Topi dekreton tre gjyqtarë për në Gjykatën e Lartë
Tiranë - Presidenti Bamir Topi dekretoi dje tre emrat të rinj që do jenë pjesë e Gjykatës së Lartë. Të gjithë emra të njohur në fushën e drejtësisë duket se kanë marrë pëlqimin e kreut të shtetit për të qenë pjesë e një prej gjykatave më të rëndësishme të vendit. Emrat e dekretuar janë Kristaq Traja, gjyqtari që na përfaqësoi për shumë vite me radhë në Gjykatën e Strasburgut. Zamir Poda, gjyqtar prej vitesh, tani i duhet të lërë punën në Gjykatën e Apelit për të ngjitur një shkallë më lart në karrierën e tij, duke shënuar kështu një rikthim në Gjykatën e Lartë. Së fundi listës i shtohet dhe Artan Zeneli. Në Gjykatën e Lartë ka ende vende bosh dhe gara për të qenë pjesë e kësaj gjykate ende nuk ka përfunduar për të gjithë ata që duan të kandidojnë.
Gjykata: “Familjes Moisiu nuk i takonte dëmshpërblimi”
Tiranë - Gjykata e Tiranës vendosi dje të pranojë kërkesën e Byrosë së Sigurimeve për dëmshpërblimin e ish-familjes presidenciale, Moisiu. Burime pranë kësaj gjykate pohuan dje se gjyqtari i çështjes e ka cilësuar të padrejtë vendimin e prokurorisë për dëmshpërblimin e familjarëve me 57 milionë lekë për vdekjen e Admir Moisiut. Të njëjtat burime shpjeguan se kjo shumë tani duhet të gjendet nga Prokuroria për t’iu kthyer sërish shtetit. Padia e rrallë u depozituar prej disa muajsh në Gjykatën e Tiranës dhe dje u dha vendimi për të. Pritet që ky vendim të apelohet nga ana e Prokurorisë duke qenë se nuk janë dakord me vendimin e gjykatës.
Uithers viziton Gjykatën e Tiranës
Tiranë – Xhon Uithers, ambasadori amerikan në Shqipëri, vizitoi dje Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Një nga Gjykatat më të mëdha në vend që gjykon aktualisht rreth 40% të çështjeve gjyqësore. Në këtë takim Uithers shoqërohej nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Thimjo Kondi dhe avokati i njohur amerikan, z. Roger Sherrard. Ambasadori vizitoi nga afër ambientet e kësaj gjykate, kushtet e punës dhe sallat ku zhvillohen seancat gjyqësore. Ambasadori pyeti kryetarin e Gjykatës së Tiranës, Albert Meçe, se cilat ishin nevojat prioritare të punës në këtë Gjykatë. Meçe ka evidentuar si nevoja të ndjeshme dhe emergjente: përmirësimin e infrastrukturës së Gjykatës së Tiranës, përmirësimin e ambienteve të punës, rritjen e solemnitetit që do të ndihmonte në përmirësimin e imazhit të dhënies së drejtësisë.
13 Maj 2008