Artan Shabani: Piktura ime e mërguar!
Artan Shabanit i ka mjaftuar vetëm një dekadë për t’u admiruar ekskluzivisht me veprat e tij nëpër galeritë ndërkombëtare. Pavarësisht viteve që ka nisur të pikturonte ka qenë kjo dekadë koha e duhur ku ai ka derdhur pareshtur energjinë, talentin, zgjuarësinë, pasionin, elegancën, të cilat sot kanë lënë shijen e një suksesi të paimagjinueshëm që është shenjuar me çeljen e ekspozitave në Itali, në Francë, në Principate të Monakos, në Spanjë dhe kohët e fundit një tjetër ekspozitë në Stamboll. Artani është ende i ri dhe sillet energjik, i papërtuar, sfidant. Artistin nuk e sheh kurrë të lodhur ose të dëshpëruar. Në portretin e tij gjen atë lirinë e gëzimit të jetës, dhe shumë etje për të zbuluar të bukurën, mandej për ta krijuar atë. Ai duket se është i shenjuar që në krye të herës të ketë talent e të shkëlqejë e ta shkëlqejë edhe tablonë. Gjithçka brenda tij është në lëvizje. Artisti nuk gjen dot prehje prej pasionit, ideve, vajtje-ardhjeve nga Shqipëria në Itali ku banon prej vitesh e anasjelltas. Po kështu ndodh edhe me pikturat e tij. Ato nuk gjejnë dot prehje prej ngjarjeve që lidhen me to, janë lëvizjet që transmetojnë së pari, janë ekspozitat, janë koleksionet, janë galeritë. Kaq aq shumë jetë piktorike në këto lëvizje dhe kjo mban firmën Artan Shabani. Veprat e tij për më shumë se një dekadë udhëtojnë kudo, ndërsa mësojmë se shumë të tjera i kanë “ikur duarsh” për të banuar në shtëpitë e adhuruesve të pikturës. Jo rrallë herë pikturat e tij janë blerë nga koleksionistë të njohur e disa të tjera janë në shtëpitë e njerëzve të famshëm. Piktorit shqiptar Artan Shabani i janë blerë vepra nga politikani Romano Prodi, apo aktori i shquar Franco Nero, e deri nga familjet miliardere italiane siç është familja Agnelli që ka blerë disa vepra të tij. Megjithatë pak flet për gjithë këto arritje, kupton në bisedat me të se ai beson se arti dhe artistët kanë lidhje me të ardhmen dhe e quan fisnike çdo punë që bëhet me art dhe për artin. Ai është njëkohësisht edhe themeluesi i një galerie shumë prestigjioze në Vlorë, e quajtur “Promenade Gallery”, e ngritur larg metropolit, Tiranës, por që ka një vizion interesant, së cilës i duhet për të pasur sukeses shija dhe intuita e hollë e tij. Është nga ata artistë që kanë shumë vizione në kokë, të cilat duke ndjekur nga afër bienalet, panairet, muzeumet e ndryshme, studiot e artistëve, jetët e artit arrin t’i bëjë sfidë brutalitetit të jetës së përditshme. Nuk është nga ata tipa që mbyllen në botën ose studion e tyre, atij i pëlqen bashkëpunimi me artistët me grupe grupe artistësh, riskon, rrezikon, por pas kësaj një gjë e mirë lë shenjë. Nganjëherë të duket sikur ai me brezin e tij kërkojnë të bëjnë epokë, sepse Artan Shabani beson se çdo epokë lulëzon nëpërmjet artit dhe mbyllet me mbarimin e tij. Me këtë stimë lëvizjeje dhe energjie në karakter ai është nga ata piktorë që kërkon jo vetëm stilizime, ngjizje, por edhe krisje në art. Tematika e veprave të tij pareshtur ndryshon. Arti i tij vjen nëpërmjet një transparence dhe ngjyrave shijuese. Nuk nguron të trajtojë gjthçka. Ka raste që edhe tema historike zë një vend jo të vogël, por megjithatë ajo serviret me misticizmin që zbret përmes frymës së njeriut, individit. Hera- herës Artan Shabani rreket të bëjë skulptura dhe instalacione. Pra është gjithmonë në kërkim të gjuhës eksperimentale në pikturë dhe të befason jo rrallë kur mjeshtërisht të pikturuara personazhet e jetës, portretet humane i qasen telajos si metamofoza që ruajnë një vual misteri. Para pikturës së Artan Shabanit të ndodh të ndihesh një spektator që shokohesh nga befasia e prekjes me sy, provokohesh nga joshja e “të ngrënit me sy” të llojit të ngjyrës e të çdo detaji që e zhbiron në zemër të telajos e kështu nis reflekton në bisedat imagjinare me artistin. Kjo jetë në pikturë dhe në shpirtin e Artan Shabanit e ka bërë atë të famshëm sot jo vetëm në Itali, mërguar prej vitesh, por në shumë e shumë vende e ngjarje të artit, të cilat do të na i rrëfejë në intervistën për gazetën “TemA”.
