E Diel, 1 Nëntor 2026

"Trebicka s’kishte telefonatë të dyshimtë"

 

Trazhgim Sokolaj

Hetimet e Prokurorisë zbardhin detaje të reja mbi rrethanat e vdekjes së Kosta Trebickës, biznesmenit të konsideruar dëshmitar në dosjen e tragjedisë së Gërdecit dhe tregtisë së armëve. Grupi hetimor ka arritur të konfirmojë se një shapkë e gjetur në afërsi të kufomës së Kosta Trebickës, i përkiste pikërisht viktimës së aksidentit. Në momentin e parë, por edhe disa ditë më pas, prania e shapkës pranë kufomës së biznesmenit 52-vjeçar ishte një moment i dyshimtë për ngjarjen. Pasi eksperti amerikan Kevin Teter dhe dy specialistë shqiptarë kryen këqyrjen e makinës dhe ekspertizën autoteknike të saj, hetuesit kanë kontrolluar automjetin dhe kanë gjetur aty shapkën tjetër, identike me atë që kishte mbetur në krahun e majtë pranë kufomës së Kosta Trebickës, në rrugën automobilistike Lekas-Voskopojë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare, sipas të cilave ditët e fundit në Prokurori ka mbërritur edhe lista e telefonatave dhe mesazheve hyrëse e dalëse në celularin e biznesmenit Kosta Trebicka. Nga kjo listë telefonatash (tabulatet), burimet e Prokurorisë së Përgjithshme thonë se nuk është vërejtur asgjë e dyshimtë, pasi që nga nisja e tij drejt Korçës dhe deri në momentin që u gjet i vdekur, Kosta Trebicka ka pasur telefonata me një rreth të ngushtë njerëzish. Për shkak se numri i këtyre personave ka qenë i vogël, edhe Prokurorisë e kompanive celulare nuk i është dashur shumë punë për të verifikuar secilin nga numrat si dhe personat e subjektet në emër të të cilave ata janë regjistruar.
Shpejtësia 40 km/h
Dy ekspertët shqiptarë që u angazhuan në hetimin e rrethanave të vdekjes së Kosta Trebickës, kanë bërë edhe përllogaritjen e shpejtësisë me të cilën po lëvizte automjeti në momentin e aksidentit. Specialistët shqiptarë të licencuar në fushën e autoteknikës, Daniel Xhamo dhe Gëzim Hoxha, kanë hartuar raportet e tyre mbi aksidentin pas një hetimi paralel që ata zhvilluan bashkë me ekspertin amerikan Kevin Teter. Të tre ekspertët në raportet zyrtare që kanë paraqitur në Prokurori, japin të njëjtin version për rrethanat e vdekjes së Kosta Trebickës, megjithatë dy specialistët shqiptarë kanë llogaritur se shpejtësia e makinës së Kosta Trebickës me targa TR 8843 J, ka qenë të paktën 40 kilometër në orë. Ky nivel shpejtësie i përllogaritur mbi bazën e katër koeficientëve të ndryshëm të fërkimit të marrë për terrenin ku ka lëvizur makina, është interpretuar nga ekspertët si shkak për përmbysjen e makinës në të djathtë, pasi drejtuesi kishte prerë fort timonin në të majtë.
Gomat e ngritura
Specialistët shqiptarë që u thirrën nga Prokuroria për të bërë analizën e rrethanave në të cilat vdiq Kosta Trebicka, e shikojnë edhe automjetin me të cilin udhëtonte biznesmeni si shkak për aksidentin. Sipas tyre, 52-vjeçari kishte bërë disa modifikime në makinë, të cilat kanë ndikuar në ngjarjen e ndodhur mesditën e 12 shtatorit në rrugën Lekas-Voskopojë në Korçë. "Së pari, prerja e kabinës së automjetit në pjesën e sipërme është bërë shkak që kufoma të dalë nga sedilja e drejtuesit të mjetit për shkak se nuk kishte vendosur as rrip sigurimi. Si pasojë e daljes nga kabina, trupi i biznesmenit në një pjesë të tij (koka, qafa dhe gjoksi) janë ndodhur nën peshën e automjetit, çka ka sjellë dëmtimet me pasojë vdekjen. Së dyti, gomat që i ishin vendosur automjetit të Kosta Trebickës, nuk ishin të llojit dhe të madhësisë së përshtatshme për atë makinë", thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, gomat me të cilat lëvizte automjeti ditën kur ndodhi aksidenti ishin më të larta se gomat e zakonshme dhe kjo ka dhënë efektin e vet në momentin e kthesës së fortë, pas së cilës fuoristrada "Nissan Patrol" Kabriolet u përmbys, duke zënë poshtë saj drejtuesin e mjetit.

