E Shtunë, 31 Tetor 2026

Enveristët, viktimat e një mashtrimi tragjik

Nga Blerim Gashani

Si dhe në shumë çështje të tjera, historianët tanë ende nuk kanë vënë pikën mbi çështjen e kryengritjes së vitit 1914 në Shqipërinë e Mesme. Ne ende nuk e dimë se a ka qenë aq e jashtëkohshme, si thonë disa, e dëmshme, si thonë të dytët, dhe një kryengritje e natyrshme, në kundërshtim të vendosjes së një princi të huaj në fronin e shqipeve, si thonë më të paktët. Ajo me çfarë ne mund të pajtohemi është se thirrja e tyre “Dum Babën!” ishte anakronike, e jashtëkohshme, e mjerë. Në një kohë kur fuqia, fryma dhe emri i sulltanit po venitej dhe po zhdukej në pakthim në tërë Perandorinë, edhe në Stamboll, disa rebelë po thërrisnin emrin e tij në Shqipëri. Kjo thirrje, bashkë me primitivizmin dhe mjerimin që ngërthen në vete, m’u kujtua mbrëmë, kur pashë pamjet nga tubimi për 100-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, që u mbajt dje në Sallën e Kuqe (simbolikë e dhimbshme kjo për njerëzit që kanë vuajtur dhe ende vuajnë nga murtaja e kuqe komuniste), në Prishtinë.

Krejt jashtë kohe dhe krejt pakuptueshëm, disa krijesa primitive po thërrisnin emrin e diktatorit shqiptar me një ekzaltim, që njerëzit normalë nuk kanë se si ta kuptojnë. Ata thërrisnin (apo mua më dukej) “Dum Babën! Dum Babën!”, në një kohë kur viktimat e Enver Hoxhës ende rrojnë dhe ende vuajnë nga regjimi i tij brutal.

Brohorisnin emrin e liderit më famëkeq që ndonjëherë kishte udhëhequr shqiptarët. Lider, i cili jo vetëm që kishte ndikuar për keq në jetën e tyre të përditshme, por edhe kishte kafshuar (e huazova këtë shprehje) pa mëshirë shpirtrat e tyre gjatë procesit 40-vjeçar të një hipnoze dhe një paranoje kolektive të pashembullt. (“Dum Babën” duhet të ketë menduar Enveri në Moskë më 1960, derisa po kundërshtonte me patetikë rishikimin e rrugës së babait të tij shpirtëror, Stalinit). Në Prishtinë, në “festë”, ishin ftuar edhe familjarë të diktatorit dhe “shokë” e bashkëpunëtorë të tij. Aty kishte edhe figura të njohura të skenës kosovare. Njerëz nga të cilët pritet shtet-ndërtimi i Kosovës. Shtetit, i cili edhe ekzistencën, edhe përparimin ua dedikon armiqve më të mëdhenj të Enver Hoxhës – shteteve “imperialiste” perëndimore.

Krejt jashtë rendit kronologjik të ngjarjeve, këto relikte të një keqkuptimi tragjik klithnin emrin e një njeriu, që përveç vuajtjeve, tmerreve, tradhtive, ekzekutimeve, burgjeve e kampeve të përqendrimit, ka lënë pas vetes edhe një perspektivë të vrarë për kombin, të cilin e udhëhoqi në theqafje. E drejtoi në izolim e në refuzim të vlerave njerëzore. Dje, në Prishtinë, brohoritej emri i tiranit që ka zhveshur jetën e miliona shqiptarëve nga çdo gjurmë humaniteti, duke etabluar një aparat të tillë dhune që detyron gruan të lajmërojë në organe shtetërore atë çfarë burri i saj i ka pëshpëritur një natë më parë, derisa kokat e tyre mbështeteshin në të njëjtin jastëk. Njeriu, që sistematikisht ka likuiduar elitën shqiptare, e cila përpara se të shihte regjimin më të poshtër të Evropës, radhitej krahas aristokracive të vendeve të tjera të rajonit, në mos ishte avangardë e tyre. Një njeriu, që ka aplikuar tortura të tilla, shpirtërore dhe fizike, që ishin harruar në Evropë që moti, dhe të cilat ishin larguar shumë nga torturat e abuzimet e aparateve të tjera komuniste, në shtetet lindore.

Dje, si në një agoni, ata thërrisnin e duartrokisnin... Së pari herë në jetën time, dyshova mos po bëhemi shumë liberalë, mos po bëhemi më katolikë se Papa. Pse të lejojmë tubimin për një njeri, viktimat e të cilit ende rrojnë, e të cilëve askush nuk iu ka kërkuar falje (edhe në këtë moshë të shtyrë, vejusha rrenacake e diktatorit nuk kërkon falje, por vazhdon fyerjen e madhe të këtij kombi)? Pse të lejojmë brohoritje për njeriun, i cili ka vrarë, bashkë me dhjetëra-mijëra shqiptarë, edhe ardhmërinë e tyre? Derisa mohimi i Holokaustit dënohet më ligj në vendet më demokratike në botë, pse mos të dënohet mohimi i komunizmit në hapësirat tona? A ende kemi dyshime për këtë?! A kemi menduar se ku do të ishin shqiptarët, po të mos frynin erërat e ndryshimit këndej perdes së hekurt dhe pinjollët e liderit dhe ata, që ishin mbrëmë mysafirë në Sallën e Kuqe, të udhëhiqnin ende Shqipërinë? Shqiptarët do të jetonin “të lumtur”, duke shijuar frytet e revolucionit komunist botëror, protagonistë të vetëm të të cilit do të ishin në Evropë. Do të jetonin në një fshat Potemkin, të madh dhe me shumë ngjyra, të cilat vetëm ata do t’i shihnin. Do të ishin personazhet e romanit “1984” të George Orwell-it, të zhytura në dashuri të thellë për Vëllanë e Madh. Dhe krijesat primitive të këtij manipulimi do të brohorisnin emrin “Enver” me dashuri, derisa të shkriheshin në vaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›