II.
Dhurata Hamzai: Zoti Artan, ajo që dimë për ju është fakti që jeni një piktor shumë i njohur, e tashmë ju jeni bërë me veprat tuaja një "vizitor" jo vetëm i galerive në Shqipëri, Ballkan e Europë, por edhe në vende të tjera të botës.
Janë mbresëlënëse sukseset e tua me çeljen ekspozitave në
Itali, Francë, Principate të Monakos, Spanjë dhe kohët e fundit një tjetër ekspozitë në Stamboll. Cili mendoni se është çelësi i suksesit tuaj?
Artan Shabani: -Faleminderit për vlerësimin. Më vjen mirë që karriera ime si piktor vlerësohet në vendin tim, në të cilin jam paraqitur si artist shumë herë më pak se gjetkë. Është e vërtetë që gjatë udhës së karrierës
sime si artist, karrierë kjo e cila është zhvilluar kryesisht jashtë Shqipërise, kam pasur fatin e madh të vleresohem dhe çmohem nga një numër i madh koleksionistësh, profesionistësh dhe dashamirës së artit të cilët kanë besuar tek arti im dhe vazhdojnë të më qëndrojnë
besnikë. Pra, çelësi i suksesit, nëse do t’i referoheshim si
sukses, është vazhdimësia e kësaj dashurie për punën time, gjë të cilën e çmoj më shumë se gjithçka tjetër.
Dhurata Hamzai: Cilat janë marrëdhëniet e tua me kritikën e pikturës, me koleksionistët dhe galeritë e artit në vende të ndryshme të botës?
Artan Shabani: -Siç dhe e thashë më lart, kam pasur fatin që marrëdhëniet e mia me kritikën dhe profesionistët e artit, por edhe me koleksionistët dhe artëdashësit e pikturës, t’i kem të shkëlqyera. Kjo marrëdhënie është
ndërtuar mbi baza të forta besimi dhe korrektese reciproke dhe është kjo arsyeja kryesore e jetëgjatësisë sime si artist. Është shumë e rëndësishme, bile do të thosha kapitale të mos zhgënjesh askënd në rreth njëzet vjet karriere. Historitë dhe marrëdhëniet e bukura janë
ato që i rezistojnë kohës, të shkurtrat zakonisht klasifikohen si gabime gjatë udhës.
Dhurata Hamzai: Ju jeni njëkohësisht edhe themeluesi i një galerie shumë prestigjioze në Vlorë, “Promenade Gallery”, e ngritur larg metropolit, Tiranës, por që ka një vizion interesant dhe ka anëtarë artistë shqiptarë e të huaj. A mund të na tregoni se e kujt ishte ideja e ngritjes së kësaj galerie në qytetin tuaj të lindjes dhe si funksionon ajo aktualisht?
Artan Shabani: -Ju falenderoj për vlerësimin e galerisë. Ideja për të hapur një galeri bashkëkohore ka qenë një ide fikse prej shumë vitesh. Qyteti i Vlorës kohët e fundit e ka pasuruar atmosferën artistike dhe kjo më bindi ende më shumë që të investoja pikërisht në këtë qytet. Ne gjykimin tim Vlora është një qytet me potencial të jashtëzakonshem, falë bukurisë dhe pozicionit të saj gjeografik, por falë edhe historisë së saj të pasur. E kam përmendur gjithnjë që të investosh në art është një kundërshtim i "përshtatjes me rutinën" që herë-herë ndodh në brutalitetin e jetës së përditshme. Sigurisht investimi në art është ende një nocion elitar i cili mbetet ende i lokalizuar tek një shtresë sociale e privilegjuar. Por, ndërkaq, arti në vetvete është demoktatik dhe mundëson komunikim të lirë me këdo. Ndërkaq, themelimi i një galerie është diçka që ndoshta në aparencë duket i lehtë, por në fakt ajo çka lipset për një ndërmarrje të tillë është mbi të gjitha intuita dhe një vizion artistik, të cilat kultivohen duke investuar në njohje dhe duke ndjekur nga afër aktivitete si bienale, panaire, muzeume të ndryshme, studiot e artistave, etj.
