Gazsjellësi i ëndrrave
BE, MOSKA DHE BEOGRADI
Vendet fatlume nuk kanë nevojë të mendohen gjatë se ku shtrihet e ardhmja e tyre. Por, Serbia nuk është një nga ato. Mesazhi nga kandidati kryesues në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale serbe, Tomisllav Nikoliq, ishte se Serbia duhet të kthehet nga Rusia dhe t'i kthejë shpinën Bashkimit Evropian. Pikërisht në këtë kohë, gjiganti energjitik rus "Gazprom" ra dakord për blerjen e kompanisë shtetërore të naftës dhe gazit në Serbi dhe ta bëjë këtë të fundit, pjesë të projektit "Rryma e Jugut".
Nacionalizmi atavik i Nikoliçit dhe partisë së tij, ka qenë i qartë prej shumë kohësh. Kreu i radikalëve, Vojisllav Shesheli gjendet në Hagë i akuzuar për spastrim etnik gjatë luftërave në Ballkan në vitet '90.
Megjithëse këtë vit Nikoliq mori 40% të votave, rezultat ky më i mirë se i katër viteve më parë, ai sërish mund të humbasë në turin e dytë të zgjedhjeve.
Dyshimet në Beograd janë se Tadiçi ka arritur një ujdi, ku përfshihet dhe nënshkrimi i marrëveshjes me "Gazprom" në mënyrë që të fitojë mbështetjen nga kryeministri serb, Koshtunica. Megjithëse dyshues, Koshtunica e di se Tadiçi është zgjedhja më e mirë për vendin dhe ai e kupton nevojën për të qenë brenda Bashkimit Evropian. Por, të tre, si Nikoliqi, Koshtunica edhe Tadiç, nuk e pranojnë Pavarësinë e Kosovës.
Pavarësia e Kosovës, për një kohë të gjatë është bërë e pashmangshme. Pas sjelljes brutale të Serbisë në vitet '90 me shqiptarët në Kosovë, kurrë nuk do pranojnë qeverisje nga Beogradi.
Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve anëtare janë të gatshme ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por duke ndihmuar Kosovën të marrë pavarësinë, Bashkimi Evropian ka nevojë të mënjanojë provokimet e një Serbie armiqësore, që do ta bënte rrëmujë të ardhmen e saj.
Në një tjetër artikull, po tek "Economist" shkruhet se Amerika vazhdon të mbetet e rëndësishme për evropianët, veçanërisht kur vjen puna tek siguria. Në kohën kur Kosova është në prag të pavarësisë, kur NATO-ja synon të zgjerohet dhe Rusia vazhdon me politikat e saj energjitike në Evropë çdo lloj debati përfshin Amerikën. "Rusia po forcohet, ne po dobësohemi", thotë një politikan i lartë evropian.
Alarmi bëhet më i qartë në Serbi, ku pro-rusi Nikoliq kryesoi në raundin e parë të zgjedhjeve. Po kështu edhe për Kosovën. Amerikanët kërkojnë të mos ketë më shtyrje, pasi i druhen dhunës nga padurimi i kosovarëve apo nga provokatorët serbë. Disa evropianë luten dhe për disa javë më shumë, ndoshta për të lejuar më shumë bisedime me Serbinë pas zgjedhjeve presidenciale, apo për të qetësuar kundërshtimet e disa vendeve anëtare si Greqia apo Spanja. Serbia, aktualisht, është vendi ku Rusia dhe Perëndimi po përballen për të pasur ndikim. Rusia, pas marrëveshjeve me Bullgarinë dhe Serbinë për gazsjellësin "Rryma e Jugut" synon të nxjerrë jashtë loje projektin e Bashkimit Evropian, "NABUKO".
Por linjat e gazit dhe varësia nga gazi rus, nuk janë burimet e vetme të kundërthënieve. Zgjerimi i NATO-s është një tjetër. Amerikanët dhe evropianët janë të përfshirë gjerësisht në çështjen e zgjerimit të NATO-s, në takimin e Prillit. Kroacia është kandidatja kryesore, kurse Shqipëria dhe Maqedonia janë më pak të përgatitura, por futja e tyre në Aleancë mund të shihet si një mënyrë për të baraspeshuar jostabilitetin e shkaktuar nga Serbia, në rast të pavarësisë së Kosovës. Megjithatë, Bashkimi Evropian duket i heshtur, në shkallë të madhe, ndaj këtyre problemeve gjeopolitike dhe duket më i preokupuar me reformat institucionale. Kjo i shqetëson amerikanët. Ish-diplomati amerikan, Ron Asmus nga Marshall Fund i druhet rënies së ndikimit të Perëndimit në Evropën Lindore. Dhe ai nuk është i vetmi.
*Marrë nga sajti në shqip i radios amerikane "Europa e Lirë". Nëntitulli në origjinal: "Amerika, më e interesuar se BE-ja për Evropën Lindore"