E Shtunë, 31 Tetor 2026

Epidemia në Ballsh, uji s’ndërpritet



BALLSH/ MAJLINDA RAMA

Megjithëse tashmë përgjigjet e analizave gjetën shkakun e vërtetë të helmimit të qindra banorëve në Ballsh, uji vazhdon të rrjedhë në çezmat e qytetarëve. Autoritetet lokale nuk e kanë ndërprerë furnizimin me ujë, edhe pas konfirmimit të Ministrisë së Shëndetësisë, duke bërë që shumë qytetarë të shfrytëzojnë sërish ujin nga i njëjti burim. Edhe ditën e djeshme, si rezultat i konsumit të tij për nevoja të ndryshme, larje apo gatim, dhjetëra pacientë kanë përfunduar në spitale. Rreth 90 persona janë paraqitur në spitalin e Ballshit, duke rritur kështu listën me emrat e rinj të pacientëve që kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Nga Drejtoria e Ujësjellësit dhe Bashkia është pohuar se nuk mund të ndalet furnizimi me ujë, pasi vetëm në këtë mënyrë realizohet dezinfektimi dhe larja e tubacionit. Ndërkohë ende nuk është gjetur pika ku tubacioni ka pësuar çarje, për të ndërhyrë konkretisht. Kreu i ujësjellësit të Mallakastrës, Shyqo Metaj tregon se ende nuk i kanë shkuar në dorë përgjigjet e analizave. “Vetëm pasi të mbërrijë në zyrë dosja me rezultatet, atëherë do të shihet për të konkluduar në një zgjidhje të problemit. Ne jemi të detyruar ta mbajmë të hapur tubacionin e ujit në çdo cep ku shtrihet rrjeti, për shkak se vetëm kështu do të mund të bëhet larja e tubave të ndryshkur nga amortizimi apo edhe nëse me të vërtetë ka çarje të tubacionit, megjithëse ne ende nuk kemi gjetur ndonjë pikë të tillë. Tashmë është dyfishuar masa e klorit në ujë dhe janë porositur banorët të mos e konsumojnë ose ta ziejnë atë”, është shprehur drejtori i këtij institucioni, Shyqo Meta. Por nga ana e tyre, pacientët e shtruar në spital kërkojnë një zgjidhje nga institucionet shtetërore, pasi nuk kanë mundësi të tjera për të siguruar ujin për konsum të përditshëm. Deri atëherë, nuk dihet se si do të vazhdojë kjo gjendja alarmante, pasi çdo ditë në spitalin e Ballshit ka persona me shenja të njëjta, të vjella e diarre. Sipas drejtoreshës së spitalit, Luljeta Bregasi, gjatë natës nuk ka pasur urgjenca, por rastet janë shtuar që herët në mëngjes. Konfirmohet nga mjekët se rreth 90 vetë të paraqitur dje kanë qenë raste të reja që kanë nevojë për trajtim. Ajo thekson faktin se për një pjesë pacientësh ka ndikuar dhe faktori psikologjik, duke parë shtimin e rasteve njëri pas tjetrit, në të njëjtat zona të Ballshit. Epidemia masive u shfaq të hënën, pas rasteve sporadike të mëparshme. Në fillim të javës, në spitalin e Ballshit dhe të Fierit u shtruan 108 persona, numri i të cilëve erdhi duke u rritur. Një pjesë e tyre patën nevojë për ritrajtim mjekësor, çka bëri që shifra e të prekurve të paraqitur në spital, që nga pragu i epidemisë të arrinte 300. Për Ministrinë e Shëndetësisë nuk bëhet fjalë për sëmundje të rënda, siç është dizenteria apo tifo, por për viruse më të lehtë të shkaktuar nga përzierja e ujërave të zeza me të bardha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›