Vrasja e policit në Mirditë, dëshmon bashkëshortja e rojës së ish-SMT-së
TIRANE - Gjykata për Krimet e Rënda vijoi dje me dëgjimin e gjashtë dëshmitarëve të ngjarjes, ku mbeti i vrarë polici Gjon Pacuku dhe u plagosën tre të tjerë. Në seancën djeshme në ngarkim së të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Mirditës", dëshmuan përpara togave të zeza roja i parkingut ku ndodhi ngjarja Preng Gjoka, bashkëshortja e tij Prena Gjoka, si edhe disa kolegë të policit të vrarë. Prena Gjoka tregoi para gjykatës se prej faktit që banesa e tyre nuk ishte më tepër se 25 metra larg portës së parkingut, pas mesnatës së 28 qershorit 2000 bashkëshorti i saj kishte lënë vendrojën dhe kishte shkuar në banesë të hante darkë. "Ishim ulur në një tavolinë pranë dritares. Burri ishte me shpinë, ndërsa unë mund të shikoja qartësisht portën e parkingut. Ishte ora rreth 2:17 kur unë pashë që në parking u futën 2 persona të maskuar që mbanin armë në duar", pohoi ajo. Sipas saj, të përfshirë nga paniku, bashkëshorti ka shkuar tek një fqinj ku me anë të telefonit fiks kanë lajmëruar policinë. Ndërsa Preng Gjoka, në dëshminë e tij tha se: "Kur shkova në shtëpinë e fqinjit, në katin e dytë të ndërtesës ngjitur, dallova brenda murit rrethues tre persona të maskuar". Prengu ka qenë i pari person me të cilin kanë folur policët e grupit të gatshëm dhe se ai është plagosur më pas nga shpërthimi i granatës. Ngjarja për të cilën akuzohen Dritan (Ndoit) Syziu, Nikoll Syziu, vëllezërit e tij Bardhok, Tom Syziu, si dhe Tom Gjoka e Arjan Reçi ndodhi në orët e para të 29 qershorit të viti 2000. ar.ba