Gruaja rrëfeu telefonatat me biznesmenin

TIRANE - "Një ndihmë e madhe në hetimin e ngjarjes së ndodhur me biznesmenin Kosta Trebicka kanë qenë dëshmitë e dhëna nga bashkëshortja e tij". Kështu janë shprehur dje burimet nga Prokuroria, sipas të cilave deklarimet e dhëna nga gruaja e 52-vjeçarit kanë ndihmuar grupin e hetimit në zbardhjen e një sërë detajesh dhe momentesh të rëndësishme për ngjarjen. Sipas Prokurorisë, bashkëshortja e të ndjerit, edhe pse në një situatë jo të lehtë për shkak të humbjes së bashkëshortit dha deklarime të plota dy ditë pas aksidentit, por edhe ca ditë më pas, duke ndihmuar hetuesit në përcaktimin e rrethanave të ngjarjes. Brunilda Trebicka mësohet se ka rrëfyer rrethanat në të cilat i shoqi është nisur në drejtim të Korçës dhe më pas ka treguar bisedat telefonike që ajo ka zhvilluar me bashkëshortin. Gjatë pyetjeve të tyre lidhur me këto biseda, hetuesit janë munduar të mësojnë nga gruaja e Trebickës nëse ajo kishte fiksuar diçka të veçantë mbi praninë e personave të tjerë me biznesmenin apo ndonjë rrezik apo dyshim që ai kishte. Në përgjigjen e njërës prej këtyre pyetjeve, gruaja e Trebickës u ka thënë hetuesve se më 11 shtator 2008 në mbrëmje ka qenë duke folur me të shoqin, kur ai kishte biseduar me persona të tjerë që duhej të ishin pranë tij. Koha kur është bërë telefonata përkon me orarin kur Trebicka po darkonte në hotelin ku ishte vendosur në Voskopojë, ndërsa në deklarimet e saj, gruaja ka pohuar se e kishte pyetur 52-vjeçarin për personat me të cilët po fliste dhe ai i kishte sqaruar se kishte biseduar me punonjësit e restorantit, duke vijuar të mbante të hapur telefonin gjatë bisedës me të shoqen që e kishte marrë nga Tirana. Edhe vetë gruaja e Trebickës kishte dëgjuar përmes telefonit kur 52-vjeçari kishte porositur një biftek dhe një pilaf për darkë.                        t.s

Dëshmitarët:Kosta Trebicka udhëtoi vetëm

TIRANE - Prokuroria ka arritur të identifikojë dhe marrë në pyetje një numër të madh dëshmitarësh, të cilët hedhin dritë në çdo pjesë të udhëtimit të Kosta Trebickës nga Tirana në drejtim të Korçës. Anëtarë të stafit të tij në aktivitetin e biznesit, por edhe familjarë të biznesmenit, kanë konfirmuar gjatë pyetjes në Prokurori se 52-vjeçari ishte nisur vetëm për në Korçë. Në këtë mënyrë Prokuroria është kujdesur të mësojë për ndonjë dëshmitar më tej dhe ka mësuar se gjatë udhëtimit për në Korçë, Kosta Trebicka kishte ndaluar te një mik i tij në Maliq. Ai kishte pirë një kafe aty, ndërsa miku i biznesmenit i pyetur nga hetuesit është shprehur se 52-vjeçari ishte vetëm me qenin e tij të gjahut të quajtur "Xhina". Më vonë hetuesit mbërritën në hotelin ku Kosta Trebicka fjeti mbrëmjen e 11 shtatorit. Personeli i hotelit ka dëshmuar për hetuesit se biznesmeni ka qenë i vetëm në momentin kur ka hyrë në dhomën e tij nr.107 atë mbrëmje, por edhe të nesërmen rreth orës 05:00 të mëngjesit, kur dëshmitari i dosjes "Gërdeci" është nisur i vetëm për gjueti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›