Te dish të kuptosh letërsinë !
Shkas nga debatet për romanin “Te jetosh në ishull” të Ben Blushit
Prof. Dr. FLORESHA DADO
Debate televizive, opinione të ndryshme në shtypin e shkruar, mbi romanin e Ben Blushit, krijuan një zhurmë, që më shumë i vleu “reklamës” së romanit se sa kuptimit dhe vlerësimit të tij si krijimtari letrare, me specifikat e veta, të dallueshme nga gjithë format e tjera të krijimtarisë intelektuale të njeriut? Mos vallë “Të jetosh në ishull” nuk është letërsi artistike? I emërtuar “roman artistik”, që në kopertinë, ai e orienton lexuesin se ka të bëjë me artin e rikrijimit artistik, pra me formësimin e një bote të caktuar në mënyrë figurative, në trajta dhe mjete që janë karakteristike vetëm për artin e fjalës – letërsinë. Ai e orienton lexuesin e kualifikuar që të kuptojë drejt marrëdhëniet midis veprës dhe Realitetit, midis veprës dhe Historisë, midis veprës dhe së Vërtetës, midis veprës dhe Filozofisë (qoftë kjo fetare apo një lloj tjetër); pra, ai “e detyron” lexuesin ta përfytyrojë dhe ta përjetojë atë artistikisht! Debatet u organizuan pothuajse vetëm me historianë, publicistë, arkeologë, filozofë, përfaqësues të fesë myslimane, politologë (të gjithë specialistë të shquar në fushat e tyre, të cilët personalisht i vlerësoj!). Por, në masën dërrmuese të komenteve të tyre, ata e “tradhëtuan” romanin, u futën në lëmitë e tyre dhe, në fund të fundit, vepra mbetet para dilemës: Cilit sistem i përket romani i Blushit dhe cilat janë marrëdhëniet e tij me sisteme të tjera krijuese? Cili është parimi i vërtetë i vlerësimit dhe interpretimit të tij?
Letërsia dhe Historia. Letërsia dhe e vërteta
Dallimi midis të vërtetës së faktit historik, nga njwra anë, dhe natyrës së vërtetës poetike, kuptimit imagjinativ të saj, nga ana tjetër, përbën problemin themelor teorik që nxit romani “Të jetosh në ishull”. Të ashtuquajturat të vërteta historike, apo fetare, që, për fat të keq akoma nuk janë të njëjtësuara as në historiografinë tonë, bëjnë që ndjeshmëria e specialistëve të fushave të tilla të jetë e madhe. Sapo vepra artistike të lidh me një periudhë apo person historik, sapo situatat e trilluara nxisin ndjeshmëritë fetare, menjëherë debatet gjallërohen, flitet sikur po reçensionojmë një vepër historike, politike, apo fetare.
Problemi themelor është: A është e vërteta, në sferën e artit, rezultat i një lidhjeje specifike midis formësimit gjuhësor të romanit dhe botës që ai risjell? A do ta kuptonim “të vërtetën”, që duket sikur sjell romani i Blushit, si të tillë që i përket ose gjithshkaje ose asgjëje? Ndonëse ka një raport të jashtëm me tekste jo letrare (personalitete dhe ngjarjet që historia i ruan në vetëdijen tonë…), si roman historik ai nxit shumë më tepër se sa një dokument apo fakt real. Zhvillimi i situatave të ndryshme “historike”, në mënyra të ndryshme, zbulimi i aspekteve të veçanta, të cilat më shumë se historike janë shpirtërore, ritheksojnë një problematikë njerëzore, që përjetohet në mënyrën e vet nga një krijues shqiptar në fillim të shekullit XXI. I zhvilluar sipas një pikëvështrimi individual (vetëm i tillë mund të jetë shkrimtari!) romani dëshmon pikërisht