E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turpet tona: nga Nexhmija te Fazlliç

Nga Ardian Ndreca

Para pak ditësh Nexhmije Hoxha u shfaq në nji intervistë televizive dhe paraqiti vizionin e saj të historisë, mbrojti me rigorozitet sofist vijën e të shoqit, shfajësoi vetveten dhe justifikoi deri në fund komunizmin shqiptar si periudhë historike.

Nuk e kuptoj se çka ka me u revoltue dhe me çue zanin kundër saj!

Kush asht ai budalla që pret që Nexhmije Hoxha të thotë në nji emision televiziv se i shoqi ka qenë nji kriminel, se ajo ka marrë pjesë aktive në krimet e tija, se llogaritë e veta në valutë të huej nuk janë kërkue kurrë dhe nuk janë gjetë asnjiherë?

Për të gjithë njerëzit, përfshi edhe Nexhmijen, vlen parimi i vjetër juridik: askush nuk akuzon vetveten (nemo tenetur se ipsum accusare). Mandej, ajo nuk asht shque kurrë si nji shpirt i bukur me ndjeshmëni t’atillë sa mos me i lanë me fjetë natën familjet tek ish-pularia prej brejtjeve të ndërgjegjes e prej dënesave!

Nexhmija thotë se Enveri nuk ka qenë diktator, por thjesht nji personalitet i fortë. Se Miladini nuk i mësoi gja Enverit, mbasi nuk dinte gjuhë tjetër përpos serbishtes, por ishte Enveri ai që e instruktoi Miladinin. Si e mësoi mbetet mister, meqë as Enveri nuk dinte serbisht!

Mandej, ajo përmend sukseset e Enverit, pranon se janë ba gabime, por janë ba pa keqdashje, se ajo vetë nuk i kërkon falje askujt, se udhëheqja në Shqipni kishte drejtim kolegjial dhe përgjegjsitë ishin të përbashkëta, se ajo vetë ka qenë nji lloj Kësulëkuqjet e brishtë që ka ba vetëm rolin e ndërlidhëses mes Enverit dhe partisë, se andrron në nji rehabilitim të shpejtë të figurës së Enverit etj., etj.

Nuk thotë sigurisht asnji fjalë për vrasjet me dhe pa gjyq, dënimet, burgjet e tmerrshme, bunkerat e kotë dhe armët e stërkota që, mbasi hangrën të ardhunat kombtare, tash 17 vjet hanë jetë njerzish dhe pasunojne politikanët tanë mafioza, asnji fjalë për mbrapambetjen e gjithanshme, për terrorin e vazhdueshëm, për mungesën e lirive ma themelore, për izolimin pa arsye të vendit, për shkeljet flagrante të vetë vijës marksiste për oportunizëm personal.

Ma tepër se nji regjim komunist, regjimi i Tiranës përfaqsonte nji despotizëm oriental, ku kapobanda kishte të drejtën me ndryshue vijën dhe ligjet sa herë të kishte qejf, mjaft që të siguronte pushtetin e tij.

Shumëkujt i bane përshtypje pyetjet e shpëlame të gazetarës, e cila edhe po të kishte qenë me prejardhje prej Surinamit, do ta kishte drejtue ma mirë intervistën.

Tue i lanë në nji anë mëkatet jo të vogla të logjikës së diskursit të shoqes Nexhmije, mëkate që rrjedhin prej deformimit shpirtnor dhe çthurjes etike të saj, si edhe prej kohës së gjatë që ajo jeton në këtë deformim antropologjik - mund të themi se prej saj nuk mund të pritej as ma shumë e as ma pak se kaq.

Ideja kryesore që del prej ligjërimit të Nexhmijes asht se vendimet dhe gabimet (jo fajet) ishin kolektive, ndërsa meritat ishin personale, pra të Enverit. Meqë gabimet ishin kolektive, kjo gja simbas saj ban që askush të mos dënohet apo të kërkojë falje sot.

Kolektiviteti paraqitet si nji qenje anonime, si nji alibi për krimin shtetnor të atij regjimi.

E kotë me shtue se kjo linjë nuk ka asnji bazë logjike apo ligjore, mbasi kriminela shumë ma të justifikuem nga ana formale ligjore sesa Nexhmija dolën mbas Luftës së Dytë Botnore në Gjyqin e Nurnbergut dhe bile u dënuen me vdekje.

Por Nexhmije Hoxhën, Ramiz Aljen (Alinë) dhe klanin të tyne asnji gjykatë demokratike nuk i ka dënue për krime të randa, për genocid, për terror masiv: fizik dhe psikologjik, për shkatrrim sistematik të pasunive kombtare, për tortura, për grabitje me dhunë të pasunive të tundshme dhe të patundshme, për uzurpim të sovranitetit, për urrejtje fetare, për krime ekologjike.

Turpi i Shqipnisë asht se Nexhmije Hoxhën nji gjykatë e sistemit demokratik e ka gjykue si fajtore dhe e ka dënue vetëm për disa shpërdorime... për disa kafe pa faturë.

Mue më vjen turp që jam shqiptar, jo kur shoh koherencën e Nexhmijes me vetveten – pra me të keqen që personifikon bindshëm - por kur mendoj se trupa të tilla gjykuese kanë njollosë përgjithmonë emnin e drejtësisë në vendin tonë.

Kur vetë sistemi demokratik e ka dënue Nexhmijen për shpërdorime kafesh, atëherë kush do ta gjykojë drejtësisht?

