E Diel, 1 Nëntor 2026

Rruga drejt rrëmujës revolucionare

Ermal Hasimja

është konstatuar vazhdimisht në Shqipëri sa e dhimbshme është papërgjegjshmëria e liderëve politikë. Por ka diçka edhe më të dhimbshme: fakti që nuk mbeten asnjëherë vetëm, por ndiqen nga mijëra militantë e qytetarë të thjeshtë, të parët të nxitur nga ideja e ndarjes së plaçkës së luftës, të dytët kryesisht sepse mendojnë se emocionet dhe qëndrimi i tyre politik është më i rëndësishëm sesa Kushtetuta dhe ligjshmëria.
Edi Rama sot ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh historinë e vonshme të vendit. Së pari, ai ka fshirë çdo lloj pengese ndaj legjitimitetit të tij si kryetar i PS-së. Së dyti, ia ka dalë mbanë të organizojë disa nga protestat më madhështore të tranzicionit duke kontribuar, përtej sinqeritetit të dyshuar, në frikësimin e atyre që mund të kërcënojnë zgjedhjet në të ardhmen. Dhe së treti, tërësisht në kahun e kundërt, ka rindezur tek pasuesit e tij qëndrimin revolucionar se pushteti mund të merret me çdo mënyrë, nëse dikush është mjaftueshmërisht i aftë për ta bërë këtë. Them me çdo mënyrë, sepse nëse përjashton mënyrën ligjore dhe kushtetuese, e vetmja formë mbetet skenari revolucionar me trajta të zbutura si ajo greke.
Akuzat që i bëhen Ramës për pengim të liberalizimit të vizave janë plotësisht sipërfaqësore. Liberalizimi i vizave dhe pothuajse gjithçka tjetër nuk do të ishin aspak të rëndësishme përpara zgjedhjeve të lira. Por a janë zgjedhjet e lira që po synon Rama? Kjo duket e dyshimtë. Nga njëra anë deklaron se nuk synon ndryshimin e rezultatit, por garantimin e zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa nga ana tjetër është jashtë Parlamentit (ku bëhet i mundshëm garantimi ligjor) dhe nuk ka bërë as edhe propozimin minimal ligjor për të riparuar problemet që konstatoi në këto zgjedhje dhe për t’i parandaluar në të ardhmen. E ardhmja thjesht nuk është në horizontin e mendimit të tij nga pikëpamja legjislative. Ndërkohë nga mijëra komisionerë socialistë që supozohet ta kenë shitur, vetëm dy (sipas një deklarate të I.Beqajt në “Koha TV”) janë paditur. Megjithëse thuhet se ka prova të sigurta për manipulimin e zgjedhjeve ....
Rama nuk pranon sot të shfrytëzojë asnjë nga rrugët ligjore të propozuara për të zgjidhur problemet e tij me zgjedhjet. Rezulton se gjykatat dhe Kushtetuta nuk kanë rëndësi. E vetmja gjë që deklarohet se ka rëndësi është “vullneti i popullit”, sipas tij. Por i cilit popull? I popullit që del në protestën e tij, apo i popullit që del në mitingjet patetike të Qeverisë? Mos ndoshta të gjithë ata që votuan Berishën në 28 qershor qenkan armiq të popullit, sahanlëpirës, harem i pushtetit, etj.? Ku e gjen Rama të drejtën për të përkufizuar popullin? Mbetet vetëm një përgjigje: tek vullneti i tij për të marrë pushtetin, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve.
Sot, fatmirësisht ose fatkeqësisht, Sali Berisha ka Kushtetutën dhe legjitimitetin pas vetes. Në mungesë të pretendimeve ligjore, kërkesat e grevës së urisë dhe protestave mund të përkthehen vetëm në një mënyrë: të iki Berisha dhe të vijë Rama. Por a është ardhja e Ramës, qoftë ai edhe lideri më i aftë në botë, e përligjur edhe përkundër legjitimitetit të pushtetit? Jo. Unë mendoj se sot, edhe kundërshtari më i ashpër i Berishës, do të duhet të thoshte: “Poshtë Saliu, rroftë Kushtetuta”. Nuk është legjitimiteti në funksion të personit, por personi në funksion të tij.
Mospranimi i zgjidhjeve ligjore (gjykatës, Kushtetutës, Strasburgut, Venecias, etj.) është në thelb një thirrje për revolucion. çdo revolucion është një thyerje e legjitimitetit. Ajo që nuk po thuhet sot, por po shpresohet, në mos po përgatitet, është rrëmuja në gjuhën popullore, ose revolucioni në gjuhën politike. Përmbysja e pushtetit të ngritur mbi votën.
Problemi më i vogël që mund të ketë Shqipëria nga një situatë e tipit të Greqisë është mosheqja e vizave. Problemi më i rëndë që na kthen në vitin 1997 dhe ndoshta edhe në 1924-n, është ringjallja e përbindëshit të revolucionit dhe përligjja e përdorimit të tij sa herë që njeri lider apo tjetri të jetë i aftë të mobilizojë 100.000 shqiptarë për ta ndjekur nga pas. Nëse nesër Sali Berisha rrëzohet përmes rrëmujës revolucionare, pasnesër ai nuk do të ketë nevojë as për gjykatat e as për ndërkombëtarët për të rrëzuar pushtetin: do t’i mjaftojë vetëm precedenti Rama. Atij dhe kujtdo pas tij.
Fatkeqësisht, institucionet shqiptare nuk mund të bëjnë pothuajse asgjë kundër këtij rreziku. E vetmja shpresë mbetet tek përgjegjshmëria e vetë qytetarëve. Deri më sot një pjesë e tyre mund të jenë të gatshëm të dështojnë plotësisht, nëse tejkalojnë kufijtë e protestës demokratike dhe ëndërrojnë revolucionin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›