapez, në fustane ose në funde. Nëse sfilatat e “Guçi” dhe “Victor&Rolf” kanë pasur rastin të prezantojnë siluetat futuriste mbi të cilat prerjet trapez paraqiten si rrudha ose veref, të tjerë prezantojnë një prerje më të thjeshtë; Si fustanet e “Chanel” psh. apo prerjet “Fendi”. Avantazhi i këtyre modeleve është se shkojnë për të gjitha moshat dhe për çdo rast, edhe jashtë podiumeve. Prerja trapez praktikohet shumë edhe te fundet me prerje të thjeshtë ose me disa pala të vogla, si dhe te bluzat me prerje në vijën e gjoksit, te cilat vijnë duke u zgjeruar si kovë. Opsioni më në tendencë është një bust gjeometrik, i punuar në muselinë ose satin i gjatë dhe i gjerë, kombinuar me pantallona të ngushta. Do të ishte shumë i rehatshëm për të dalë në rrugë me të, si një veshje e përditshme. Janë të preferuara dhe pëlhura me lule të mëdhaja te të cilat lexohen mirë dizenjimet me prerje kaq të rregullta.

Prerja e gjerë
Shumë pranë prerjes trapez por më e shtrirë është prerja e gjerë, e cila aplikohet te mëngët dhe te këmbët e pantallonave. Te mëngët e gjejmë në model kimono si te “Dior”, ku bien deri te bërryllat duke i dhënë fustanit një pamje si Madam Butterfly. Mëngët kimono janë shumë të bukura duke qenë në stilin retro. Dhe te pantallonat, siç e kemi përmendur herë tjetër kemi rikthimin e “putrës së elefantit” pas një heshtjeje të gjatë të këtij modeli. Pantallonat vijnë shumë të gjera, madje mbi dy masa dhe me shtrat të lartë sigurisht. Siç e shihni, vera ka variacione dhe larmi në prerje, ku çdokush mund të gjejë më të këndshmen për veten.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›