Kapiteni denoncon pronarin e “Brustelit”: Pesë muaj pa rroga
DURRES - Pronari i anijes me flamur shqiptar “Brustel”, e cila mbeti peng në Libi me 13 marinarë në bord, do të përballet me gjykatën, pas denoncimit nga ana e kapitenit të anijes. Mësohet nga burime policore se ndaj shtetasit A.Tepshi 40 vjeç, pronar i kësaj anijeje, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pas kallëzimit të bërë në komisariat nga ana e kapitenit të “Brustel”, shtetasi A.Ulqinaku, 43 vjeç. Ekuipazhi mbërriti në ujërat shqiptare pas një “odiseje” të gjatë 50 ditore, pasi autoritetet libiane nuk jepnin “OK” e lëvizjes së anijes pa shlyer detyrimet e shumës 39 mijë euro. Me t’u kthyer në Shqipëri, kapiteni i anijes “BRUSTEL” ka deklaruar në polici se nuk ka marrë që prej 5 muajsh pagën mujore. Gjithashtu, ai pretendon se gjatë 1 viti ka punuar pa kontratë të rregullt pune dhe pa sigurime shoqërore. Nga ana e hetuesve u kryen veprimet e para procedurale dhe materialet për veprat penale të “mashtrimit” dhe “punësimit të paligjshëm” iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së rrethit të Durrësit. Që prej datës 22 janar, “Brustel” kishte hedhur spirancën në radën e portit Nisurata të Libisë. Anija shqiptare mbërriti në Libi, pas lundrimit nga Tunizia. Gjithashtu kapiteni Ulqinaku kishte dhënë alarmin edhe për amortizimin dhe gjendjen e vështirë teknike të anijes. Por pretendimi i kapitenit është rrëzuar nga pronari i anijes A.Tepshi, i cili tha se “anija nuk i ka borxh askujt dhe se vonesa ka ardhur vetëm për shkak të pritjes së një ngarkese”. Tashmë çështja e shumëdebatuar do të kalojë në “sitën” e drejtësisë, për të vërtetuar apo hedhur poshtë akuzat e ngritura. o.u