E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpejtësia dhe mungesa e tabelave përgjakin rrugën

 

KORÇE/ JORGJETA GJANÇI

Tre viktima u shënuan brenda një dite në rrugën nacionale që është në rindërtim, Korçë-Qafë Plloçë. Pakujdesia e drejtuesve si dhe mungesa e plotë e sinjalistikës janë arsyet e aksidenteve tragjike. Shefi i qarkullimit rrugor në Qarkun e Korçës, Adriatik Huti, pohoi dje se dy aksidentet automobilistike, ku vdiqën tre persona dhe 4 të tjerë u plagosën rëndë, ndodhën për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara dhe konsumimi i pijeve alkoolike nga drejtuesit e mjeteve. Konkluzioni i deklaruar duket se ka shmangur përgjegjësinë e policisë, që ai drejton për marrjen e masave parandaluese në aksin e superstradës në ndërtim e sipër. Në mesnatën duke u gdhirë dita e diel, në fillimin e rrugës Korçë-Qafë Plloçë, te kryqëzimi i saj me rrugën që të çon në fshatin Çiflig, si pasojë e një aksidenti humbi jetën një 23-vjeçare e u plagosën drejtuesi i mjetit Andrea Maliqi, 30 vjeç dhe dy pasagjere të tjera. Por, në mbrëmje, dy viktima përgjakën rrugën e re. Në të njëjtin aks, përplasja e një veture me një fadromë të firmës së rrugëve shkaktoi vdekjen e dy kunatave Aishe dhe Tefta Xhemollari, përkatësisht 45 vjeçe dhe 24 vjeçe dhe plagosjen e drejtuesit të mjetit Ymerli Xhemollari, 44 vjeç. Sipas hetimeve paraprake që janë kryer është zbardhur fakti se drejtuesit e mjeteve kanë qenë nën euforinë e pijes dhe duke udhëtuar me shpejtësi tej normave të lejuara. Negativisht ka ndikuar edhe errësira e natës, pasi të dy aksidentet kanë ndodhur natën. Por aksidentet, sipas drejtuesve të mjeteve që rrahin këtë aks rrugor çdo ditë kanë ndodhur për shkakun kryesor të mungesës së sinjalistikës. Firmat ndërtuese kanë krijuar jo pak vështirësi gjatë kryerjes së këtij investimi. Ndërkohë që akuzojnë Policinë Rrugore, e cila sipas tyre nuk ka luajtur rolin e saj në shmangien e aksidenteve jo vetëm me vendosjen e shenjave sinjalistike, por edhe me imponimin ndaj 13 firmave ndërtuese të superstradës për të zbatuar kërkesat për një qarkullim sa më normal të mjeteve. Pikërisht këtij aspekti i kushtoi vëmendje shefi i qarkullimit në shkallë Qarku, Huti, kur deklaroi që drejtuesit e mjeteve që bënë aksident kanë qenë me shpejtësi tej normave të lejuara dhe nuk kanë parë tabelat e vëna rishtas. "Në superstradë, është shprehur Huti, tabelat ndryshojnë çdo ditë pasi superstrada po asfaltohet. U bëj thirrje drejtuesve të mjeteve t'i respektojnë këto tabela, aq pak sa janë. Në të kundërt ja pasojat". Por njëherësh, Huti deklaron faktin se në prefekturën ku ai drejton qarkullimin rrugor, numri i aksidenteve automobilistike, krahasuar me një vit më parë, ka ardhur në ulje. "Si 9-mujor janë 10 të vdekur dhe 55 të plagosur më pak se vjet", u shpreh ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›