Kur vetë ligji ka folë për të me nji gjuhë kaq të lehtë, pse u dashka që sot Nexhmije Hoxha të ketë nji ndjenjë faji ma të randë se shumë politikanë të korruptuem dhe mafioza e biznesmenë të drogës dhe të gjitha tregtive të paligjshme që kapardisen mes Tiranës dhe kurdisin jetën politike dhe ekonomike shqiptare?

Në fund të fundit, ajo vetëm disa kafe ka vjedhë!

Pushteti demokratik në këto dekada nuk ka ba asgja për dekomunistizimin e shoqnisë shqiptare. Dikush gjoja revoltohet që nji individ si Aranit Çela shetit i qetë rrugëve të Tiranës, në nji kohë kur nuk i ban asnji përshtypje fakti që gjykatës që gjatë komunizmit kanë dhanë dënime me vdekje për motive politike mbulojnë sot role me randësi parësore në gjyqsorin e sistemit demokratik.

A nuk asht nji turp që janë dashtë gati dy dekada që parlamenti shqiptar të dënonte krimet e komunizmit?

Por duket se dy dekada nuk mjaftokan që të ish-të përndjekunit politikë të marrin damshpërblimet dhe ish-pronarët të marrin vlerat e grabituna prej shokut Enver dhe shoqes Nexhmije dhe zhganit të tyne. Ndërkaq që ende s’dihet a do të hapen me të vërtetë dosjet e shumëpërfoluna.

Hipokrizia e nji pjese të së djathtës shqiptare asht e padurueshme, pse kujtohet për Nexhmijen, vetëm kur ajo akuzon kryeministrin se vjehrra e tij paska qenë agjente e UDB, apo kur tregon se ai vetë paska qenë nji komunist fanatik aq sa s’i paska la duert mbasi i ka shtrëngue pëllambën Enver Hoxhës.

Përgjegjësit e diktaturës si Nexhmija Hoxha e Ramiz Alja e kaluen lumin në kambë dhe sot e rrëfejnë të qetë historinë njilloj siç e shkruenin dje: tue përzi nji të vërtetë me njiqind rrena.

Kjo ka ndodhë, pse sundimtarët e rinj kanë mendue vetëm sesi me u pasunue në mënyra të paligjshme me nji babëzi mongoloide: fillimisht tue zhdukë ndihmat që vinin prej jashtë, mandej tue thye embargon ndaj Jugosllavisë dhe tue shitë karburant dhe armë, mandej tue shitë municione, tue organizue trafiqe, tue grabitë doganat, tue ndërtue monopole familjare, tue privatizue pasunitë shtetnore në mënyra banditeske etj., etj.

Monstra të këtilla të padenja që e kanë përlye emnin e demokracisë, nuk mund të fyenin ma tepër popullin shqiptar veç tue dënue nji individe si Nexhmije Hoxha për shpërdorim kafesh!

Do të thotë dikush se asokohe ishte presioni i Europës, se e ardhmja e vendit dhe integrimi mvarej tek qëndrimi i zbutun dhe jo hakmarrës ndaj përgjegjësve të diktaturës...

Shihni rezultatet: kanë kalue 17 vjet dhe as në Europë nuk kemi hy dhe as drejtësia nuk ka triumfue.

Bile padrejtësive të kohës së Nexhmijes u janë shtue padrejtësi të reja: firmat piramidale, Gërdeci, korrupsioni mbretnues, e tash në fund Damir Fazlliqi, nji aventurier mashtrues boshnjak që paska qenë shpresa e nji qeverie që donte gjoja me na çlirue prej korrupsionit dhe krimit.

Nji qeverie me kukulla të paafta dhe me të korruptuem i mungonte vetëm nji mafioz boshnjak për me e çue deri në fund misionin e vet shkatrrimtar.

Që ne nuk kemi nji sistem drejtësie në gjendje me e luftue realisht krimin e tregoi ardhja dhe ikja e Fazlliçit në Tiranë pa u paraqitë në prokurori. E tregoi presioni i turpshëm mafioz ndaj prokurores Ina Rama, por e kanë tregue ma parë edhe sulmet ndaj presidentit Topi.

E kanë tregue kërcënimet me vdekje ndaj nji deputeti të popullit në sallën e Kuvendit, e ka tregue shantazhi dhe gjuha mafioze ndaj gjithë atyne që mund të flasin kundër klanit të kryeministrit – mbasi ai për të gjithë ruen nji dosje, nji sekret, nji kumt makabër.

Në vitet e qeverisjes së tij demagogjia politike në Shqipni asht ba ma familjare se vetë futbolli.

Koha e sotme paraqet vijimsinë e vet ma të madhe me kohën e Enver Hoxhës në vokacionin despotik të këtij individi dhe në përdorimin e demagogjisë (rrenës së organizueme në rang sistemi) si mjet të vetëm për me mbajt pushtetin.

Qytetari shqiptar e kupton fort mirë se sot problemi urgjent nuk asht Nexhmija, e cila edhe po të jetojë 200 vjet po ato gjana do të përsërisin, problemi asht se demokracia dhe politika shqiptare duhet të gjejnë forcat për me u çlirue prej peshës së zhganit kriminal dhe mafioz që po e mban peng, dhe asht po ai zhgan që ka mundësue në këto vite që Nexhmija e Institutit të Studimeve marksiste-leniniste të vinte e të na mbante leksione historie në vjeshtën e vitit 2008 në studion e nji gazetareje që atë ditë përfaqsoi denjësisht vetëm mënyrën habitore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›