parimin universal të artit letrar që vepra nuk është as dëshmi e gjithshkaje “të saktë”, as dëshmi e asgjësë. Historia që merret me të vërtetën dhe arti që e rindërton “të vërtetën” me figurën, pra trillimin artistik, e kanë përcaktuar që në fillimet e tyre dallimin thelbësor në objektet e tyre. P.sh., cilat janë faktet e vërteta historike mbi raportet, zhvillimet brenda familjes së Komnenëve? A i ka zbuluar dhe ndërtuar plotësisht dhe me saktësi biografia apo historiografia e periudhës përkatëse të gjitha këto marrëdhënie? Ose, a janë të vërteta figurat që ndërton romancieri për Arianit Komnenin, Skënderbeun, Ali Pashën, apo dhe ato që kanë ndërtuar shkrimtarë të tjerë rreth këtyre figurave historike? Kush i ka në sirtar fotot dhe biografitë e sakta të tyre? Asnjë, dhe megjithatë artistë të ndryshëm kanë dhënë përfytyrimin e vet. ǒdo bënim në këto raste? Nuk do pranonim figurat e ndërtuara, në mënyra të ndryshme? Disiplinat përkatëse shkencore mund ta bëjnë këtë vetëm mbi bazën e dokumenteve të plotë, sepse mbajnë përgjegjësi para historisë dhe së Vërtetës reale. Kurse, është në thelbin e vetë letërsisë, rindërtimi i kësaj bote me mjetet e veta specifike: imazhit, iluzionit, metaforës, etj. Këtë bën B.Blushi në romanin e vet, sepse thelbi nuk është t’i tregojë lexuesit biografinë e familjes, por të rindërtojë një botë të re emocionale, të krijojë përjetime më të thella, që lidhen me ekzistencën e njeriut shqiptar, dje, sot dhe nesër. Vepra, merr shkas nga”fakte” historike për të kapërxyer kufijtë e së vërtetës reale. Po të kish qëndruar në këtë nivel, ajo do duhej të përballej me Historinë. Atëhere, ku qëndron problemi ?
Problemi i myslimanizimit të shqiptarëve? Akoma studiuesit nuk e kanë zgjidhur përfundimisht si u zhvillua ky proces? Po ashtu, edhe teoricienët e filozofisë religjioze? Në fund të fundit ky është problemi i tyre. Le të bien dakort ata, specialistët përkatës dhe të ndërtojnë, më në fund, sipas fakteve historike, të Vërtetën. Në sferën e letërsisë problemi është ndryshe! Gati 4 shekuj para erës së re teoricieni gjenial Aristoteli, shkruante se Letërsia është më filozofike se Historia, sepse, nëse Historia përshkruan ngjarjet si kanë ndodhur, Letërsia i paraqet ngjarjet sipas gjasës dhe nevojës! Ai vinte në dukje se rrëfimi poetik, në dallim nga rrëfimi historik, me karakteret dhe atmosferën që krijon, synon që lexuesi të besojë jo fakte, por “të shqetësohet”, të ndihet mirë ose keq për atë që lexon, t’i duket “si e vërteta” dhe “jo e vërteta”. 24 shekuj më pas ende nuk kemi të qartë dallimin midis këtyre dy llojeve të ndryshme të krijimit njerëzor dhe hyjmë në diskutime pa kuptim për letërsinë. Letërsia nuk shkruhet për të ndriçuar historinë, por për të ngacmuar të vërteta të jetës shpirtërore të shoqërisë në një moment të ekzistencës së saj. Pra, kritika mbi një vepër letrare nuk mund të ketë si shtrat të saj sa ngjarjet e përshkruara në vepër përputhen me historinë (realizëm naiv!). Kundërvënia fakt/trillim, jetë/letërsi, reale/imagjinare qëndron në thelbin e vlerësimit të romanit të B.Blushit dhe në këto raporte do të duhej të zbulonim nëse vepra ka vlera, apo jo.
