E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemia e skrapit, të gjithë në sulm për të vjedhur hekurishte

Vlorë- Nuk njeh kufi lufta për të siguruar metale për t`i shitur për skrap. Kjo është kthyer një mënyrë jetese për shumë njerëz. Disa e shohin këtë si një mënyrë për të dalë nga skamja dhe disa të tjerë si biznes fitimprurës. Policia e Vlorës ka vënë sot në pranga 4 persona nën akuzën e vjedhjes. Ata janë kapur në flagrancë teksa po thyenin formatet e betonit të kanalit vaditës të fshatit Armen me qëllim përfitimin e hekurit për skrap. Të arrestuarit janë Stilian Lazaj 28 vjeç, Armondo Filaj 30 vjeç, Pëllumb Sulçe 34 vjeç dhe Robert Ramo 32 vjeç. Dyshohet se këto persona e kryenin këtë aktivitet prej kohësh. Policia pas hetimeve të bëra dhe gjurmimit të të dyshuarve bëri të mundur kapjen e tyre në flagrancë.

Kohët e fundit është shtuar numri i vjedhjeve me qëllim përfitimin e metaleve për skrap. Ura e lumit Vjosë po shkatërrohet pikërisht për këtë arsye sepse hekuri I 10 pasarelave të saj është vjedhur dhe vidhet në vijëmësi çdo ditë për skrap. Por skrapomania është kthyer në një problem shqetësues sepse në mjaft raste ka marrë edhe jetë njerëzish. Vetëm tre ditë më parë dy të rinj humbën jetën duke u përpjekur të vidhnin kabuullin elektrik nga shtylla. Ndërkohë që javë më parë një tjetër humbi jetën i asfiksuar nga gazi teksa tentoi të vidhte për skrap tubin e gazit të një linje që kishte qënë në funksion.

No related posts.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›