Dhurata Hamzai: Çfarë rëndësie ka për ju një ekspozitë në Turqi. A ka ndryshim ekspozimi juaj në këtë shtet nga shtetet e tjera të botës ose të Europës?
Artan Shabani: -Rëndësi të jashtëzakonshme, si gjithë ekspozitat e tjera. Për sa më takon, çdo ekspozitë është e rëndësishme për vetë faktin se është ballafaqim, një formë pra komunikimi me publikun. Ekspozita ime në
kryeqendrën artistike të Stambollit, Beyoglu, dhe pikërisht në Galerinë Mavi Kum, është ballafaqimi im i parë me publikun kozmopolit të këtij qyteti përrallor, publik ky i cili ka një sofistikim shekullor për nga pikëpamja artistike, fenomen ky më se natyral duke pasur parasysh rëndësinë kapitale të këtij qyteti gjatë gjithë kohërave. Pra, paraqitja për herë të parë në këtë qytet realisht një është sprovë artistike. Përgatitja e kësaj ekspozite kërkoi rreth një vit pune serioze dhe suksesi i saj u arrit falë bashkëpunimit me një nga profesionistet më të respektuara të artit pamor që unë njoh, me të cilën kam pasur rastin të bashkëpunoj disa herë.
Dhurata Hamzai: Me cilin nga ciklet krijuese do të prezantoheni dhe mbi cilin vizion janë krijuar veprat e ekspozitës së Stambollit?
Artan Shabani: -Për këtë ekspozitë të parë në Stamboll u pa e arsyeshme që të paraqitej një pjesë e ciklit tim "Homo Balkanicus", por jo vetëm kaq. Përzgjedhja e punëve është bërë mbi bazën e idesë së kuratores së ekspozitës, «Foreigners, ma non troppo” (Të huaj, por jo shumë), ide e cila, duke u nisur nga një lojë fjalësh me terminologji muzikore, e merr si të mirëqënë faktin se publiku stambolljot është i familjarizuar me shqiptarët dhe Shqipërinë, të cilët edhe pse nuk janë vendali, mbeten gjithësesi jo edhe aq të huaj për një vend si Turqia dhe kjo falë lidhjeve tona shekullore të mirënjohura.
Dhurata Hamzai: Jetoni prej vitesh në Itali dhe jeni një djalë modern në koncepte dhe mënyrën e jetesës, ndërsa në pjesën më të madhe të veprave tuaja, skena e artit është larg realitetit ku jetoni. Jo rrallë herë shfaqet një regres nostalgjik, tepër nostalgjik në mendim e shije. E kam
fjalën për ciklin njeriu i Ballkanit, ose “Homo Balkanicus” që e titulloni ju. A mund të na thoni cili është receptimi i kësaj gjendjeje piktorike që ju e shfaqni me ngjyrë të bardhë?
Artan Shabani: -Ekziston në pikturen time të viteve të fundit një fill lidhës që është "Homo Balkanikus". Pikërisht gjatë këtij cikli kam përdorur jo rrallë
monokromatine, e mbajtur zakonisht me të bardhë, me sfumatura graduale të grisë deri në të zezë, referime dhe trajta të qarta dhe mjaft thelbësore të karakterit të shqiptarit në gjykimin tim si artist. “Njeriu i Ballkanit” brenda vetes përmban një energji të madhe vitale shumë të spikatur. Jetojmë në një kohë që ka për qëllim homogjenizimin e njeriut dhe për aq sa mundem kërkoj të nxjerr në pah veçantinë e kulturës nga e cila vij. Kjo është esenciale për një artist, veçoria që ai përfaqëson. “Njeriu i Ballkanit” është një studim piktural, nuk është thjesht një pranim i tendencave të modës në art, por si një rezultat i ndjesisë pesonale.
Dhurata Hamzai: Gjatë rrugës tuaj në art, kur dhe ku janë shfaqur kthesat e fuqishme; më tepër në stil, në ngjyrë, në koncepte, apo në tematikën e pikturës?