Miti – Simboli – Realiteti
Qasja e një lexuesi të sotëm modern ndaj veprës “Të jetosh në ishull”, e cila periudha apo heroj të hershëm i trillon me anë të figurës artistike (në kuptimin e metaforës), sigurisht e komplikon marrëdhënien me botën e trilluar nga shkrimtari. Ky ka qenë problem krijues për Blushin dhe u shfaq, këto ditë, si problem kritik për disa interpretues. Bota, e rikrijuar në këtë roman, dhe realja sa ngjajnë, aq dhe ndryshojnë. Metamorfoza poetike që sjell figuracioni i romanit, përmban në vetvete një shkallë abstraksioni dhe përfytyrimi mbi njohjet që mund të kemi për ngjarjet historike. Shpesh në roman ngjarjet “reale” dhe “historike” marrin një ngarkesë mitike dhe përgjithësuese. Përmasat reale dhe historike shdërrohen në një përshkrim mitik dhe ndonjëherë surreal. Mënyra se si e ka konceptuar Blushi botën e imagjinuar përplas, në të vërtetë, faktin historik me mitin letrar, i largohet mënyrës referenciale (ndonëse duket se i referohet historisë), për të shkuar drejt mënyrës simbolike. Romani “Të jetosh në ishull’ ka në themel konceptimin sipas logjikës simboliste, çka, çuditërisht, nuk është vënë re nga diskutuesit e deritanishëm. Konceptimi mitik në këtë vepër shprehet pikërisht në ndërtimin simbolik të realitetit, por një simbolizëm që lëviz. Është konceptim mitik sepse qëllimi i veprës nuk është zgjidhje për një ose disa probleme historike, por rrezatim iluzor mbi atë realitet. Raporti Realitet-Simbol-Mit nuk ndërton realitetin, por jep një model të këtij realiteti. Është përcaktuar se Miti nuk është as gënjeshtër as rrëfim, ai është një ndryshim. Në këtë kuptim konceptimet e disa ngjarjeve ne roman, apo dhe figura-personazhesh janë mitike, sepse ato janë imazhe, janë rikrijime që mbartin një nivel të lartë ndjeshmërie artistike të përfytyrimit dhe iluzionit artistik. Si vjen në përfytyrimin tonë figura Arianit Komnenit: si personazh real, apo mitik? Jeta dhe fundi i personazhit, duke marrë përmasa gati biblike, bën që elementi real i personazhit historik të transformohet në emblemë, të zhduket për të ardhur më pranë në transformimin e tij fantastik. Miti i metamorfozës nuk i përket trajtës së jashtme të personazhit, por përmasave mitologjike që mbart figura brenda vetes. Kjo i jep këtij personazhi një shkallë të lartë abstragimi dhe përfytyrimi mbi realen. Sepse raporti midis princit historik dhe figurës në roman është mishërim i një raporti tjetër, specifik në marrëdhënien Realitet – Simbol –Mit, dukuri që i përket vetëm sferës së artit. Kjo na bën që të kemi përfytyrime nga më të ndryshme lidhur me Figurën e tij, ndonëse detajet që përdor autori janë po ato. Çfarë ndodh në përfytyrimin tonë? Duke e ndjekur si personazh, me përmasa mitike, ne “e shohim” me sytë e imagjinatës së shfrenuar.
Ka momente që konceptimi mitik shfaqet, në roman, më drejtpërdrejtë, duke kombinuar mitologjinë e antikitetit me personazhet e romanit. Blushi ka krijuar një model realiteti, i cili në përfytyrimin mitik-simbolik realizohet në një strukturë të veçantë artistike. Kufijtë e saj bëhen të lëvizshëm te lexues të ndryshëm, sidomos në përfytyrimin e imazhit historik, ku skena të veçanta “shihen” si pjesë e një tablloje të gjerë. Ngjarjet historike duken sikur zhvillohen në mënyrë kaotike, ndodh që transformohet rrjedha e zhvillimit historik, kapërxehen, rikthehen epoka të ndryshme… A do ta pranonte një vepër historike këtë “anomali”? A do të mund ta gjykonim, p.sh, figurën e Arianit Komnenit si një figurë të historisë? Sigurisht që jo! Po kështu, do të ishte jo thjesht e vështirë, por jashtë thelbit të artit letrar, të gjykonim nëse janë të vërteta apo jo skena të tjera në roman, lidhur me myslimanizmin, apo heroj të tjerë, për të cilat kanë protestuar shkrues të ndryshëm. Në fund të fundit, cilat janë faktet e vërteta, që nuk po i kundërshton askush ? Vepra duhet parë vetëm brenda logjikës simboliste, metaforike të saj, që i përket individualitetit të një krijuesi të veçantë. Është konceptimi i tij artistik që e sposton atë që quhet fakt historik drejt mitit letrar, drejt mënyrës simbolike e mitike, drejt sugjestionit. Këtë mund ta bëjë vetëm letërsia. Ky lloj arti i erdhi njerëzimit si kërkesë shpirtërore për të shprehur një marrëdhënie të caktuar me realitetin, përmes formësimesh specifike, që kanë në qendër raporte nga më të ndryshmet midis realitetit-përfytyrimit simbolik dhe përmasave mitike të figurës që ndërton. Kjo është letërsia dhe nuk mund të lexohet ndryshe!
