E Shtunë, 31 Tetor 2026

Albenc Ago rrëfen arsyet përse duhet rigjykuar vrasja e Eva Vishajt

Elsa Lila kërkon që procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura. Çfarë ndodhi në seancën gjyqësore, që zgjati më shumë se 30 minuta

Laureta Rryçi

Tiranë - Këngëtarja Elsa Lila ka qëndruar dje për rreth gjysmë ore përballë të akuzuarit si vrasës i nënës së saj. Procesi gjyqësor ndaj Albenc Agos u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të kërkesës së këngëtares. Burime pranë kësaj gjykate shpjeguan se i akuzuari ka lexuar kërkesën e tij se përse kërkoi rihapjen e këtij procesi. Të njëjtat burime treguan se Ago, ndër të tjera, ka sjellë para gjyqtarëve faktet se kur është dënuar nuk ka qenë në Itali dhe nuk ka pasur mundësi të mbrohet vetë, apo të japë versionin e tij mbi vrasjen. Në të njëjtën kohë ai ka shpjeguar se nuk ka marrë asnjëherë njoftim se Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës ka vendosur ta dënojë, për këtë arsye vendimi ka marrë formën e prerë dhe ai s’ka pasur mundësi ta apelojë. Në sallën e gjyqit, ku përveç trupit gjykues dhe të akuzuarit, ka qenë e pranishme vetëm këngëtarja Elsa Lila. Seanca e djeshme shënoi dhe hapjen e këtij procesi gjyqësor, edhe pse kërkesa e Agos për rihapjen e procesit është depozituar në këtë gjykatë prej kohësh. Albenc Ago sapo u ekstradua nga Italia në Shqipëri depozitoi kërkesën në Gjykatën e Tiranës për rihapjen e procesit gjyqësor.
Ngjarja
Eva Vishaj ka ndërruar jetë në duart e dy personave nga Pogradeci ndërsa ata po ktheheshin nga Tirana për në shtëpitë e tyre. Dëshmitë e tyre kanë qenë pikërisht ato që kanë mundur të hidhnin dritë mbi këtë ngjarje. Dy udhëtarët e kanë gjetur atë në gjendje tejet të rënduar, sa nuk mundi të thotë as fjalën e fundit. Një plumb në kokë i kishte marrë edhe shpresën e fundit të jetës. Ishte 23 maji i vitit 1997 kur dy udhëtarët, para se të futeshim në kilometrin 29, dëgjuam një xhirim gomash dhe zhurmën e një makine që iku me shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Duke ecur në krahun e djathtë të rrugës dalluan një femër që rënkonte. Ata dolën me shpejtësi nga vetura dhe iu afruan për ndihmë. Nuk zgjati shumë dhe në më pak se një minutë gruaja ndërroi jetë. Ky ishte momenti i fundit i jetës së saj. Ishte goditur me një plumb në kokë dhe kishte të dëmtuar syrin e djathtë. Autori i krimit, pasi e kishte vrarë, e kishte hequr zvarrë për disa metra për ta hedhur te gremina, në pjesën e poshtme të rrugës. Me sa duket, ai nuk ka mundur ta realizonte deri në fund planin e tij, pasi dëgjoi zhurmën e makinës që po vinte nga drejtimi i Tiranës dhe e la viktimën aty buzë rrugës, pa e hedhur dot në greminë. Kjo dukej pasi gjatë tërheqjes pjesa e bluzës ishte e ngritur lart. Dukej që mbi të, përveç vrasjes, ishte ushtruar edhe dhunë. Duket që ajo nuk i ishte bindur urdhrit të tij.
Hetimi
Kur dy dëshmitarët e vendit të ngjarjes e kishin gjetur gruan thuajse në sekondat e saj të fundit, ata panë të vinin nga Elbasani në drejtim të Tiranës disa makina të forcave speciale. Ata qëndruan aty në vendngjarje duke rrethuar vendin. U njoftua policia, e cila më pas ka kryer ekspertizën e kufomës. Vetëm të nesërmen gruaja është identifikuar si nëna e këngëtares Elsa Lila. Në janar të vitit 2005, pas hetimeve intensive, Prokuroria e Tiranës ka mundur të identifikojë autorët e implikuar në vrasjen e nënës së këngëtares së njohur.

Krimet e Rënda ndryshojnë akuzën për Gëzim Gjonin

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda i komunikoi dje njërit prej të pandehurve të “Hakmarrjes për drejtësi” ndryshimin e kualifikimit të akuzës. I pandehuri Gëzim Gjoni u akuzua për kryerjen në bashkëpunim, në formën e organizatës kriminale, të veprave penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen” dhe “rrëmbimit dhe mbajtjes peng të personit në rrethana lehtësuese”, parashikuar nga nenet 141, 109 a, 28, 334 të Kodi Penal dhe për këtë u kërkua masa e dënimit 8 vjet burg. Gëzim Gjoni ka qenë i vetmi i “Hakmarrjes” në qelitë e paraburgimit, ndërkohë që prej më tepër se një vit i përfunduan afatet e paraburgimit dhe u lirua fillimisht me masën “arrest shtëpie” dhe më pas me “detyrim paraqitje”. Gjatë hetimit të rrethanave të episodeve për të cilat akuzohet Gjoni, prokuroria ka hasur në domosdoshmërinë për ndryshimin e kualifikimit të akuzës, duke e lehtësuar atë për të pandehurin.

13 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›