Artan Shabani: -Do të thosha në koncept dhe në tematikë. Ndërsa stili kultivohet me ngadalë dhe sigurisht është pjesa artizanale ajo që i jep karakter dhe veçanti. Koncepti dhe tematika janë pjesët e evolucionit ideor dhe
shpirtëror në kohë dhe hapësirë dhe nuk mundem t'i ndaj kaq lehtë në kategori. Kthesat e mia nuk kanë qenë të fuqishme pra, evolucioni im ka qenë i natyrshëm në raport me idenë dhe gjendjen time shpirtërore në një vend dhe kohë të caktuar, të ndikuar nga vetë personaliteti im. Për konceptin në art kanë shkruar shumë filozofë e kritikë. Besoj se është më e vendit që t’u lihet atyre të flasin për këtë fenomen që i kalon kufijtë e të prekshmes.
Dhurata Hamzai: Cilat janë marrëdhëniet e tua me ngjyrat. Cilat dashuroni më tepër dhe në cilat forma shfaqen ato?
Artan Shabani: -E kam të pamundur të diskriminoj ngjyrat. Raporti im me ngjyrat është vital sepse unë komunikoj me to. Nuk mundem t’i ndaj në ngjyra pak të
preferuara, pak të dashura, apo të shëmtuara. Ngjyrat për mua jane si gërmat, të duhen të gjitha për të thënë atë që dëshiron të komunikosh. Edhe ato ngjyra që në pamje të parë shfaqen si jo shumë joshëse, janë ngjyra që në një moment të caktuar të ndihmojnë për të përçuar një emocion. Pra, t’i diskriminosh, nuk më duket e vendit.
Dhurata Hamzai: Cila nga ngjyrat që ti përdor është ngjyra e filozofisë tënde, ngjyra e mendimit mbi jetën dhe mbi botën?
Artan Shabani: -Kur bëhet fjalë për ngjyrat e filozofisë së mendimit tim, jetës dhe botës në tërësi mund t’ju them se ngjyrat janë nga më të larmishmet, ndoshta shpesh herë edhe ato nuk mjaftojnë për të shprehur gjithçka. Në këtë rast të veçantën e krijon detaji, i cili karakterizon kompozimin e formës me ngjyrën. Do të thosha që e veçanta në pikturën time është shqiptariteti im, identiteti dhe mitologjia shqiptare, të cilat në aparencë ngjasojnë disi me ato ballkaniko-heleniste, por në të njëjtën kohe janë shumë të ndryshme dhe unikale. Kërkoj tek e veçanta e filozofisë sime komunikimin dhe ndjesinë e vlerave të menduara, të dëshiruara, që një vepër të reflektojë si është formuar kultura dhe ideja për artin. Arti ka kërkuar gjithnjë të shprehë në imazhe raportin kozmik dhe absolut, duke ndërtuar idealisht një qendër dhe kjo është e mundur
kur arti është i sinqertë.
Dhurata Hamzai: Cila nga ngjyrat që ti përdor është ngjyra e dashurisë dhe cila është ngjyra e erosit?
Artan Shabani: -Do të thosha ngjyra velature, mbasi ka një trasparencë e cila komunikon më ndjeshëm dhe me delikatesë. Ndërsa për rastin e dytë do të thosha gama e ngrohtë e të kuqes në vishnje të thellë, por do të shtoja që çdo artist ka mënyrën e vet të ndjesisë së ngjyrës dhe ndjenjës. Si artist mbetem gjithnjë në kërkim dhe në eksperimentimin e ngjyrës dhe teknikave të ndryshme. Kjo krijon një pasuri të eksperiencës dhe gradualisht zhvillimin e personalitetit artistik.
Dhurata Hamzai: Pak ditë më parë në Galerinë Kombëtare të Arteve ju bletë punën e një artisti tjetër, të Leka Tasos, ishte tabloja "Pijetari". Çfarë ju tërhoqi në kaq shumë në veprën e një artisti, me një stil të ndryshëm nga juaji?
Artan Shabani: -Puna e Tasos më pëlqeu dhe dëshirova ta kisha pjesë të koleksionit tim së bashku me një mori punësh të artistëve të tjerë. Shpresoj që të mos jetë kjo e vetmja punë nga artisti në fjalë. Mendoj se artisët duhet të krijojnë natyrshëm një koleksion nga punë të kolegëve ashtu siç dhe ka qenë gjithmonë, sepse nuk është aspak e jashtëzakonshme që artistët të blejnë ose shkëmbejnë punë me njëri-tjetrin.