Poetika e romanit
Pse romani është ndërtuar në formën e narrativizimit të dialogut? Sepse ka një shkakëzim të brendshëm midis kohës së pasqyruar dhe kohës së pasqyrimit. Sepse ka një ligjërim specifik, që synon t”i japë veprës trajtën e një legjende, që vetëm mund të rrëfehet, që nuk mund të përfytyrohet se si kanë dialoguar vërtetë personazhet shekuj më parë midis tyre. Intuita artistike e orienton romancierin B.Blushi të mbetet në nivelet e rrëfimit “të shtruar”; në kohën imagjinare të lojës artistike, autori parapëlqen të mbërthejë tensionet e situatës apo të personazheve brenda mënyrës se si rrëfehet ligjërimi . Kalohet, kështu, në një nivel të dytë të gjuhës së personazheve. Sepse autorit i është dashur herë të rrëfejë për kohë që ndahet në periudha të ndryshme, seksione kohore, herë kalohen vrapthi, ose kapërxehen shpejt, në vartësi të mënyrës se si projektohen në jetën e personazheve.. Nga ana tjetër rrefimi i vetë autorit, kombinuar në raste të veçanta me rrëfimin e vet personazhit, thellon, në shumë raste, psikologjizmin në ndërtimin e figurave, apo detajin e karakterizimit të mjedisit apo situatës së veçantë të njerit apo tjetrit personazh, deri në hollësi të jetës sociale-kulturore. Në këtë tabllo lexuesi nuk e drejton arsyen te historia, por të gjejë lidhjen midis psiqikës së karakterit dhe së tijës. Në këtë poetikë të brendshme ndjekim pikëvështrime impresionuese në ndërtimin e portretit të disa personazheve, raporte të veçanta që fitojnë pasazhe të romanit me pikturën. Pushteti i iluzionit, duke ndërtuar një raport të ri midis reales dhe imagjinares, i bën personazhet vizualë, të përfytyrueshëm sipas imagjinatës sonë individuale. Është prozë, por shpesh shfaqet elementi lirik, krijohet poezia brenda prozës. Epizmi mbizotërues ngyroset ndonjëherë me lirizmin romantik. Shpesh ndjehet ndikimi i ligjërimit folklorik. Ndodh që personazhi merr, papritur, misionin e arsyetimit historiko-fetar, duke u larguar nga logjika e konceptimit artistik, duke rënë në retorikë jashtë kohës së cilës i përket. Kjo ndodh me disa arsyetime të Komnenit, gjithsesi një dukuri që ndoshta autori e ka zgjedhur për të shmangur qëndrimin e tij. Ndërthurja, në strukturën e brendshme dhe të jashtme të rrëfimit artistik, me figura reale të historisë, apo me diskutime të karakterit fetar, politik, apo kulturor mund të shihen edhe si tipare të romanit postmodernist, ku bashkohen forma të ndryshme të rrëfimit.
Mesazhi i romanit ?
A mund t’i kërkojmë autorit të na shpjegojë se cili është mesazhi i veprës? Sigurisht jo, sepse vetë thelbi i letërsisë është i tillë që e drejton lexuesin ta përjetojë vetë mesazhin, të gjejë në gjithë strukturën e brendshme, ta përjetojë emocionalisht, sipas intuitës dhe imagjinatës së vet. Procesi krijues i romanit të B.Blushit (si te çdo autor) kalon sa nëpërmjet vetëdijes së qartë, aq edhe përmes së pavetëdijshmes, intuitës krijuese. Nga ana tjetër, ne si lexues kemi, po ashtu, vetëdijen dhe intuitën tonë të kuptimit dhe përjetimit artistik. Ja pse, unë gjej në roman si problem themelor : shqiptarët në kërkim të identitetit në realitete kaotike, në shtrirje të gjatë, shekullore. Ja pse, në simbolikën e lojës së fëmijve, që e identifikojnë veten me perëndi pagane, dhe ku emrat e Muhametit dhe Krishtit përfliten si të ishin qenie të zakonshme, në historinë e 400 familjeve çifute që u bënë myslimanë, por që vazhdojnë të shkojnë në Sinagogë, në simbolikën e festimit të ditëlindjes së Ana Komnenës (bija e Ibrahimit) ku fëmijtë premtojnë të vishen si Paridi, si Muhamedi, kurse Nikoja si i krishterë shfaqet me një luk tjetër, në tryezën që i grumbullon të gjithë etj. unë ndjej jo filozofinë e urrejtjes fetare, por ironinë (“Ushqimi është feja më e bukur se pse nuk ka kufizime” f.196) ndaj