E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD, Gjinushi : LSI, mashe e PD-së

Në një konferencë për shtypin të zhvilluar dje paradite kryetari I Partisë Social Demokrate, Skender Gjinushi në lidhje me miratimin e buxhetit Bashkiak të Tiranës, iu është drejtuar gjithë banorëve të kryeqytetit dhe mbarë opinionit publik,duke iu treguar atyre se si dështoi skenari politik PD-LSI për bllokimin e qeverisjes vendore, dhe posaçërisht, për të goditur modelin më të mirë të kësaj qeverisje, të përfaqësuar nga Edi Rama, të mbështetur dhe vlerësuar brenda e jashtë vendit. Gjinushi theksoi se, po shohim një LSI që flet e sillet njëlloj si PD, që përdor të njëjtat masha, ku Sokoli drejton këshillin si Jozefina, vetëm e vetëm, për ti shërbyer qeverisjes mafioze-destruktive të Sali Berishës, në dëm të shqiptarëve. Qytetarët, theksoi Gjinushi përjetuan mbrëmë të njëjtat skenare, pazare, metoda e fjalë rrugaçërore që zhvillohen prej 4-vjetësh në Kuvendin e Shqipërisë, ku Berisha bashkëpunon me të majtë të shitur; me deputetë që nuk respektojnë kontratën me popullin, por trafikohen sipas interesave të çastit. Ai u shpreh se LSI-ja mbetet, promotore e trafikut të deputetëve dhe të këshilltarëve, e cila, si në Kuvend edhe në qeverisjen vendore, nuk respekton kontratën me popullin, pra me votuesit, por bashkëpunon me PD-në në këshillat e qarqeve, ashtu dhe për bllokimin e buxheteve në bashkitë kryesore, si në Tiranë e Korçë, modele të qeverisjes së suksesshme. Ai e ka akuzuar qeverinë Berisha si një qeveri që po dhunon Kushtetutën dhe liritë e të drejtat e shqiptarëve; si një qeveri që po varfëron e vjedh përditë popullin; ku në çdo moment plasin skandale e krime qeveritare, nga trafik armësh deri tek vjedhje pronash; kur qeveria na ka lënë përsëri tek dyert e Europës.

Email This Klikime: 9

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›