Dhurata Hamzai: Kur një artist, ose piktor blen një vepër tuajën, si silleni me të në marrëdhënie me çmimin real që ka vepra dhe si ndiheni në këtë rast?
Artan Shabani: -Jam padyshim tolerant përsa i përket marrëdhenies së vlerës së punës kur bëhet fjalë për kolegët. Vlerësimi, gjesti dhe dëshira për të pasur punë në koleksionet e kolegëve janë më të rëndësishëm se sa vlera materiale. Ky është fenomen më se i natyrshëm.
Dhurata Hamzai: Cilat janë relacionet që mbani me Shqiprinë, me institucionet e saj të kulturës, ndërkohë që rruga e gjatë e karrierrës suaj është “shkruar” në Itali?
Artan Shabani: -Duke jetuar jashtë Shqipërisë i kam hasur rëndom stereotipet tona institucionale me të cilat ndeshemi dhe që në mentalitetin e tyre e inkuadrojnë artin tonë në sektorin e kulturave margjinale. Mund të them se realiteti institucional shqiptar për sa i përket kulturës është i veshur nga një vello opake prekonceptesh, mungesë dinamizmi dhe vizioni. Institucionet e kulturës dhe ato të diplomacisë kulturore duhet të dinamizohen, të kërkojnë dhe sigurisht të jenë pararojë në ndërtimin e imazhit i cili është në lëvizje permanente. Sigurisht që kjo në rradhë të parë do të thotë që përparësi duhet t'i jepet trajnimit të personelit të punësuar në institucione kulturore dhe këta punonjës me intuitë e ide të qarta duhet të punojnë për të trajtuar imazhin e artit dhe kulturës shqiptare.
Ndërkaq, nga Shqipëria kanë dalë jo vetëm artistë por edhe profesionistë në fushën e artit të cilët e kanë ndërtuar karrierën e tyre jashtë realitetit shqiptar dhe është për të ardhur keq që gjithë ky asenal që përbën pasuri për Shqipërinë nuk kanalizohet për të potencuar kulturën dhe artin shqiptar në rang institucional shtetëror.
Këtë do ta quaja militantizëm artistik dhe për këtë lloj militantizmi kanë shkruar dhe kritikë arti si Stefano Zecchi, Vittorio Zgarbi, etj. Pra, nuk është fenomen i panjohur, përkundrazi është një fenomen i cili është i domosdoshëm dhe më se i natyrshëm.
Dhurata Hamzai: Afërsisht sa vepra kanë blerë italianët me firmën e piktorit shqiptar Artan Shabani?
Artan Shabani: -Është e vështirë të njoh numrin ekzakt të punëve të cilat gjatë viteve janë shpërndarë në koleksione të ndryshme, por do të thoja që është më e rëndësishme për artistin jo numri i punëve, por prestigji i vendeve ku ato ndodhen të ekspozuara.
Dhurata Hamzai: A keni dëshirë të kujtoni hapat e parë në karierrën tuaj, si nisi fama juaj, cila vepër ose cili nga ciklet piktorike u bë shkak?
Artan Shabani: -Fillimet nuk janë të lehta dhe hapat e parë në karrierën artistike janë si ato të një fëmije i cili kërkon të mbajë ekulibrin dhe kur rrëzohet kërkon të mbahet e të vazhdojë të eci me këmbët e tij. Fama është fjalë e madhe. Ajo arrin pa kuptuar, por është e vështirë ta mbash atë, pasi arritja e famës nuk është finalitet. Është emri i mirë i artistit që i reziston kohërave çmimi i vërtetë i famës dhe i vlerave të tij.
Piktorë që kanë qenë inkurajues dhe që unë kam mësuar prej tyre janë Xhorxhi Fore Tralo, i cili me dashuri dhe durim më mësoi hapat e para në pikture, më vonë kane qenë dhe artistët si Jonuzi, Dine, Sassu.
Dhurata Hamzai: Meqë ra fjala, a mund të na thoni se a cikle piktorike, zhanre apo zeje të artit keni nxjerrë në dritë deri më sot?
Artan Shabani: -Ciklet kanë qenë të ndryshme në periudha të ndryshme. Por po veçoj këtu ciklin "mediterraneo" me peisazhe mesdhetare nga Spanja, Italia,
Franca, Malta, Shqipëria, Greqia e Portugalia. Cikle të tjera kanë trajtuar seri me figura nga kulturat afrikane apo një cikël me temë muzikore. Cikli i fundit është “Homo Albanicus” me serinë Monokromakia.