zhvillimeve në thellësi të historisë së shqiptarëve, por dhe sot. Në alegorinë e bisedave fëmijërore, të tilla si “Kafshët nuk janë as myslimanë, as të krishtera, sepse ato nuk flasin” “Perëndia e ka shtëpinë në kokat tona” “Njeriu dhe perëndia janë si pula me vezën. Veza bën pulën dhe pula bën vezën” etj. unë gjej diçka ndryshe nga ç’ka parë ndonjë lexues tjetër. “A ja vlen të vdesësh për t’i kthyer njerëzit nga Jezu Krishti te Muhameti dhe anasjelltas ? Dy profetët ishin në qiell: njeri me një gotë qumësht, tjetri me një gotë verë, ndërsa shqiptarët grinden se gota e cilit prej të dyve zbrazet e para”. Interpretimi i romanit kërkon patjetër analizën e tekstit në aspektet më të përgjithshme dhe më të veçanta të tij, për të kuptuar thelbin e metaforës së madhe, brendinë e situatave, personazheve, raporteve midis tyre etj. Ose, cila do të ishte simbolika e largimit të Sarës ? “Kthimi në Kretë asaj i dukej si kthim në djep” shkruan autori. A nuk prekim një simbolikë të veçantë në mbylljen e romanit me dy personazhe që quhen Isak dhe Sara? Në përfytyrimin tim artistik filozofia e gjithë romanit i referohet pikërisht kësaj ideje të fuqishme, gjetja e rrënjëve të vërteta e shoqëron individin, një komb të tërë në gjithë rrugëtimin e vet historik, sado i lashtë të jetë. Simbolika e rrethimit të Voskopojës me një “ushtri librash” duke besuar se “ajo ushtri do t’i mundëte të paditurit, jo duke i vrarë, por duke i bërë më të ditur” sigurisht ka përmasa universale, ajo s’ka të bëjë thjesht me myslimanë apo të krishterë, por me filozofinë e katastrofës që sjell rrënim i dijes, në gjithë kohrat njerëzore. Në kaosin (në dukje) e shpjegimeve rreth personazheve të Testamentit të Vjetër, Krishtit, Muhametit, në kapërcimet e shekujve të izraelitëve, të antikitetit të hershëm, të mesjetës fshihet një filozofi e veçantë e autorit. Ose simbolika e varkës së vogël “që kishte ndalur në mes të detit. Në atë drejtim ishte perëndimi…” mbyll romanin, duke shprehur figurativisht një ndër mesazhet e rëndësishme të veprës.
Letërsia nuk është formë e komunikimit të drejtpërdrejtë. Prandaj edhe romani i B.Blushit duhet kuptuar vetëm si metaforë e madhe, brenda së cilës ne zbulojmë autorin, një realitet njerëzor të caktuar (në kuptimin shpirtëror), veten tonë në interpretimet që i bëjmë gjithë strukturës artistike, kuptimeve dhe ngarkesave emocionale të saj.. Prandaj mesazhet e romanit janë brenda tij, në çdo personazh të ndërtuar artistikisht (sado figura historikë të kenë qenë), në çdo pasazh e skenë (sado reale në vështrim të parë), në çdo ligjërim (sado i drejtpërdrejtë të duket ai), në çdo detaj e hollësi (sado e parëndësishme të duket ai). Vepra, sigurisht nuk të çon te e shkuara, por te e tashmja dhe e ardhmja. Lexuesi që e ndjen letërsinë arrin të zbulojë tendencën e përgjithshme të tekstit dhe strukturën e kuptimeve të saj.
*******
Në këtë vështrim të shpejtë, kryesisht të aspektit problemor, nuk mund të ndalesha në analiza më të hollësishme, qoftë edhe për të vënë në dukje vërejtje (si p.sh. struktura rrëfimtare e zgjatur, çka cënon ritmin e veprimit dhe ndërveprimin me lexuesin etj.etj.) Synimi ishte që, duke marrë shkas nga debatet e zhvilluara rreth kësaj vepre, të theksoj se leximi i letërsisë ka një specifikë tjetër, që e dallon krejtësisht nga leximi i një vepre historike, fetare, filozofike etj. Teoritë antimimetike të fiksionit argumentojnë se trillimi letrar krijon universin e vet; bota e tekstit letrar mund të devijojë nga realja, por kjo nuk do të thotë se ajo është një botë e pavërtetë. Prandaj edhe të vërtetën e romanit të Blushit nuk duhet ta kërkojmë në përputhjen me faktorë të jashtëm, por në sistemin figurative që zbulon ndjeshmëritë njerëzore dhe mesazhet që gëlojnë brenda tij.
13 Maj 2008