E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Epidemi" dhune në familjet e kryeqytetit

Shtohen në masë rastet e dhunës në familjet shqiptare. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, policia e kryeqytetit ka regjistruar katër raste të tjera, ndërsa uniformat blu shprehen se thjesht janë rritur kallëzimet, pasi më parë ishte frikë për të denoncuar. Janë shtuar rastet e denoncimit të dhunës në familje. Gjatë vitit 2006 janë paraqitur 53 raste, një vit më vonë 60, ndërsa në vitin 2008, 69 raste të denoncimit. OJQ-të thonë se dhuna është e patolerueshme, ndërsa policia dy vite më parë hapi një sektor të posaçëm për këtë fenomen, duke sjellë në vëmendje parandalimin e krimeve brenda familjes.

Në lidhje me rastet e fundit, policia e kryeqytetit bëri të ditur se një denoncim ka të bëjë me dhunën e djalit të ushtruar ndaj nënës së tij, ndërsa tri rastet e tjera të bashkëshortëve ndaj grave. Burimet policore shpjeguan se rasti i parë është shënuar te Komisariati Nr. 4. Sipas të dhënave hetimore, dje u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasen Haxhire Muharrem Rada, 72 vjeçe, banuese në Tiranë, sepse djali Agron Riza Rada, 42 vjeç, me arsim 8 klasë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Nga të dhënat mësohet se ai ka ushtruar dhunë disa herë ndaj saj dhe kur nëna e tij ka pranuar të denoncojë, ajo është marrë në mbrojtje, duke kufizuar edhe takimet fizike mes tyre. Veç këtij rasti, policia tha se nga shërbimet e policimit në komunitet te Komisariati Nr. 3, u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Nurishana Ali Topullin, 58 vjeçe, banuese në Tiranë, sepse bashkëshorti Ardian Iljaz Ahmeti, 55 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Gjithashtu, nga Komisariati Nr. 5 u regjistrua rasti i tretë gjatë 24 orëve të fundit. Nga të dhënat policore mësohet se u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Alida Lloshin, 28 vjeçe, sepse ka rënë pre e dhunës bashkëshortore nga burri i saj Ylber Lloshi, 37 vjeç. Sipas policisë, ai ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike e psikologjike për disa herë. Ndërsa nga Komisariati Nr. 6 u regjistrua rasti i katërt, ku nga shërbimet policore u plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Rortera Krasniqin, 52 vjeçe, sepse bashkëshorti Fatos Krasniqi, 57 vjeç, ka kryer të njëjtin veprim.

Dhuna në familje është një dukuri mbarëkombëtare në Shqipëri. Shpeshherë gratë, fëmijët dhe të moshuarit, janë të rrezikuar pikërisht aty ku duhet të jenë më të mbrojtur, ku presin siguri, dashuri dhe mbështetje në familje. Pothuajse çdo ditë paraqiten për denoncim në qendrat e rehabilitimit gra të dhunuara nga zonat rurale, por edhe nga qyteti, të cilat kërkojnë ndihmën e punonjësve socialë dhe psikologeve të qendrës, për të dalë nga cikli i dhunës që ushtrohet ndaj tyre brenda familjes. Dhuna është e të gjitha niveleve. Dhunë fizike, psikologjike e seksuale. Dhunë e asistuar që është tamam e dhimbshme. Në të shumtën e rasteve, ato kanë shenja të dukshme të dhunës në trup. Sipas të dhënave nga policia, vitet e fundit është shtuar së tepërmi numri i rasteve të denoncimit të dhunës në familje. Kjo si rezultat i një koordinimi më të mirë të punës mes të gjitha institucioneve, OJQ-ve dhe organeve shtetërore. Dhuna mendohet se ka qenë e fshehur. Tani me miratimin e ligjit, gratë janë sensibilizuar që duhet të luftojnë kundër këtij fenomeni. Ato kanë mundësi të drejtohen për ndihmë. Prandaj, numri i klientëve për dhunën në familje është rritur jashtëzakonisht. Dhuna në familje ka një kosto sociale dhe ekonomike për vetë shtetin, ndaj nevojiten masa më efikase për parandalimin e këtij krimi. Gjithashtu është e nevojshme të punohet për të ndryshuar mentalitetin e shoqërisë dhe të vetë strukturave që zbatojnë ligjin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›