Dhurata Hamzai: Cili person apo galeri mban sot pikturën tuaj më të mirë?
Artan Shabani: -Një nga punët më të mira nga cikli “Mediterraneo” gjendet në koleksionin permanent të Pohjanman Muzeumit në Finlandë. Nga cikli muzikaliteti në pikturë, një pune shumë e spikatur gjendet në
koleksionin privat të familjes Aimer Mecenates. Punët e ciklit “Homo Albanicus” dhe “Homo Balcanicus” ndodhen në vende të ndryshme dhe është e vështirë që të them kush ka punën më të mirë. Mund të përmend që një punë e rëndësishme është në koleksionin privat të familjes së kontit Durazzo në Monte Karlo. Ndërkaq, do të dëshiroja që më e mira të ishte në një muzeum shqiptar.
Dhurata Hamzai: Cili person apo galeri mban sot pikturën tuaj më të keqe?
Artan Shabani: -Sigurisht qe në se kam të tilla, qëndrojnë tek unë dhe nuk dalin....
Dhurata Hamzai: Cili person apo galeri mban sot pikturën më të dashur, që s’do të donit kurrë ta shisnit?
Artan Shabani: -Sigurisht që këtë pune e mbaj dhe nuk e shes....
Dhurata Hamzai: A keni riblerë ndonjë nga pikturat e shitura kohë më parë?
Artan Shabani: -Kam blerë disa dhe jam tepër i interesuar të riblej të gjitha punët e viteve të liceut. Janë peisazhe nga Narta, nga Uji i Ftohtë, natyra të qeta e portrete modelesh. Kushdo që i ka këto punë mund të më
kontaktojë për të trajtuar çmimin tek kjo adresë.
info@thepromenadegallery.org
Dhurata Hamzai: Çfarë të bën më shumë emocional në jetë?
Artan Shabani: -E reja, gjithçka e re është interesante dhe emocionuese; një pikturë e re, një peisazh i ri, një qytet ende i pashkelur.
Dhurata Hamzai: Kur bëhesh më shumë deklamativ ose patetik?
Artan Shabani: -Une jam artist dhe si i tillë nuk mund të mos jem patetik dhe deklamativ. Potencimi i gjendjes ndihmon të komunikosh një ide ose një emocion. Nuk njoh artistë që u mungon patetizmi. Vuajmë të gjithë nga kjo sëmundje.
Dhurata Hamzai: Kur bëhesh më shumë melankolik?
Artan Shabani: -Kur largohem nga Shqiperia dhe kur përfundoj një ekspozite.
Dhurata Hamzai: Çfarë të ka bërë më shumë të gëzuar në jetë?
Artan Shabani: -Gëzimin më të madh e kam pasur, si çdo prind, kur lindi djali.
Dhurata Hamzai: Çfarë është një grua për ty në pikturë dhe cfarë është një grua për ty në jetë?
Artan Shabani: -Në pikturë është një muzë frymëzuese. Në jetë është si në pikturë, por më e ndërlikuar.
Dhurata Hamzai: Kur ju udhëtoni me ekspozita në vende të ndryshme të botës, sa të pranishëm janë gruaja dhe djali juaj i vogël. A janë ata pashmangëshmërisht të lidhur ose të varuar nga karriera jote?
Artan Shabani: -Do të thosha që në të shumtën e rasteve janë të pranishëm, kjo sipas distancës dhe mudësive. Fëmijët e vegjël të kushtëzojnë sidomos në lëvizje, por bëj ç'mos që të jenë prezente dhe sigurisht që janë të lidhur sepse jetojnë me ritmin tim.
Dhurata Hamzai: Cili do të jetë projekti juaj më i rëndësishëm pas ekspozitës së Stambollit?
Artan Shabani: -Pas Stambollit do të ekspozojë në Alessandria (Itali), me tre artistë shqiptare dhe një grup prej katër artistësh serbë. Ekspozita quhet "Contaminazioni", dhe në këtë aktivitet do të jenë të jenë të pranishëm diplomatë, autoritete të larta të Italisë, koleksionistë të ndryshëm. Në muajin Nëntor do të jem në Milano me një tjetër aktivitet “Galeria Tadini” me ekspoziten Migrazioni Mediterranee, ndërsa për vitin e ardhshëm do të organizojë në Vlorë disa aktivitete të cilat ngelen surprizë